Sekuestrohen rreth 100 objekte të ndërtuara në Brezovicë

Aktuale

Sekuestrohen rreth 100 objekte të ndërtuara në Brezovicë

Më: 11 tetor 2022 Në ora: 10:26 Përditësuar në ora: 14:02 më 11.10.2022
Pamje nga aksioni në Brezovicë

Aksioni në Brezovicë nëpërmjet fotografive, u konfiskuan 100 vila

Me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, sot ka filluar sekuestrimi i rreth 100 objekteve, në rastin e njohur në publik si ‘Brezovica’.

Lajmin e ka konfirmuar prokurori i rastit, Rasim Maloku.

Ai ka bërë të ditur se sekuestrimi i objekteve po bëhet në zonën e dytë të Parkut Kombëtar Sharri.

Dosja Brezovica deri më tani ka dërguar në burg mbi 30 persona përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë përgjegjës për ndërtimin e mbi 500 vilave dhe hoteleve në zonën e mbrojtura të maleve të Sharrit.

Dosja ngrit dyshime për një aferë ku besohet të jenë kërkuar mbi 20 milionë euro mito nga zyrtarë e kompani të ndryshme të ndërtimit.

​Sekuestrohen përkohësisht rreth 100 objekte në Brezovicë

Në Brezovicë janë duke u identifikuar dhe sekuestruar disa vila. Kështu ka bërë të ditur Prokuroria e Themelore në Ferizaj.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë sekuestruar përkohësisht rreth njëqind objekte ndërtimore, të cilat janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë.

“Ferizaj, 11 Tetor 2022– Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe raporteve nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i AMMK-së, lidhur me inspektimin e jashtëzakonshëm të objekteve të ndërtuara në Brezovicë - Zona e II-të, e Parkut Kombëtar “Sharri”, nga këto raporte vërtetohet se në këtë zonë, janë të ndërtuara rreth njëqind (100) objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës. Andaj, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë sekuestruar përkohësisht rreth njëqind (100) objekte ndërtimore, të cilat sipas Prokurorisë, janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e veprave penale të përshkruara më lartë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë së Ferizajit. 

Nis sekuestrimi i disa villave në Brezovicë

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka nisur një aksion që ndërlidhet me rastin e njohur si “Brezovica”.

Ky operacion i sekuestrimit të objekteve është duke e zhvilluar në Brezovicë.

Deri më tani që nga fillimi në rastin “Brezovica” janë arrestuar mbi 30 persona. “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “Marrje e ryshfetit”, “Dhënie e ryshfetit”, “Fajdeja” dhe “Ushtrimi i ndikimit”- janë këto veprat penale, për të cilat po hetohen biznesmenë e zyrtarë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Në aksionin e fundit që ishte zhvilluar para disa ditësh prokurori i rastit, Rasim Maloku kishte thënë se janë rreth 30 të arrestuar, 18 nga ta ndodhën në paraburgim, tre në arrest shtëpiak e disa të tjerë me masa më të buta.

“Është ngritur një aktakuzë për 11 të pandehurit – tre nga ta janë zyrtarë kurse 8 janë investues në zonën e parkut kombëtarë Sharri në Brezovicë. Janë nën hetim dhe 70 të pandehur të ndarë në dy lëndë. Mbi 30 persona te arrestuar-  18 paraburgim 3 në arrest shtëpiak dhe disa me masa me te buta e dita mbrohen në liri. Pra varësisht nga rrezikshmëria se sa e pengojnë hetimet apo mund të arratisen”, kishte thënë Maloku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat