​AAK reagon pas dështuan të votohen ndryshimet për ligjin pensional: LVV ndryshoi qëndrim

Aktuale

​AAK reagon pas dështuan të votohen ndryshimet për ligjin pensional: LVV ndryshoi qëndrim

Më: 23 shtator 2022 Në ora: 15:17
Shemsedin Dreshaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar pas seancës së sotme parlamentare ku për mungesë kuorumi dështoi të miratohej Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji të propozuar nga AAK, opozita kërkoi heqjen e kushtëzimit të stazhit 15 vjeçar për pensionistët kontribut pagues para 1 janarit 1999, ndërsa mazhoranca nuk e mbështeti. Pro këtij projektligji ishin vetëm 22 deputetë, 31 të tjerë abstenuan, kështu nuk pati kuorum për votim.

Deputeti Shemsedin Dreshaj, që foli para mediave pas seancës, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje ka ndryshuar qëndrim pas ardhjes në pushtet, pasi sa ka qenë në opozitë e ka mbështetur të njëjtin.

Dreshaj: Vetëvendosje ka ndryshuar qëndrimet

“Ky debat solli në pah qëndrimet e partisë në pushtet që ndërrojnë sipas agjendave e jo sipas programit. Kur Vetëvendosja ishte në opozitë e ka mbështetur këtë ligj në mënyrë të plotë, ndërsa sot debati i organizuar shihej qartë që mungon vullneti politik që kjo çështje të shkojë përpara dhe njëkohësisht të zgjidhet ky problem dhe ky diskriminim i jashtëligjshëm, i dhunshëm, me ç’rast këta njerëz nuk shkojnë në pensionim meritor, me kontributet e veta që i kanë dhënë, për aq vite që kanë punuar”, deklaroi Dreshaj.

Lëvizja Vetëvendosje nuk e mbështeti këtë projektligj me arsyetimin se Qeveria e Kosovës do ta adresojë çështjen e stazhit 15-vjeçar para 1 janarit 1999 përmes reformës pensionale dhe skemave sociale.

Mirëpo, Dreshaj deklaroi se ka pasur edhe deklarime se ka mungesë të fondeve mirëpo u shpreh se më 25 nëntor është planifikuar të sillet në Kuvend rimodelimi i skemave pensionale dhe pyeti se si do të gjenden fondet për një muaj e gjysmë.

Mirëpo, deputeti i AAK-së u shpreh se partia në pushtet nuk dëgjon argumentet dhe ka numrat për të vendosur si do.

Dreshaj: Në Parlament argument është forca

“Disa muhabete të cilat i patëm neve realisht sillej rreth problemit të mungesës së fondeve por ju them se ky ligj për modifikimin dhe rimodelimin e skemave pensionale në Kosovë pritet që të vijë në parlament me datë 25 nëntor. Si mund të sigurohen paratë më 25 nëntor pas një muaji e gjysmë ndërsa sot nuk janë? Ky debat i sotëm lë shumëçka brenda për t'u nënkuptuar. Pra, këtë herë u ballafaquam me faktin që argumenti i forcës më nuk është argument në Parlamentin e Kosovës, argument është forca”, deklaroi Dreshaj.

Dy partitë e tjera opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë shprehur “pro” projektligjit të iniciuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duke e quajtur si të duhur pasi nenet e ligjit aktual janë diskriminues. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat