Sveçla: Duhet bashkëpunim për të luftuar terrorizmin

Aktuale

Sveçla: Duhet bashkëpunim për të luftuar terrorizmin

Më: 17 tetor 2022 Në ora: 16:58
Foto ilustrim

Terrorizimi është kërcënim global dhe nuk mund të parandalohet dhe luftohet vetëm. Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njëherit edhe koordinator Nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit.

Sveçla këto komente i ka bërë në hapjen e punëtorisë për hartimin e Planit të Veprimit të Strategjisë për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizimit, që u organizua së bashku me misionin e OSBE-së.

“Në këtë drejtim institucionet e Kosovës, duhet të ndërmarrin veprime për rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, me theks të veçantë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Prandaj Kosovës do të vazhdojë të jetë pjesë aktive në luftën globale kundër terrorizmit dhe financimit të tij, përmes bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë me partnerët dhe mekanizmat ndërkombëtarë”, ka deklaruar Sveçla.

Ndërsa në anën tjetër, ambasadori i OSBE-së, Michael Davenport ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet MPB-së dhe OSBE-së sidomos në fushën e luftimit dhe parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit, duke theksuar se  “Republika e Kosovës është ndër vendet e para  e cila e ka sanksionuar me ligj pjesëmarrjen e qytetarëve të sajnë luftëra të huaja”.

Ambasadori Davenport theksoi se OSBE do të mbështesë edhe në të ardhmen aktivitetet që dalin nga kjo strategji.

Sipas një njoftimi lëshuar nga MPB, ministri Sveçla ka thënë ofrimi i një ambienti të sigurt, përmes sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, është ndër prioritetet kryesore të Kosovës. 

Gjithashtu ministri Sveçla theksoi se sa i përket angazhimit në raport me përfshirjen e qytetarëve kosovarë në konflikte të huaja përkrah organizatave terroriste, Kosova ka qenë e suksesshëm në kthimin e tyre.

Përveç ekstremizmit me motive fetare, ministri Sveçla ka përmend edhe format e tjera të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, përfshirë këtu të djathtën ekstreme apo etno-nacionalizmin.

“Në rastin më konkret, deklaratat e liderëve të së djathtës ekstreme në Serbi janë ato që Serbia i synon në vazhdimësi në raport me Kosovën. Këta liderë janë shfaqur jo rrallë herë në takime e mbledhje në veri të vendit tonë duke influencuar dhe cytur grupe ekstreme e të dhunshme, për më keq, të gjithë i kemi parë aktet terroriste të grupeve kriminale serbe ndaj zyrtarëve tanë policor dhe ndaj qytetarëve e pronave të tyre”, ka thënë Sveçla.

Në këtë drejtim, ai ka kërkuar bashkëpunim në luftimin e ekstremizmit e terrorizmit, por në veçanti ka kërkuar vëmendjen në ideologjitë ekstremiste serbe “që synojnë të infiltrohen në veri të Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat