Krasniqi: Epokë e re me përfaqësim të barabartë gjinor, 50/50 në të gjitha nivelet e vendimmarrjes

Aktuale

Krasniqi: Epokë e re me përfaqësim të barabartë gjinor, 50/50 në të gjitha nivelet e vendimmarrjes

Më: 24 shtator 2022 Në ora: 11:13
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në Konventën Programore të Gruas Demokratike të Kosovës, ka zyrtarizuar sot vizionin dhe vendimin e PDK-së për përfaqësim të barabartë gjinor, 50/50, në të gjitha nivelet e organizimit dhe vendimmarrjes.

Në shpalosjen e vizionit i cili do të përfaqësojë PDK-në në rrugëtimin përpara, Krasniqi ka thënë se 50 % me 50 % është formula, misioni dhe qëllimi i PDK-së për të cilin nuk do të ndalen asnjëherë.

“Rrugëtimi jonë si PDK, nuk është as i plotë dhe as s’mund të jetë i suksesshëm pa gra që i prijnë kësaj rruge në secilin dimension e në secilin drejtim. Prandaj, unë kam vendosur që Partia Demokratike e Kosovës të jetë shtëpi e hapur, pa dyer dhe pa mure për gratë dhe vajzat që duan angazhim dhe realizim në politikë. 50 % me 50 % është formula jonë, është misioni ynë dhe është qëllimi ynë për të cilin s’do ndalemi asnjëherë”, ka thënë Krasniqi.

Lideri i PDK-së ka bërë të ditur se qysh në Konventën e ardhshme zgjedhore të PDK-së, ai do t’i propozojë ndryshimet statutare që do ta mundësojnë zbatimin e këtij vizioni në praktikë.

Mes tjerash, ai ka konfirmuar se do ta bëjnë normë obligative që të gjitha strukturat e PDK-së, në çdo nivel të organizimit, të kenë ndarje të barabartë të pozitave udhëheqëse, 50/50, duke përfshirë pozitat e kryetarëve, nënkryetarëve dhe sekretarëve.

“Në zgjedhje lokale, aty ku kandidati për kryetare ose kryetar është i njërës gjini, bartësi i listës për Asamble Komunale duhet të jetë i gjinisë tjetër. Do të synojmë që listat tona kandiduese të jenë në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore dhe jo me kuotën prej 30 %, që tashmë është dëshmuar si e tejkaluar”, ka shtuar Krasniqi.

Kryetari Krasniqi është zotuar se PDK do të arrijë përfaqësimin e barabartë gjinor, 50 % me 50 % deri në vitin 2025, por që nuk do të presin deri atëherë për të realizuar këtë objektiv.

Në fund, lideri i PDK-së ka thënë se është tejkaluar koha kur partia është dashur që ta ketë një organizatë të ndarë të grave, për t’ju qasur votueseve gra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat