KEK-u shet 150 mijë tonë qymyr për qytetarë e biznese

Aktuale

KEK-u shet 150 mijë tonë qymyr për qytetarë e biznese

Më: 14 tetor 2022 Në ora: 18:08
Ilustrim

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se nga data 20 tetor do të fillojë me procesin e shitjes së qymyrit për qytetarë dhe biznese.

Përmes një njoftimi për media, nga KEK-u kanë bërë të ditur se do të shiten 150 mijë tonë për 60 ditë.

“Korporata Energjetike e Kosovës sh. a. (KEK), duke u bazuar në masat e ndërmarra të aksionarit (Qeverisë) për zbutjen e krizës energjetike dhe duke ju referuar rekomandimit të Komitetit Teknik Emergjent, nga data: 20.10.2022 do të fillojë procesin e shitjes së qymyrit për qytetarë dhe biznese. Për këtë qëllim, KEK ka ndarë një sasi prej rreth 150,000 ton, qymyr në minierën e Sibovcit Jug-Perëndim dhe ky proces është planifikuar te kryhet brenda 60 ditëve kalendarike”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, nga KEK-u kanë bërë të ditur se sasia për një qytetar është e limituar në një kamion për 10 tonësh, teksa thekson se një ton qymyr kushton 15 euro.

“Lidhur me këtë, KEK ju njofton se sasia për qytetar është e limituar në një kamion prej 10 ton. Për më tepër, KEK në bashkërendim me Ministrinë e Ekonomisë ka caktuar çmimi prej 15 € për një ton qymyr me TVSh, pa përfshirë koston e ngarkimit dhe transportit. Procesi i ngarkimit dhe transportit do të kryhet nga një Operator Ekonomik (OE) i përzgjedhur nga KEK dhe nuk mund të kalojë koston e ngarkimit prej 30 € për kamion dhe shumën prej 2.40 € për km për transport”, thuhet më tej në njoftim.

KEK-u ka ftuar të gjithë të interesuarit që të shfrytëzojnë ketë mundësi për furnizim me qymyr për të përballuar më lehtë koston e rritur për ngrohje gjatë sezonit dimëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat