​Bogujevci: Kosova respekton të drejtat e personave me aftësi të kufizuara

Aktuale

​Bogujevci: Kosova respekton të drejtat e personave me aftësi të kufizuara

Më: 15 tetor 2022 Në ora: 18:01
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, mori sot pjesë në konferencën për shënimin e Javës së Njeriut me Shkop të Bardhë në Prishtinë.

Ajo me këtë rast theksoi se 2022 është shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit, pasi kjo ka qenë edhe njëra ndër kërkesat e rezolutës për personat me aftësi të kufizuar, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në dhjetor 2020.

Sipas saj, Kuvendi është zotuar për përmirësimin e kuadrit kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive për personat me aftësi të kufizuar në Kosovë.

“Personat me aftësi të kufizuar përballen çdo ditë me sfida të llojllojshme, si mungesë të infrastrukturës së përshtatshme, arsimit, punësimit, burimit social e kujdesit të duhur shëndetësor, andaj për ne si institucione nuk do të duhej të mjaftonte vetëm një ditë të flasim për sfidat me të cilat kjo kategori ballafaqohet çdo ditë”, tha Bogujevci.

Ajo tha se Kuvendi si institucion e ka tejkaluar kuotën ligjore për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, duke përmendur se në mesin e rreth 200 shërbyesve civilë, gjashtë prej tyre janë persona me aftësi të kufizuara, shifër kjo që nuk duhet të mjaftojë.

Sa u përket personave të verbër, Bogujevci kumtoi lajmin se Kuvendi tashmë ka publikuar dokumentin kryesor me të cilin funksionon, rregulloren e re të punës, edhe në alfabetin Brail në të dy gjuhët zyrtare, me mbështetjen e OSBE-së.

“Kuvendi ka planifikuar përgatitjen e dokumenteve parlamentare në këtë alfabet, duke zbatuar praktikat globale për përfshirjen sa më të gjerë të të gjithë grupeve të shoqërisë në qasjen në informata, përmes të cilave mundësohet pjesëmarrja aktive në vendimmarrje, e demokracia kuptimësohet kur ka gjithëpërfshirje në vendimmarrje”, tha Bogujevci.

Daut Tishuki, kryetar i Shoqatës e të Verbërve të Kosovës foli për rëndësinë e Javës së Shkopit të Bardhë dhe për situatën aktuale të personave të verbër në Kosovë.

Nga një fjalë rasti mbajtën Loana Lachana, nga EULEX-i, Kilian Wahl, zëvendës-shef i misionit të OSBE-së në Kosovë, Bujar Kadriu, kryetar i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar dhe të ftuar të tjerë.

Ndryshe, 15 Tetori njihet në të gjithë botën si Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë, e cila simbolizon përpjekjet e personave të verbër për përmirësimin e standardit të të drejtave të tyre.

Kjo ditë daton në vitin 1964, kur presidenti amerikan Lindon S. Jonson nënshkroi deklaratën e cila sanksiononte të drejtën e personave të verbër për të qenë të barabartë dhe të gjithëpërfshirë në shoqëri dhe masat që institucionet përgjegjëse duhet të merrnin për të lehtësuar dhe respektuar kërkesat e këtij komuniteti.

Problematika të tilla si qasja në informim, arsimi i integruar, punësimi, gjithëpërfshirja në aktivitete kulturore e sportive, krijimi i kushteve për lëvizjen autonome të personave të verbër në rrugë e kudo, janë ende të brishta në shoqërinë tonë.

Qëllimi i këtyre aktiviteteve është promovimi i kapaciteteve, talentit dhe pasionit të këtyre individëve të cilët mund të arrijnë nivele të krahasueshme me artistët e tjerë falë përpjekjeve dhe punës së tyre të vazhdueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat