​Thaçi dhe të tjerët, dosja do të kaloj te trupi gjykues deri në fund të vitit

Aktuale

​Thaçi dhe të tjerët, dosja do të kaloj te trupi gjykues deri në fund të vitit

Më: 13 tetor 2022 Në ora: 17:42
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi

Shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Angela Griep ka thënë se në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, gjykatësi i procedurës paraprake vëren se janë përmbushur hapa të rëndësishëm procedural për kalimin e dosjes gjyqësore të trupi gjykues në fund të këtij viti.

“Në çështjen Thaçi dhe të tjerët, më 29 shtator Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi. Ai konstatoi se ekziston ende rreziku që i akuzuari të arratiset, pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë krime të tjera. Në vendimin e tij, Gjykatësi i Procedurës Paraprake rikujton afatet që i janë vendosur Prokurorisë dhe Mbrojtjes për të avancuar përgatitjet për gjykim dhe vëren se janë përmbushur hapa të rëndësishëm proceduralë për kalimin e dosjes gjyqësore te trupi gjykues brenda fundit të këtij viti. Bazuar në këtë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake konstatoi se vazhdimi i paraburgimit të z. Thaçi nuk është disproporcional”, tha Griep.

Gjatë informimit javor, ajo ka thënë se më 29 shtator gjykatësi procedurës paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit ndaj Thaçit duke shtuar se gjykatësi “ka konstatuar se ende ekziston rreziku që i akuzuari të arratiset, të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë krime”.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se më 7 tetor Zyra Administrative ka njoftuar se Ministria e Drejtësisë në Kosovë është pajtuar me propozimin për caktimin e një pike kontakti për marrjen e kërkesave të ekipeve të mbrojtjes, për informacion apo ndihmë. Griep ka thënë se Ministria e Drejtësisë i ka dërguar të dhënat e personave për kontakt.

Ndërsa lidhur me çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, zëdhënësja e DhSK-së tha se Paneli i Apelit ka nxjerrë vendim lidhur me kërkesat e ekipeve të mbrojtjes ku pretendojnë se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dorëzuar përgjigje ndaj apelit të tyre në përputhje me Rregulloren.

Ajo tha se Paneli i Apelit nuk u pajtua me këtë pretendim dhe e rrëzoi atë.

Griep ndër të tjera tha se më 7 tetor Zyra e Administrative e ka njoftuar Panelin e apelit se Hysni Gucati e ka paguar gjobën prej 100 eurosh që ishte vendosur si pjesë e dënimit të tij.

Ndërsa për çështjen Pjetër Shala, ajo tha se Trupi Gjykues ka caktuar datat 18,19 dhe 20 tetor për konferencat përgatitore për gjykim, ndërsa 21 tetorin datë rezervë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat