Sulmi final i Dritan Abazoviçit ndaj Milo Gjukanoviçit: Lufta për bastionin e fundit!

Aktuale

Sulmi final i Dritan Abazoviçit ndaj Milo Gjukanoviçit: Lufta për bastionin e fundit!

Më: 13 tetor 2022 Në ora: 16:13
Dritan Abazoviç dhe Milo Gjukanoviç

Dritan Abazoviç ka nisur sulmin final ndaj Milo Gjukanoviçit, pasi presidenti i Malit të Zi e shkarkoi duke bashkuar votat me partinë proserbe të Aleksa Beçiç.

Edhe pse u shkarkua me një mocion votëbesimi, Abazoviç është qetësisht në krye të punëve, pasi Parlamenti i Malit të Zi nuk ka arritur dot që të konkludojë me një shumicë parlamentare.

E kjo është krejt e lexueshme, pasi vetëm 4 votat e URA-s së Dritan Abazoviçit bëjnë atë diferencë që duhet për të arritur një shumicë në parlament.

As Gjukanoviçi e as blloku proserb nuk mund ta bëjnë të vetëm.

E, duke pasur parasysh fuqinë e madhe spefike, duke qenë në qeveri i pashqetësuar, e mbështetur fort nga ndërkombëtarët, Dritan Abazoviç ka nisur sulmin final ndaj Milo Gjukanoviçit.

Dje sapo ka spastruar shërbimin sekret të Malit të Zi, ku ka larguar të gjithë kupolën e vjetër. Për herë të parë në krye të kundërzbulimit është emëruar një oficer shqiptar.

Nga ana tjetër, po dje, Abazoviç në komisionin e Sigurisë së Parlamentit të Malit të Zi, ka akuzuar fort atë që ai e quan mafia e cigareve, dhe ka dorëzuar emrat e rrjetit të kontrabandistëve të lidhur politikën.

Në seancë bëri bujë publikimi i një foto, ku Milo Gjukanoviç ndodhej me anëtarët e Klanit të Shkaljarit, që është grupi më i rrezikshëm i narkotrafikut dhe mafies në Mal të Zi.

Fotoja ishte e viteve 90, të shekullit të shkuar, por efektin e bëri pasi u publikua për herë të parë.

Ndërkaq, Abazoviç ka zbritur në fushë me një ambicje të fortë, duke e sulmuar Gjukanoviçin në zemrën e tij politike- kryeqytetin Podgoricë. I cili është një bastion i gjatë politik i DPS-së, por në votimet e fundit, partia e Gjukanoviç mezi arriti mazhorancën e votave.

Podgorica një nga qytetet e pakta që qeverisen nga DPS, pasi në shumicën e qyteteve të mëdha, Milo e ka humbur drejtimin e komunës. Që nga Kotorri, Budva e deri në Nikshiq.

Abazoviç ka propozuar për kryetar të bashkisë së Podgoricës një politikan të ri, Luka Rakçeviç, i cili paraqitet me një koalicion politik, njëjtë si në Ulqin, ku Ura ka arritur të fitojë komunën pak muaj më parë.

Nëse DPS nuk do të marrë shumicën e këshilltarëve bashkiakë, Abazoviç pret të marrë mbështetjen e pjesës së partive proserbe, të cilat gjithashtu kanë një basen të rëndësishëm votash. E nëse i merr Podgoricën, atëherë Milo humb bastionin më të rëndësishëm, çka e kthen përfundimisht në minorancë në të gjithë vendin.

E kështu rruga për në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm për Dritan Abazoviçin si i vetmi kandidat që mund ta rrëzojë Milo Gjukanoviçin bëhet më e lehtë.

Por deri atëherë rruga nuk do të jetë aq e lehtë. Duke u ndeshur me demin e madh, Dritani deri tani ka treguar një revansh politik e rritje kuotash. A do të ketë sukses? Faktikisht, suksesin e ka arritur të bëhet shqiptari i vetëm në postin e kryeministrit të Malit të Zi, e nëse nxjerr edhe Milon nga politika, atëherë përfundimisht fiton një pozitë që e kurorëzon realisht një “Knjaz Nikollë” të ri. Por duhet pritur…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat