Fillon rishtazi gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Kaçanikut

Aktuale

Fillon rishtazi gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Kaçanikut

Më: 13 tetor 2022 Në ora: 18:09
Xhabir Zharku

Ferizaj- Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për shkak të përbërjes së re të trupit gjykues, të enjten ka filluar rishtazi gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku.

Kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, njoftoi se në vend të gjykatëses Kadrije Goga-Lubishtani, tani anëtare e trupit gjykues do të jetë Mirlinda Bytyqi-Rexhepi.

Pas kësaj, i akuzuari Zharku u deklarua sërish i pafajshëm për veprat penale siç i përshkruan kjo aktakuzë.

Ndërsa, prokurori Rasim Maloku dhe avokatja Albana Kelmendi, deklaruan se mbeten në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë në këtë gjykatë më 28 dhjetor 2021.

Po ashtu, palët në procedurë, kanë propozuar që të konsiderohen të lexuara deklaratat e dëshmitarëve të dëgjuar deri tani, ndërsa propozimin e tillë e ka miratuar gjykatësi Idrizi.

Më pas, është dëgjuar dëshmitari Bashkim Topojani, i cili është pronar i ndërmarrjes NTN “Bardhi”, e që tani mban emrin “BK Group”.

Dëshmitari Topojani në këtë shqyrtim gjyqësor tregoi se për këtë çështje ka dhënë deklaratë vetëm në polici dhe se i përmbahet asaj deklarate.

I njëjti tha se merret me ndërtim të lartë dhe se në kohën e akuzës ka pasur një kontratë me Komunën e Kaçanikut, ku sipas marrëveshjes ka kryer punë me NN “Çlirimtarët”.

“NN Çlirimtarët kanë pas kry disa punime në objektin banesor, por nuk kanë mund me i përfundu, ndërsa unë kam vazhduar punimet, ndërsa për kompenzim të punëve që i kanë kry NN Çlirimtarët në këtë objekt, unë u kam dhënë 9 lokale në këtë objekt”, ka thënë dëshmitari Topojani.

Tutje, dëshmitari Topojani tha se në vitin 2010 e ka padit Komunën e Kaçanikut për t’ia vërtetuar të drejtën e shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë.

Prokurori Maloku e ka pyetur se cila ka qenë baza që i njëjti ta fitojë shfrytëzimin e përhershëm, ndërsa dëshmitari tha se ka ushtruar padi në bazë të kontratës që kishin pasur me komunën dhe në bazë të investimit.

Ndërsa, pronar juridik i kësaj ngastre në atë kohë kishte qenë Komuna e Kaçanikut.

“Me vendimin e Gjykatës Komunale të Kaçanikut më është njohur e drejta e shfrytëzimit të kësaj ngastre, pastaj kam filluar punimet në këtë ngastër, po ashtu unë kam realizuar të gjitha obligimet që kam pas në marrëveshje me NN “Çlirimtarët” dhe Komunën e Kaçanikut”, ka thënë tutje dëshmitari Topojani.

Mbrojtësja e të akuzuarit Zharku, Albana Kelmendi, e ka pyetur dëshmitarin se a ka nxjerrë ndonjë vendim gjykata në lidhje me përqindjen që i takonte Komunës së Kaçanikut, por ai tha se nuk kishte vendim nga komuna në lidhje me këtë.

I akuzuari Zharku e ka pyetur dëshmitarin nëse të njëjtit gjatë mandatit të tij ia kishte kërkuar ndonjë favor, por dëshmitari Topojani tha se nuk i kishte kërkuar.

Tutje gjykatësi Idrizi e ka pyetur dëshmitarin se kur kishte filluar punët në objekt a kishte leje ndërtimi.

Për këtë, dëshmitari Topojani ka sqaruar se lejen për ndërtim e kishte siguruar më vonë.

“Kur unë kam marrë punën nga “NN Çlirimtarët” në ndërtim të objektit, objekti e kishte pëlqimin urbanistik dhe më pas jam marrë me procedurat për t’u furnizuar me leje të ndërtimit, të cilën e kam siguruar më pas”, ka thënë dëshmitari.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 2 dhe 3 nëntor 2022, ku pritet të dëgjohen dëshmitarët sipas radhës.

Zharku ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit, në kohën kur ishte kryetar i Komunës së Kaçanikut.

I pandehuri Xhabir Zharku ngarkohet se në tetor të vitit 2008 dhe në shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës, më 23 tetor 2008 në Kaçanik, si person zyrtar– kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Dhënies Koncesioneve 02/1,-44, kishte marrë vendim me numër 7311/2008, me të cilin kishte lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në ngastrën kadastrale numër 650 zona kadastrale Kaçanik, pronë e komunës, e cila iu ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm NN “Çlirimtarët“, me seli në Kaçanik, sipas të cilës kontratë komuna do të fitonte 20% në vijë vertikale të objekteve banesore, kurse pjesa tjetër e objektit do të ishte pronë në shfrytëzim të përhershëm të NN “Çlirimtarët“, pa i zbatuar procedurat që parashihen sipas Ligjit për Procedurën e Dhënies së Koncesioneve numër 02/1,-44, i cili ka qenë në fuqi.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, par.1 lidhur me par.3 të Kodit Penal.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, më 11 shkurt 2010 në Kaçanik, si person zyrtar– kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Aktakuza thotë se në kundërshtim me nenin 14 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale numër 03/1.-040, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Komunale në Kaçanik, në çështjen civile të paditësit NTN “Bardhi“ nga Kaçaniku me pronar Bashkim Topojanin kundër të paditurës Komuna e Kaçanikut, për vërtetimin e së drejtës të shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë, kishte urdhëruar avokatin publik të Komunës së Kaçanikut, Fitore Krivanjeva – Daci që të mos ushtrojë ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Kaçanik C.nr.246/09, të 29 janarit 2010.

Me këtë aktgjykim, thuhet se paditësit NTN “Bardhi“ nga Kaçaniku me pronar Bashkim Topojanin, iu ka njohur e drejta e shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë e evidentuar si parcela kadastrale numër 650/03, me sipërfaqe 0.30,43 ha, e evidentuar në fletën poseduese numër 86 Komuna Kadastrale Kaçanik, e cila paluajtshmëri ka qenë pronë shoqërore në emër të Komunës së Kaçanikut.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, par.1 lidhur me par.3 të KPRK-së.

Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “Detyrim” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës. Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa më 7 qershor 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati i ekzekutimit të dënimit ndaj tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat