Foli për uzurpim të pronave publike, Ministri Peci nën mbrojtje të afërt të policisë

Aktuale

Foli për uzurpim të pronave publike, Ministri Peci nën mbrojtje të afërt të policisë

Më: 12 tetor 2022 Në ora: 21:25
Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci është vënë nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, pasi që të martën ai publikisht denoncoi ndërtimin e 25 villave në Stankaj të Pejës, të cilat sipas tij janë ndërtuar kundërligjshëm në Prona të Institutit Bujqësor të Kosovës.

Po ashtu, ministri Peci e ka denoncuar keqpërdorimin edhe të një objekti të madh në qendër të Prishtinës që më dokumente thotë se i takon dikasterit që ai e drejton por qeranë e merr dikush tjetër.

Lajmin se ministri Peci është nën mbrojtje të afërt të Policisë për median e konfirmoi këshilltarja e ministrit, Flutur Mustafa Pllana.

“Po, Ministri është nën përcjellje të mbrojtjes së afërt. Përcjellja e policisë është reflektim dhe vlerësim i institucioneve përgjegjëse, ndaj seriozitetit të situatës”, tha Mustafa.

Një ditë më parë, ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka denoncuar për dy raste të mëdha që sipas tij janë shumë më skandaloze sesa vërejtjet e marra në vazhdimësi nga Auditori.

Ministri Peci tha se shkatërrues për pronën publike është ndërtimi i rreth 25 vilava, prej tyre një numër i konsiderueshëm ndërtime të vrazhda në Prona të Institutit Bujqësor të Kosovës në Joshanicë të komunës së Pejës respektivisht në Stankaj.

Peci ka thënë se nuk është abuzuar vetëm me subvencione, por edhe në menaxhimin e pronave.

Sipas ministrit Peci, uzurpim dhe tjetërsim i pronës publike të Ministrisë është bërë nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet e thirrura për ta realizuar një gjë të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat