Vulini sërish kërkon luftë / Perëndimi duhet ta godasë këtë aleat të Rusisë

Aktuale

Vulini sërish kërkon luftë / Perëndimi duhet ta godasë këtë aleat të Rusisë

Nga: Idriz Morina Më: 17 tetor 2022 Në ora: 21:01
KFOR-i gjatë stërvitjeve në Kosovë edhe me helikopterë

Detyrat e marra drejtpërdrejt nga Putini, ministri i Brendshëm i Serbisë Aleksandër Vulin, vazhdon t’i paraqesë hapur.

Sapo është kthyer nga Rusia, ku ka takuar njerëzit më të afërt të Putinit, dhe menjëherë ka kërkuar publikisht, para opinionit që Serbia ta vendosë kufirin në Ibër.

Pra, ndërsa presidenti i Serbisë Vuçiq bën thirrje për zbatim marrëveshjesh të nënshkruara në Bruksel, dhe madje duke u treguar se kinse ‘ndodhet’ nën presionin Perëndimor, një nga njerëzit e tij më të besuar, gjithashtu bashkëpunëtor i Kremlinit, Aleksandër Vulin, bën thirrje të hapur për luftë me Kosovën.

Dhe lufta ndaj kujt do të bëhej?!

Është e qartë për të gjithë se kërcënimet për të vendosur një kufi të ri me Kosovën, nuk janë retorikë. Një kufi i ri, do të thotë një luftë e re. Një luftë jo vetëm me shqiptarët, sepse NATO-ja është këtu, përveç pak misioneve jashtë saj, do të ishte një luftë me Perëndimin, dhe për t’u ballafaquar me të, ai bazohet në ndihmën ruse, në marrëveshjet sekrete të nënshkruara në Moskë.

Por, çfarë po tregon kjo?

Për ta kuptuar më saktë intencën e Vulinit dhe të gjithë shtetit serb, duhet ta lexojmë në kontekst të deklarimit të shërbimit inteligjent gjerman për qëllimet e Rusisë dhe Putinit me luftën në Ukrainë. Edhe pse në fund mund të vendosë ndryshe shteti serb, ata këtë do ta bëjnë vetëm për shkak se e shohin qartazi humbjen e Rusisë, dhe nuk duan që në fund të jenë të humbur edhe ata.

Sipas shërbimit inteligjent gjerman, Rusia dhe Putini, nuk e kishin në mendjen e tyre thjesht luftën kundër Ukrainës, pushtimin e saj.

Qëllimi i vërtetë sipas këtij shërbimi është lufta e vërtetë, por e pa shpallur, nga Kremlini kundër demokracisë perëndimore.

Mediat perëndimore, e citojnë shefin e inteligjencës gjermane, Bruno Kahl, që ka deklaruar, “se e ka konsideruar luftën e Rusisë në Ukrainë si “shpallje e luftës” kundër gjithë botës demokratike perëndimore”.

Image
Ushtria e Kosovë e përforcuar me autoblinda amerikane

Këtë tezë e kemi pas shtruar që në fillim të konfliktit, duke u bazuar në teorinë për kulturën ruse të semiologut estonez Jurij Lotman (1922-1993), i cili e shpjegon shkoqur dallimin e qytetërimit perëndimor dhe atij rus, duke e cilësuar të një shkalle më të ulët të përparimit kulturor e demokratik, si një kulturë binare.

Duke u bazuar edhe në intencën politike të Rusisë, dhe të tezave që ka proklamuar Putini, e kemi parë një përpjekje të hapur të Kremlinit, jo vetëm për ta sfiduar qytetërimin perëndimor, por edhe për t’ia imponuar një rrjedhë tjetër, atë ruse, dhe përgjithësisht lindore, shtrat mbi të cilin fle edhe kultura kineze.

Duke besuar thellësisht në përvojën e tij personale dhe të pushteteve ruse, të kërcënimit të Perëndimit me përdorimin e armëve bërthamore, ka besuar se sukseset e tij në luftë do të jenë të padiskutueshme. Me rezultate të tilla, pas pushtimit të Ukrainës, ka besuar ai dhe Kremlini në imponimin e një rendi të ri botëror, duke e zhvendosur apo thyer boshtin perëndimor, transatlantik.

Pra, tashmë është e padiskutueshme edhe për europianët, se në qendër të projektit për luftën në Ukrainë, ishte arritja e përkuljes së Perëndimit, ndërsa disa shtete tashmë vështirë se do të mund të ekzistonin, si vendet baltike, dhe ndonjë tjetër i dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Këto informacione të bëra publike, jo vetëm që e rrisin apo shtojnë unitetin perëndimor, por duhet ta kenë të qartë se është koha, që lufta me Rusinë, ballafaqimi në Ukrainë, të mos përfundojë aty, deri në nënshtrimin e Kremlinit, që të thyhet përfundimisht kultura binare-revolucionare ruse, dhe që kultura trenare perëndimore të ngadhënjejë.

Që të jemi më të qartë, pavarësisht të metave të kësaj kulture, pikërisht falë kësaj, Kosova është çliruar nga Perëndimi, i cili çështjen e Kosovës e qendërzoi në sistemin e tij, deri në zgjidhjen e tij. Teorikisht shpjegohen edhe pasojat tjera, por ngadhënjimi i tij është jo vetëm i paharrueshëm për ne, por qenësor.

Thirrjet për luftë me Perëndimin

Pra, ne duhet ta kemi të qartë se shqiptarët duhet që të jenë të vetëdijshëm për rrezikun ruso-serb.

Në kontekstin e mësipërm, tashmë është e qartë, dhe këtë tashmë duhet ta shfrytëzojë më hapur dhe më botërisht, pra diplomacia e Kosovës, pa ngurrim, se Serbia ishte dhe ende është pjesë e strategjisë së Kremlinit për të shkatërruar rezultatet e demokracisë perëndimore.

Pra, Serbia, nuk është peng i miqësisë me Rusinë si thuhet, por është peng i marrëveshjeve të saja të fshehta, i projektit antiperëndimor! Pra, përveç se ishte dhe është pjesë e marrëveshjeve antishqiptare, antiKosovë dhe antiBosnjes, Serbia është pjesë e projektit antiperëndimor, të nisur në Ukrainë!

Vetë thirrjet publike të Vulinit, për ta vendosur kufirin në Ibër, në lumin që ndan Mitrovicën, janë thirrje të hapura për luftë me Perëndimin. Gjithnjë duke llogaritur Vulini dhe Serbia në përkrahjen e Rusisë, pavarësisht skenarit, se si mund të rrjedhë.

Po ashtu ai ka bërë thirrje të qarta, që Serbia nuk duhet të kërkojë fare integrimin europian, BE-në, që realisht është shfaqje, më shumë se thirrje, që ajo të integrohet me Rusinë, projektet e saja!

Këto mesazhe duhet të nxirren nga diplomacia jonë, dhe t’i kundërvihen politikave mashtruese të Serbisë. Gjithashtu Perëndimi nuk duhet ta kursejë një aleat të Rusisë, me të cilin ajo donte ta godiste një pjesë të projekteve euro-atlantike.

Image
Njësia speciale e Kosovës e gatshme për veprim në veri e Ibër

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat