Sejdiu: 650 mjekë janë të papunë

Aktuale

Sejdiu: 650 mjekë janë të papunë

Më: 30 shtator 2022 Në ora: 00:59
Pleurat Sejdiu

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu tha se karshi ikjes së mjekëve nga vendi, janë edhe 650 mantelbardhë të papunë.

Duke komentuar deklaratat e qeveritarëve se me ikjen e mjekëve nuk po përballet vetëm Kosova, Sejdiu tha se shtetet tjera të paktën po angazhohen në zgjidhjen e këtij problemi.

“Ikja e mjekëve nuk është fenomen vetëm tek ne. Është shumë e vërtetë. Me këtë migrim po përballen gati e gjithë Evropa Juglindore. Por është çështja për intervenim të shtetit… Të gjitha shtetet mundohen të sigurojnë shërbime dhe në Kosovë është një pasqyrë tjetër”, deklaroi Sejdiu.

Ai tha se ikja e mjekëve nga shtetet tjera është më e vogël sesa në Kosovë. Kjo duke e krahasuar numrin e përgjithshëm të mjekëve.

Sejdiu më tej tha se ikja e mjekëve në vendet tjera nuk ka shkaktuar probleme të mëdha pasi shërbimet shëndetësore vazhdojnë të jenë të shpejta.

“Për shembull në Kroaci pritjet për një koronarografi është 24 orëshe. Te ne është me javë e me javë, apo me muaj. Në Kroaci koha e pritjes pë një protezë, qoftë të kërdhokullës, qoftë të gjurit është 300 ditë, kurse te ne është deri në tre vjet. Do të thotë, përmirësimi i kushteve e bën ikjen e personelit më të përballueshme. Mbingarkesë mbetë për mjekët që mbesin, por kushtet e punës e amortizojnë këtë ikje”, tha ai.

Sejdiu tha se një fenomen tjetër shqetësues është numri i mjekëve të papunë.

“Ne kemi 650 mjekë papunë, kurse ambulantat nëpër lokalitetet tona janë të mbyllura dhe këta djem e vajza pas diplomimit rrinë në shtëpi dhe shumica prej tyre janë duke shkuar në atë drejtim (largimit nga Kosova). U kemi thënë edhe ministarve paraprakë që së paku të parandalohet ikja për shkak të papunësisë, asnjë hap nuk është ndërmarrë deri tani “, u shpreh Sejdiu. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat