Osmani: Reformat në drejtësi dhe në sundim të rendit e ligjit, janë prioritet i institucioneve të Kosovës

Aktuale

Osmani: Reformat në drejtësi dhe në sundim të rendit e ligjit, janë prioritet i institucioneve të Kosovës

Më: 11 tetor 2022 Në ora: 18:52
Foto nga vendngjarja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, Ulsi Manja, të shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiun.

Në takim me të dy ministrat, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka shënuar përparim të ndjeshëm në procesin e reformave në sundimit e rendit dhe ligjit, thuhet në komunikatë për media.

Ajo tha se reformat në drejtësi dhe në sundim të rendit e ligjit, janë prioritet i institucioneve të Kosovës.

Në këtë kontekst, tha se bashkëpunimi me Shqipërinë është i domosdoshëm, posaçërisht në sferën e mbështetjes me ekspertizë në çështjen e reformave në drejtësi.

Sipas Presidentes Osmani, vetingu është një nga proceset më të rëndësishme për kthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi.

Të dy paraqitën nevojën e përafrimit ndërmjet sistemeve të drejtësisë në funksion të lehtësimit të jetës së qytetarëve të të dy shteteve.

Temë e diskutimit në takim ishte edhe pjesëmarrja e Kosovës në Samitin për Demokraci, të inicuar nga Presidenti Biden, në të cilin Kosova udhëheqë grupin tematik për sundim të ligjit dhe reforma në drejtësi.

Presidentja Osmani ka falënderuar ministrin Manja që Shqipëria ka vendosur t`i bashkohet grupit tematik për sundim të ligjit dhe reforma në drejtësi, të udhëhequr nga Kosova në kuadër të Samitit për Demokraci, thuhet tutje në komunikatë.

Në të njëjtën kohë, të dy bashkëbiseduesit u dakorduan për angazhim të përbashkët për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Poashtu, Presidentja Osmani dhe minstri Manja, shprehën gatishmërinë për ta intensifikuar edhe mëtej bashkëpunimin në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat