Këshilli i Prindërve: Mësimi nuk mbahet me zor

Aktuale

Këshilli i Prindërve: Mësimi nuk mbahet me zor

Më: 15 tetor 2022 Në ora: 18:59
Ilustrim

Këshilli i Prindërve i Kosovës vazhdon të mbrojë qëndrimin se orët e humbura gjatë grevës së mësimdhënësve në muajin shtator nuk duhet të kompensohen me mësim të shtunave.

Për mbajtjen e mësimit ditën e shtunë, sipas kalendarit shkollor të hartuar nga Ministria e Arsimit, për kompensimin e orëve të humbura, ka reaguar Këshilli i Prindërve, duke thënë se “ka pasur tentim për njollosje të KP të Kosovës sikur deklarimet janë politike e të pambështetura nga prindërit për mos mbajtjen e mësimit të shtunave”.

”Besojmë se sot kjo është vërtetuar (kush dëshiron të shoh e kuptoj drejt) që qëndrimet tona të deklaruara e konsistentë janë vullneti legjitim i prindërve, i bazuar në të drejtën e nevojën e fëmijëve për të drejta, për pushim dhe aktivitet jashtëshkollor”, thuhet në reagimin e Këshillit të Prindërve.

Më tej në reagim thuhet se “neve, prindërve, na kanë mbështetur për muri vendimet arbitrare dhe mohuese të të drejtave të fëmijëve vazhdimisht (edhe nga institucionet) andaj zëri ynë duhet të jetë sa i fuqishëm e masiv, aq edhe legjitim, i arsyeshëm, i urtë e i bazuar”.

“Mësimi nuk bëhet me zor! Kjo nuk po kuptohet drejt! Mësimi të shtunave është gabim e ai do të refuzohet arsyeshëm! Një veprim civil, dinjitoz, i paanshëm e shumë i drejtë i mbrojtjes së fëmijëve u bë sot!”, thuhet në reagimin e Këshillit të Prindërve.

Ndryshe, shumica e nxënësve, sidomos në Prishtinë, sot nuk kanë shkuar në shkolla, duke respektuar kështu rekomandimet e Këshillit të Prindërve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat