Përtej propagandës: A e ndihmon Kosovën fjalimi i Edi Ramës në Strazburg? Çfarë bëri Baton Haxhiu?

Aktuale

Përtej propagandës: A e ndihmon Kosovën fjalimi i Edi Ramës në Strazburg? Çfarë bëri Baton Haxhiu?

Më: 13 tetor 2022 Në ora: 16:28
Edi Rama dhe Baton Haxhiu

Për të parë nivelin e derexhesë ku ka arritur propaganda pas fjalimit të Edi Ramës në Strasburg, mjafton të lexohet media që menaxhon Baton Haxhiu- njeriu i afërt i kryeministrit.

“Fjalimi që s’do harrohet, foli për të vërtetën pas 11 vjetësh”, apo videoja ku kanë bërë aktor babain 90 vjeç të Hashim Thaçit në Burojë të Drenicës, që është xhiruar live duke ndjekur Ramën nga Strasburgu, janë vetëm disa nga qyfyret e Batonit në media, që duket se është nxënës i propagandës titiste e komuniste, madje më keq se ajo e Enver Hoxhës te ne, ku nganjëherë tregohej edhe më e rafinuar.

Është pikërisht kjo propagandë, apo protagonizmi me ego që është më e gjatë disa herë se vetë Edi Rama, që e prishin edhe ndonjë gjë jo të keqe që mund të bëjë “i gjati” tek ne.

Po vërtetë sa vlerë kishte fjalimi- spektakël i Edi Ramës në Strazburg; a i shërbeu Kosovës aq sa thuhet; a e ka ndihmuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin që të dalin më lehtësisht nga burgu dy-vjeçar i tyre në Hagë?

Duke e nisur nga e dyta; vetë politizimi i procesit ndaj krerëve të UÇK-së, i ka dhënë një armë shumë të fortë Prokurorisë së Gjykatës Speciale, për të përforcuar argumentin e tyre se ka një përpjekje politike për t’i bërë presion gjykatës.

Kush e ka ndjekur, me mend e jo me stomak procesin ndaj Hashim Thaçit, e di se ai ndodhet në burg, pikërisht sepse prokuroria e ka akuzuar se ka marrë vendime, miratuar ligje, apo akte juridike për të penguar Gjykatën Speciale. Pasi edhe pse ata akuzohen për krime të rënda, nëse nuk do të ishte akuza për pengim të drejtësisë, shumë mirë mund të gjykoheshin të lirë, siç ndodhi në të shkuarën me Ramush Haradinajn apo Fatmir Limajn.

Panairi i Vanitetit të shfrenuar të njeriut të Gjatë që nuk do askënd përveç vetes së tij, sipas të gjitha gjasave e ka fundosur më keq Hashimin në Hagë. E ka mundësi që prokurori, fjalën e Ramës, ta marrë si provë të ndërhyrjes politike në Drejtësi, shto këtu edhe vizitën gjithë bujë, por pa asnjë dobi të kryeministrit të Shqipërisë te Hashim Thaçi.

Rama, në fjalën e tij ka shumë të drejtë, por nuk se shpiku aeroplanin, pasi të gjithë e dinë se akuza e Dick Marty-t ka rënë.

Por më shumë se një fjalim kaq me bujë e pompozitet i Ramës në Asamblenë e Përgjithshme të KiE-së, do të bënte dobi një dokument juridik, i qepur me argumente i ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, dokument i cili, pasi t’u ishte shpërndarë të gjithë anëtarëve të Asamblesë Parlamentare, mund të prezantohej në një konferencë për shtyp në Strazburg, me gazetarë nga mediat më prestigjoze të botës. Ku në vend të një ‘kokoroçi’ politik, mund të fliste një jurist, që të përdorte ligjin dhe të drejtën si armë, e jo propagandën dhe fryrjen prej vanitetit.

Ndërkaq, ka një gjë që kërcet shumë në propagandën alla titiste të Batonit, që ka nisur të sulmojë egërsisht Albin Kurtin e Vjosa Osmanit, pse ata nuk e paskan lavdëruar “liderin e pagabushëm” siç ka bërë Abdulla Hoti e Isa Mustafa, që janë telefonuar me vrap nga Batoni i Edit.

Po përse ky Baton nuk sqaron se kjo nismë vanitoze e Edi Ramës, edhe pse nuk është e keqe në thelb, po prishet nga protagonizmi i pa fre i këtij adoleshenti të përjetshëm?

Përse qeveria e Shqipërisë, këtë nismë nuk e koordinoi me qeverinë e Kosovës, e së bashku të dilnin në Strasburg, si një përpjekje e qepur dhe e mirë konsultuar?

Sepse të gjithë e dijnë, se qeveria e Kosovës ka mbi një vit që i lutet qeverisë shqiptare, e cila është anëtare e KIE, që të zyrtarizojë kandidaturën e Kosovës në Këshillin e Europës, e Edi Rama ka refuzuar.

Kryeministri i Shqipërisë nuk ka takuar ende, një skandal i përmasave të rënda- ambasadorin e Kosovës në Tiranë, një diplomat ekselent si Skënder Dyrmishi. Kjo për t’i bërë të ditur çdo zyrtari tjetër se si duhet të sillet me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri.

Asnjë deputet i mazhorancës nuk ka guximin të thotë një fjalë për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në KiE apo në NATO, sepse kështu i ka urdhëruar Rama.

Po atëherë, përse Kosova duhet të mbushë me ditirambe “Enver Hoxhën” e ri të Tiranës, që nuk respekton as institucione e as partnerë, por vetëm hundën e tij që na ka është bërë bajat prej 10 vitesh?

Pra në thelb, shumë mirë që Edi Rama e ngriti dhe e zyrtarizoi me një fjalim në KiE qëndrimin për të rrëzuar raportin e Dick Marty-t, por siç ndodhi, edhe kur e ka mirë Edi Rama nuk ja qëllon. Sepse më shumë se për përmbajtjen, ai kujdeset për formën, për bujën, për budallallëqet që përhap Batoni etj etj.

Pra nuk e ka fajin fjalimi, por Rama. Më mirë t’ja kishte deleguar fjalën e tij Ulsi Manjës. Do të bënte më shumë punë, dhe ndoshta Vjosa Osmani do ta përshëndeste. Se Edi Ramën, Vjosa nuk mund ta lavdërojë, sepse po ja sjell Prishtinës zyrtare në majë të hundës prej 2 vitesh që ka fituar Vetëvendosja. Sa për entuziazmin e opozitës dhe politikanëve që vijnë nga UÇK-ja, duhet ta marrin më shtruar. Të presin deri nesër sa efekt do të ketë ai fjalim, pastaj të flasin…/Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat