Pse eksponentë të LDK-së, po tentojnë retushimin e historisë së atentateve dhe vrasjeve politike? / Kush i bëri atentat Rugovës?

Aktuale

Pse eksponentë të LDK-së, po tentojnë retushimin e historisë së atentateve dhe vrasjeve politike? / Kush i bëri atentat Rugovës?

Nga: Idriz Morina Më: 23 shtator 2022 Në ora: 16:30
Presidenti Rugova dhe miku i tij, e bashkëpunëtori i ngushtë Xhemail Mustafa

Është e habitshme se si një eksponent i LDK-së, i sheh zhvillimet në Kosovë, duke e interpretuar organizimin e mundshëm të një atentati ndaj kryeministrit Albin Kurti.

As unë nuk e kam përjashtuar, si njërën nga pistat e hetimit, që rasti i përfolur i vitit të kaluar, të ketë qenë i projektuar nga Serbia.

Por, përtej projeksioneve apo ideve se të gjitha të këqijat erdhën nga Serbia, duhet të jemi të qartë, me disa të këqija, që njerëz apo grupe të papërgjegjshme ia sollën këtij vendi.

Nuk mund t’ia përshkruajmë të gjitha vrasjet politike Serbisë, edhe pse shumë më mirë do të kishte qenë plotësisht e vërtetë kjo.

Të anashkaluar, dhe thuaja në ankth

Që nga vdekja e Rugovës, vërtetë kanë ndodhur shumë zhvillime, aq sa shumë prej atyre që janë deputet apo në drejtim të LDK-së, mund të mos i dinë fare të vërtetat për ngjarjet, për kërcënimet e mijëra aktivistëve të LDK-së në luftë dhe pas lufte, në emër të atyre që në pezhorativ cilësohen edhe si “Shtabi i Rognerit”, për qindra të vrarë të LDK-së, përfshirë figurat e vlerësuara dhe të çmuara shumë, si kolonel Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Xhemail Mustafës, deputetit Smajl Hajdarajt, e deri tek vrasja e gazetarëve të “Bota sot”, Bekim Kastrati dhe Bardhyl Ajeti.

Por, sikur LDK-ja t’i mbronte këto plagë, do të duhej të kërkonte drejtësi njësoj edhe për vrasjet si të Behadin Allaqit, Ilir Konushecit etj., sepse përveç tjerash, LDK-ja ka qenë lëvizje nacionale, thuajse e të gjithëve, dhe për të gjithë Kosovën e më tej.

“Këto janë çështje shumë të panjohura. Në 20 vjetët e fundit në Kosovë jorrallëherë kemi dëgjuar lajme të tilla, atentate. Të gjitha këto e kanë origjinën diku në kuzhinat serbe për të tensionuar situata, skenën politike në Kosovë për të mbajtur në tension gjithë popullin e Kosovës. Këto duhet t’i marrim me injorim maksimal si qytetar...”, ka deklaruar Driton Selmanaj.

Kjo nuk tingëllon aspak mirë, pasi shumë familjarë të viktimave të vrasjeve politike të kryera nga viti 2001 e këndej, ndihen shumë të pasigurt, të anashkaluar, dhe thuaja në ankth, nga dyshimi se gjykata speciale mund të mos merret me ato raste.

Pra, po fuqizohet një grup në LDK, përfshirë edhe ata që po i heshtin vrasjet, përveç në varreza, të cilët duan të besojnë që opinionit duhet treguar se atentatet edhe në të kaluarën janë bërë nga Serbia.

Madje edhe Anton Quni, në një intervistë për “Bota sot” para disa vitesh, i pyetur për vrasjen e kolonelit Ahmet Krasniqi, pat thënë se prapa saj qëndron Beogradi!

Edhe ne nuk e kemi përjashtuar asnjëherë këtë pistë të mundshme, se në projektin për vrasjen e shqiptarëve atdhetarë, liderë, intelektualë, mund të qëndrojë Beogradi, se edhe interes i padyshimtë i tij ishte, por gjithashtu pa harruar se gati në 100% të rasteve zbatuesit ishin shqiptarë.

Nëse këta dhe të tjerë në LDK besojnë dhe kanë argumente, se ndërlidhësit janë shqiptarë të njohur, do të ishte një surprizë, pasi askush nuk ka mundur t’i shkojë deri në fund këtij argumentimi, përveç përfoljeve dhe akuzave, qoftë konceptuale, qoftë atyre të hamendësuara.

Por, disa atentate, në disa vrasje politike, ku liderët ishin kryesisht lokal, si Rracaj, Manaj, Bytyçi, e të tjerë është e vështirë t’ia atribuosh Beogradit, e jo dhunës politike në Kosovë.

Ndoshta Selmanaj nuk e kishte fjalën përveç për rastet ndaj burrështetasve, por edhe me Rugovën besohet se ka ndodhur njësoj si me veprimtarët e tij besnik!

‘Nximje’ të fytyrës shqiptare

Disa atentate ndaj presidentit Rugova, deri tek ai me tritol, në vitin 2005, të gjithë besojmë ende se mbajnë vulën e krimit shqiptarë.

Kur u vra Ukë Bytyçi, presidenti Rugova, nuk kërkonte vetëm nga LDK-ja, por nga tërë shoqëria, që vrasësit të izoloheshin. Në asnjë vrasje politike të pas luftës, unë nuk e mbaj mend të ketë thënë se pas tyre qëndron Beogradi.

“Ne duhet t’i izolojmë kriminelët vrasës, si shtet, si shoqëri”, pat deklaruar presidenti Rugova në rastin e vrasjes së Ukë Bytyçit,

Ai e quante Kosovën shtet, dhe po kërkonte arrestimin e tyre, sepse izolimi nga shteti nuk ka tjetër kuptim!

Madje po në atë rast kishte shkuar edhe më tej, duke ftuar PDK-në dhe AAK-në, që t’ua mësojnë jetën demokratike anëtarësisë së tyre, që t’i qetësonin gjakrat.

“Kërkojmë nga disa parti politike, t’i qetësojnë anëtarësitë e tyre dhe t’i mësojnë me jetën demokratike të Kosovës”, ka deklaruar Rugova me 28 tetor, 24 orë pas vrasjes së Ukë Bytyçit, në vitin 2002.

Vrasjet e tilla gjithmonë i shihte si akte kundër pavarësisë dhe shtetësisë, dhe ‘nximje’ të fytyrës shqiptare, e cila në traditën shqiptare, ishte gjithçka! Por, jo më për shumë nga zyrtarët në LDK!

Mbi 6 mijë veta të prekur nga vrasjet!

Atëherë nëse janë qindra apo rreth 200 veprimtarë të LDK-së e patriot njëkohësisht, këta nuk janë pak.

Ta shohim sa janë. Për 20 vjet ka lindur brezi i dytë apo i tretë, janë martuar fëmijët e tyre apo nipërit e tyre. Pra, më së paku mund të themi se është dyfishuar rrethi i tyre.

Po ashtu janë të vrarë edhe rreth 100 veta të tjera, veprimtarë të së majtës, si Iliri, Behadini e të tjerë të pafajshëm, për motive ulëta, si bashkëshortët Frrokaj.

Rreth 300 viktima, sot kanë rreth 600 familje të tre brezave, që më së paku bëjnë rreth tre mijë veta, e më gjerësisht rreth dyfishi i asaj shifre përbëjnë rreth 6 mijë veta, të prekur në mënyrë të drejtpërdrejt apo ngushtësisht. Kjo nënkupton, një qytet të vogël të Kosovës!

Pra, nuk mund t’ju thuash një numri aq të madh, mos u merrni ju me atentatet! Megjithëse ky është mesazhi më i mirëpritur për porositësit e krimeve, disa nga të cilët, po gjykohen në Hagë!

Kjo të bën të mendosh, se sot në shoqërinë e Kosovës, ka më shumë dhembje, për të dyshuarit për krime, se sa për viktimat e tyre apo për vrasjet politike përgjithësisht!

Ndërsa, fryma e tillë në LDK, përshkruhet më së miri me kompleksin e Stokholmit, ku viktimat, bijnë në dashuri me pengmarrësit!

Por, ka njerëz që gjithmonë do t’ia kujtojnë dinjitetin kësaj shoqërie!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat