Mungon njëri i akuzuar, shtyhet gjykimi për shpëlarje parash

Aktuale

Mungon njëri i akuzuar, shtyhet gjykimi për shpëlarje parash

Më: 17 tetor 2022 Në ora: 10:46
Foto nga vendi i ngjarjes

Në mungesë të të akuzuarit B.T, shtë shtyrë seanca e së hënës, në rastin ku ai bashkë me Q.T., A.T. dhe J.T po akuzohen për shpëlarje parash.

Në fillim të kësaj seance, gjyqtari Vesel Ismaili njoftoi se ka një ndryshim të trupit gjykues nga hera kaluar, ashtu që në vend të gjyqtares Valbona Musliu-Selimaj, është gjyqtarja Suzana Çerkini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari Ismaili tha se më 13 tetor 2022, kishte pranuar një parashtresë nga mbrojtësi i të akuzuarit B.T., avokati Ramiz Krasniqi, në të cilën thuhej se i mborjturi i tij është operuar jashtë vendit dhe nuk mund të jetë prezent.

“Më 13 tetor 2022 kemi pranuar një shkresë nga mbrojtësi i të akuzuarit B.T., avokati Ramiz Krasniqi se i njëjti është operuar në shtetin e Holandës dhe për shkak të operimit të tij nuk ka mundur të vijë”, tha i njëjti.

Në këto rrethana, seanca u shty në kohë të pacaktuar.

Ndryshe e pranishme ishte mbrojtësja e të akuzuarës A.T., avokatja Sadije Mjekiqi, ndërsa nuk ishin të pranishëm prokurori, si dhe të akuzuarit Q.T., A.T. dhe J.T.

Ndryshe, sipas aktakuzës, B.T gjatë periudhës kohore 2010-2018, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme, duke bashkëvepruar me shtetasin holandez J.G, me qëllim të fshehjes apo të maskimit të natyrës, burimit, vendit dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së përfituar me aktivitete kriminale nga shtetasi holandez J.G, aktivitet ky që ishte i ndërlidhur me vepra të ndryshme penale (droga të forta të ndryshme, mashtrim, tentim vrasje e kryer disa herë, vrasje dhe vrasje pa dashje, armë dhe municion si dhe shkelje pronash, shkelje trashëgimie) me qëllim që pasuria e kundërligjshme të duket si e ligjshme, ka bashkëpunuar me të pandehurit tjerë.

Në aktakuzë thuhet se B.T fillimisht i ka udhëzuar të hapin llogari bankare, të regjistrojnë firma në emër të tyre si të veprojnë me shuma të mëdha, pastaj së bashku me shtetasin holandez kanë hapur firmën “J&B” sh.p.k gjoja se për ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, firmë kjo e cila nuk ka ushtruar asnjë aktivitet ekonomik, por me qëllim të fshehjes apo të maskimit të pasurisë së përfituar me aktivitet kriminal, ka realizuar transaksione bankare dhe atë në hyrje të shumave prej 706,887.00 euro dhe dalje në shumë prej 671,975.81 euro.

Sipas aktakuzës, këto transaksione janë realizuar në emër të Q.T, motrës së të pandehurit B.T, sipas sugjerimeve të pandehurit B.T, pastaj me mjetet materiale që janë fituar me vepër penale, apo duke besuar se kjo pasuri është fituar nga ndonjë formë e aktivitetit kriminal, ka bërë pagesën për banesën e cila gjendet në Prishtinë, në shumën prej 22,000 euro.

Tutje, në aktakuzë thuhet se e pandehura Q.A në të njëjtën periudhë kohore ka hapur llogari në “TEB Bank”, “ProCredit Bank”, “Raiffesisen”, pastaj e ka regjistruar firmën fiktive N.T.P “Valoni Sport” në emër të saj dhe nga shtetasi holandez ka pranuar shuma të ndryshme parash nga Turqia dhe Holanda edhe në llogarinë e saj private edhe në llogarinë e firmës.

Sipas aktakuzës e pandehura Q.A, sipas sugjerimeve të të pandehurit B.T, me përshkrimin e “hulumtimit të tregut” gjoja për qëllim të investimit në ndërtimtari, përsëri këtë shumë të mjeteve materiale e ka transferuar në llogari të ndryshme te shtetasit holandez J.G. në Holandë, Turqi, Belgjikë, Spanjë e Gjibraltar, me përshkrimin kthimi i huazimit, blerja e aksioneve etj. Ato shuma thuhet se janë përdorur me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës së burimit të cilat arrijnë vlerën deri në 1,060,000.00 euro, ndërsa Q.A nga kjo shumë ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme 71,880.00 euro, të cilat mjete nuk i ka transferuar por i ka mbajtur në llogarinë e saj.

E pandehura A.T në periudhën e njëjtë kohore ka bashkëvepruar me të pandehurit në atë mënyrë që fillimisht ka hapur llogari bankare në “TEB Bank” dhe “ProCredit Bank”, pastaj ka regjistruar firmën fiktive AB “Ndërtimtari” dhe e njëjta ka pranuar shuma të ndryshme nga shtetasi holandez, e cila po ashtu prapë i ka transferuar në llogaritë e ndryshme të shtetasit holandez.

Tutje në aktakuzë thuhet se e pandehura A.T. ka transferuar para në vlerën deri në 1,444,970.00 euro, ndërsa nga kjo shumë ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 55,420.00 euro, të cilat mjete nuk i ka transferuar por i ka mbajtur në llogarinë e saj.

Ndërsa në aktakuzë thuhet se i pandehuri J.T ka bashkëpunuar me të pandehurit (fëmijët e tij), ashtu që duke e ditur se kjo pasuri është fituar nga ndonjë formë e aktivitetit kriminal, pra me paratë e përfituara nga ky aktivitet, ka bërë pagesën e dy banesave në Prishtinë.

Aty thuhet se në mënyrë që këto para të duken si të ligjshme, fillimisht janë transferuar në llogarinë e të pandehurit J.T, ndërsa më 28 prill 2017, me qëllim që këto para të kundërligjshme te duken si të ligjshme, shumën prej 50,000.00 euro e ka transferuar tek llogaria bankare e shtetasit holandez, për tu bërë pagesa e dy banesave.

Me këtë të pandehurit në vazhdimësi, në bashkëveprim, thuhet se kanë kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Ligjit 05/L96 neni 56, paragrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat