Prokurori i rastit të Shalës: Kemi vendosur që të heqim disa dëshmitarë

Aktuale

Prokurori i rastit të Shalës: Kemi vendosur që të heqim disa dëshmitarë

Më: 18 tetor 2022 Në ora: 10:48
Prokurori i rastit të Pjetër Shalës

Në Gjykatën Speciale në Hagë po mbahet konferenca përgatitore për gjykimin në rastin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, i njohur si komandant “Ujku”.

Prokurori i rastit, ka thënë që kanë vendosur që t’i heqin disa dëshmitarë në këtë çështje.

“Çështja e prokurorisë nuk ka ndryshuar. Ne kemi vendosur që të heqim disa dëshmitarë, gjë e cila është tërësisht normale në momentin kur shkon në gjykim, në mënyrë të tillë që ta kemi më të përqendruar çështjen. Sa i takon dokumenteve të reja që i kemi shtuar, mendoj që ndoshta avokati i referohet kërkesës për të ndryshuar listën e dokumenteve”.

“Këto janë të vetmet dokumente të cilat ne i kemi shtuar në prezantimin e çështjes tonë. Dy dokumente, kanë të bëjnë me statusin e dëshmitarit në fund të korrikut. Prokurori, gjithashtu shpjegon që ndoshta nuk synon që t’i përdorë këto dokumente në gjykim, megjithatë ka vendosur që t’i përfshijë këto dokumente, për të qenë sa më përfshirës në dokumentet që i jep mbrojtjes”, tha tutje ai.

Ndryshe ish-komandanti i UÇK-së u arrestua më 16 mars 2021, në Belgjikë. Aktakuza ndaj tij është konfirmuar më 12 qershor 2020. Ai ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Në parashtresat e mbrojtjes për konferencat për përgatitje për gjykim në rastin e Pjetër Shalës, thuhet se ende nuk kanë marrë gjithë materialet nga Prokuroria, derisa shtojnë se presin të jenë gati për gjykim në janar të vitit 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat