Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës u pritën në Departamentin e Shtetit nga Gabriel Escobar

Aktuale

Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës u pritën në Departamentin e Shtetit nga Gabriel Escobar

Më: 14 tetor 2022 Në ora: 22:04
Pamje nga takimi

I dërguari special i SHBA-ve për dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar, ka pritur sot në Departamentin e Shtetit një delegacion të Luginës së Preshevës, ku ishin Shaip Kamberi – deputet, Nagip Arifi – kryetar i Bujanocit, Ragmi Mustafi – kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa – ish-kryetar i Preshevës.

Në cilësinë e anëtarit ekzekutiv të Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në takim ishte i pranishëm edhe Faton Bislimi, i cili përmes një postimi Facbook, ka njoftuar se me Escobarin diskutuam për problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës tash e disa dekada nga regjimi i Beogradit.

“Amerika do jetë partnere e palëkundur e shqiptarëve kudo e veçanërisht atyre në Luginë të Preshevës. Çështja shqiptare në Luginë nuk do lihet anash nga SHBA-të. Shqiptarët në trojet etnike në Luginë do arrijnë realizimin e kërkesave të tyre të drejta, legjitime e demokratike, në partneritet me miqtë tanë në Washington, DC”, ka shkruar Bislimi.

Ai ka thënë se përmes angazhimit të vazhdueshëm dhe vetëmohues, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane do të vazhdojë që këtë kauzë ta sjellë në tavolinën vendimmarrëse në Washington, DC deri sa të arrihet zgjidhja e kënaqshme për Luginën e Preshevës.

Edhe Shaip Kamberi, deputet nga Lugina në Kuvendin e Serbisë, ka thënë se në takimin Escobar, kanë diskutuar për nevojën e trajtimit të drejtë edhe të kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për nevojën e trajtimit të barabartë dhe reciprok të pakicave përmes standardeve të njëjta si parakusht i një marrëveshjeje të ardhshme për paqen afatgjate në Ballkanin Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat