Caktohet ekspertizë psikiatrike për njërin nga të akuzuarit për rastin ‘‘Toka’’, ndërpritet gjykimi

Aktuale

Caktohet ekspertizë psikiatrike për njërin nga të akuzuarit për rastin ‘‘Toka’’, ndërpritet gjykimi

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 15:37
Pamje nga gjykata

Për shkak se Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të bëhet ekspertizë psikiatrike ndaj të akuzuarit Fahredin Gashi, është ndërprerë gjykimi në rastin ‘‘Toka’’.

Ky vendim është marrë nga trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Arben Hoti, pas propozimit nga mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokatit Tahir Rrecaj, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Fillimisht, avokati Rrecaj ka propozuar dy alternativa, duke kërkuar që procedura ndaj të akuzuarit Gashi të veçohet për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, duke përmendur faktin se ekzistojnë disa raporte nga Forenzika Psikiatrike e Kosovës, të cilat konstatojnë se i njëjti ka sëmundje psikike të përhershme.

Ai tha se i akuzuari Gashi nuk mund të përballet me shqyrtimin gjyqësor, pasi që nuk e kupton peshën dhe rëndësinë e gjykimit dhe se nuk komunikon me avokatin mbrojtës.

‘‘Të gjitha këto sëmundje nga viti 2002, e në veçanti nga viti 2008, janë të karakterit të përhershëm me ndikim të theksuar në funksionet psikike’’, tha avokati Rrecaj.

Më pas, ai propozoi alternativën tjetër, duke kërkuar që në këtë procedurë penale  të bëhet një ekspertizë tjetër.

Lidhur me këtë, prokurori i rastit Naim Abazi, ka thënë se, nëse gjykata vendos për caktimin e një ekspertize, atëherë trupit gjykues do t'i kërkojë që në shkresat e lëndës të vendoset vendimi me të cilën prokuroria në atë kohë kishte refuzuar propozimin e mbrojtjes për veçim të procedurës, me rrethanat dhe arsyet e paraqitura si në të.

Në këto rrethana, trupi gjykues refuzoi propozimin e mbrojtjes për veçimin e procedurës ndaj të akuzuarit Gashi, por që urdhëroi ekspertizë psikiatrike ndaj tij.

“Në çështjen penale sipas aktakuzës PS.nr.54/14, urdhërohet ekspertizë psikiatrike bazuar në rrethanat kur kemi disa ekspertiza të cilat e konstatojnë një gjendje pothuajse të njëjtë por në anën tjetër kemi një vendim të prokurorit të çështjes në atë kohë i cili konstaton se në rastin konkret ekzistojnë disa prova të ekspertët nuk i kanë pasur parasysh në ekspertimit psikiatrik”. deklaroi gjykatësi Hoti.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Azem Syla, avokati Besnik Berisha, kërkoi nga trupi gjykues që të kihet parasysh se nëse në fazë të mëvonshme vie një vendim i cili thotë se i akuzuari në fjalë s’ka qenë në gjendje ta përcjell gjykimin, atëherë duhet të kthehen sërish në pikën zero.

Andaj, gjykatësi Hoti deklaroi se nuk ka kushte për vazhdimin e seancës gjyqësore dhe seanca do të shtyhet për një kohë të arsyeshme derisa ky trup gjykues të merr përgjigje nga Instituti i Forenzikës Psikiatrike të Kosovës.

Seanca e radhës për këtë çështje penale pritet të mbahet më 17 nëntor 2022.

Ndryshe, në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Në këtë rast, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla dhe të tjerët nga viti 2016, po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Fillimisht në këtë rast kanë qenë 22 të akuzuar, ku për N.U., dhe Sh.M., është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Gjykatësi ka bashkuar procedurën penale ndaj Ilaz Sylës, i cili ka qenë i akuzuar në këtë rast.

Po ashtu, ka bashkuar procedurën edhe ndaj tani të akuzuarit Vidosav Novakovic, duke thënë se në këtë çështje penale do të merret një aktgjykim, meqenëse sipas tij, janë provat të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Ndryshe, kjo lëndë fillimisht gjykohej nga gjykatësi Beqir Kalludra dhe pasi që gjykimi ishte afër përfundimit të tij, avancimi i gjyqtarit Kalludra kishte ndikuar që kjo lëndë të mbetej pa u përfunduar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë lëndë më pas ia kishte ndarë në punë gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni, e cila nuk kishte mbajtur asnjë seancë.

Por, edhe pasi rasti ishte pothuajse në përfundim, kur gjykohej nga gjykatësi Kalludra, i njëjti duhet të nis përsëri. Kjo pasi neni 311, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se: “kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat”.

Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi Kalludra, duhet që të shqyrtohen edhe njëherë nga fillimi nga kryetari i ri i trupit gjykues, Arben Hoti.

Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016, përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa, për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje e mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat