A është Gjukanoviçi dëshmitar i mbrojtjes së Hashim Thaçit nga nëntë ndërkombëtarët!? / Tregimi për demarkacionin

Aktuale

A është Gjukanoviçi dëshmitar i mbrojtjes së Hashim Thaçit nga nëntë ndërkombëtarët!? / Tregimi për demarkacionin

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 8 tetor 2022 Në ora: 20:03
Hashim Thaçi me Milo Gjukanoviçin, dhe një zyrtare

Në dobi të Hashim Thaçit, ish-president i Kosovës, presin të dëshmojnë edhe nëntë të huaj, që mendohet se gëzonin autoritet të lartë apo kishin dhe dikush ende ka detyra të larta shtetërore.

Njoftimi është dhënë nga avokati i mbrojtës i Thaçit, Gregory Kehoe, në një shkresë dërguar Kryeprokurorit të gjykatës speciale në Hagë, Jack Smith.

Pa i përmendur emrat për media, sipas letrës dëshmitarë mbrojtjes për Thaçin pritet të jenë tetë ish-diplomatë, figura ushtarake të NATO-s, të OSBE-së, UNMIK-ut e misione të tjera që kanë veoruar në Kosovë, e në mesin e tyre edhe një zyrtar shumë i lartë i një shteti fqinj.

“Këta 9 dëshmitarë ndërkombëtarë, ishin të gjithë, në periudhën e aktakuzës, diplomatë të lartë ndërkombëtarë, administratorë dhe figura ushtarake që shërbenin në pozita të larta në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO); Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE); Kombet e Bashkuara (OKB); Administrata e Përkohshme e OKB-së në Kosovë (UNMIK); Misioni Monitorues i Kosovës (MVK); Misioni Vëzhgues Diplomatik i Kosovës (MKDK); dhe një zyrtar i lartë qeveritar nga një vend fqinj me Kosovën. Ata kanë bashkëvepruar ngushtë me z. Thaçi, si në nivel profesional ashtu edhe në disa raste edhe personal”, thuhet në shkresën e avokatit Kehoe.

Por, kush mund të jetë zyrtari i shtetit fqinjë, nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria apo Mali i Zi?

Sipas shkrimeve në media, të institucioneve të kërkimeve dhe zyrtar të tyre, qysh në verën e vitit 2020, kur ende nuk ishte arrestuar Hashim Thaçi dhe vazhdonte ta kryente detyrën e presidentit, u raportua se presidenti i Malit të Zi, do të ishte dëshmitar mbrojtës i tij.

Aktakuza ndaj Thaçit tashmë ishte bërë publike dhe ishte çështje kohe arrestimi i tij.

Madje, që në atë raportim, sipas burimeve ndërkombëtare, në të cilat thirrej Instituti Ndërkombëtar për Studime Ballkanike dhe të Lindjes së Afërt (IFIMES) me seli në Lubjanë, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, “së shpejti mund të shkonte në Hagë, si dëshmitar i mbrojtjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit”.

Aktakuza nga prokuroria e gjykatës speciale ishte ngritur me 24 prill të vitit 2020, por ajo u bë publike me dy muaj vonesë, me 24 qershor.

Ishte koha kur Hashim Thaçi, po përpiqej të bënte një marrëveshje përfundimtare me Serbinë me shkëmbim të territoreve, ndërsa ia kishte dalur, që ta rrëzonte qeverinë e koalicionit VV-LDK.

Por, ende nuk dihen motivet e këtij dëshmimi.

Sipas disa interpretimeve ekziston një dyshim se Gjukanoviçi, ishte i përfshirë në bërjen e demarkacionit në mënyrë të gabuar, ku Kosova do të humbte territor mbi 82 km katrorë.

Edhe në demarkacionin me Malin e Zi, protagonist i marrëveshjes së gabueshme ishte Hashim Thaçi, kur ky ishte ministër i Punëve të Jashtme, nga e cila Kosova humbi rreth 0.8% territor.

Hashim Thaçi më vonë u bë protagonist i një përpjekje për shkëmbimin e territoreve me Serbinë ku Kosova do të humbte nga 3-10 % territor.

Është fakt notor, se edhe ish-kryeministri Isa Mustafa e kishte refuzuar kërkesën e kryeministrit të Malit të Zi, aso kohe, bërë në Shkodër, që meqë Kosova nuk po mundet ta tejkalojë atë mosmarrëveshje, të rishikohej ajo.

Qysh në vitin 2017 kisha arritur ta zbuloja, se edhe ish-ministri i PDK-së në qeverinë Mustafa e Haradinaj, e kishin pranuar jo-publikisht se demarkacioni ishte bërë gabim, por sipas atij ministri, që kishte ushtruar presion ndaj dy profesorëve të Komisionit Bulliqi, pavarësisht gabimit, demarkacioni duhej të miratohej ashtu.

“Ish ministra nga Qeveria paraprake, i kanë bërë presion të drejtpërdrejtë Komisionit të ri për demarkacionin, duke i deklaruar tekstualisht: “Ne e dimë që demarkacioni është gabim, por ju pavarësisht rezultateve, në fund do ta mbyllni çështjen sipas versionit të Komisionit Meha! S’keni rrugë tjetër””, pata deklaruar në një emision debutues në Radio Kosovë, siç theksohet në një raport në media.

Sipas analizave të mia, që në atë kohë, kur po dështonte realizimi i Marrëveshjes, dhe të motiveve që Hashim Thaçi kishte për ta shtyrë përpara atë, tashmë si president që me këmbëngulje luftonte ta kryente atë, pata gjetur se ai po motivohej, me interesin e gjetjes së mbështetjes kur të arrestohej, për t’u liruar nga gjykata speciale.

Në vitin 2017 dhe deri në mbylljen e këtij procesi, pak veta ende besonin se Hashim Thaçi do të mund të arrestohej nga gjykata speciale, si i tillë, ky motiv dukej i paqëndrueshëm.

Por, në vitin 2020, me 4 nëntor Hashim Thaçi u arrestua nga gjykata speciale, dhe sot u kuptua zyrtarisht se do të dëshmojë një zyrtar shumë i lartë i një shteti fqinjë.

Gjukanoviçi, i njohur për figurën e tij të korruptuar, që për një çerek shekulli ka qenë në pozitat më të larta shtetërore, mbase mund ta ndihmojë Hashim Thaçin, por nga bashkëveprimi i tyre, dhe të tjerëve, Kosova i humbi 8200 hektarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat