“Vuçiq po përgatit agresion, njëjtë si Putini!”/ Donika Gërvalla alarmon Këshillin e Sigurimit - ka një thirrje urgjente

Aktuale

“Vuçiq po përgatit agresion, njëjtë si Putini!”/ Donika Gërvalla alarmon Këshillin e Sigurimit - ka një thirrje urgjente

Më: 18 tetor 2022 Në ora: 22:04 Përditësuar në ora: 06:10 më 19.10.2022
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla

Përfaqësuesi i Shqipërisë: Kosova mbështeti Ukrainën, dënojmë sulmet ndaj autoriteteve në veri

Shqipëria përgëzoi Kosovën për të arriturat në gjashtëmujorin e fundit të paraqitura në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, mirëpo përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, u shpreh i habitur me faktin që në raport nuk përmendet që Kosova i është bashkuar dënimit të agresionit rus në Ukrainë si dhe ka pritur refugjatët afganë.

Hoxha tha se Kosova ka dëshmuar se është një shtet demokratike i gatshëm për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Hoxha: E habitshme që nuk përmendet dënimi i agresionit rus

“Na duket e habitshme që lufta në Ukrainë dhe ndikimi i saj i shumanshëm nuk përmendet në raport, duke përfshirë dënimin e qartë të agresionit nga Kosova dhe dëshmi të tjera të përkushtimit të tij të fortë ndaj ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut. Ne përshëndesim përafrimin e saj me politikën e jashtme të BE-së, duke përfshirë sanksionet dhe bujarinë në pritjen e refugjatëve dhe personave të zhvendosur nga Ukraina, ashtu siç kanë bërë edhe me refugjatët nga Afganistani. Përpjekjet e vazhdueshme për të luftuar korrupsionin dhe për zbatimin e sundimit të ligjit në Kosovë meritojnë njohjen e duhur, dhe me të drejtë, kjo tregon vendosmërinë e qeverisë për të ndërtuar një vend për qytetarët, nga qytetarët”, deklaroi Hoxha.

Hoxha tha se Shqipëria mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ndërsa shtoi se presin që udhërrëfyesi për marrëveshjen energjetike, si dhe çështja e targave të zbatohet sa më shpejt.

Hoxha: Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka mbështetjen tonë të plotë dhe të pa rezervë dhe u bëjmë thirrje palëve ta përshpejtojnë atë. Ne mirëpresim takimin e fundit në Bruksel, duke rivendosur kontaktet e nivelit të lartë mes palëve, të cilat i çuan në një marrëveshje për lirinë e lëvizjes. Ne presim që edhe udhërrëfyesi për marrëveshjen energjetike, si dhe çështja e targave të zbatohet sa më shpejt. Ato kanë një ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët, por janë gjithashtu hapa të rëndësishëm për rritjen e besimit në trajtimin e çështjes thelbësore, një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve që çon në njohje reciproke”, vijoi Hoxha.

Shqipëria vlerësoi lart rolin shumë aktiv të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Miroslav Lajcak, të të dërguarit special të SHBA-së Gabriel Escobar, si dhe përfshirjen e këshilltarëve të politikës së jashtme dhe të sigurisë të presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman në dialog.

Sipas Hoxhës, kjo është një mbështetje mbresëlënëse e nivelit të lartë e cila nuk mund dhe nuk duhet të shpërdorohet, por duhet të shërbejë si një katalizator për të përshpejtuar bisedimet mbi çështjet thelbësore duke bërë histori dhe duke ndryshuar Ballkanin Perëndimor një herë e përgjithmonë.

Hoxha deklaroi se Shqipëria mbështet Qeverinë e Kosovës në përpjekjet për të ushtruar autoritetin në të gjithë territorin ndërsa dënoi sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Hoxha: Dënojmë sulmet ndaj Policisë së Kosovës

“Shteti i së drejtës është themelor për çdo shoqëri. Ne mbështesim qeverinë në përpjekjet e saj për të ushtruar autoritetin e saj të ligjshëm në të gjithë territorin e saj. Askush nuk duhet të lejohet të mos respektojë ligjin, të krijojë tensione dhe të nxisë dhunë. Në këtë aspekt, ne dënojmë fuqishëm sulmet e njëpasnjëshme kundër Policisë së Kosovës në prill në dy komuna”, tha Hoxha.

Shqipëria iu bashkëngjit kërkesës së Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke i kërkuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së që t’i jap fund misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

Iu referua në OKB vetëm me mbiemrin Schwarz, ministrja ia përmend ministrit serb historinë e babit, Jusuf Gërvalla

Kryediplomatja Donika Gërvalla –Schwarz, i ka reaguar sonte në Këshillin e Sigurimit, homologut të saj serb, Nikola Selakoviq, për mënyrën se si ai i referohej me mbiemrin e bashkëshortit, por jo të vajzërisë.

Sipas saj për këtë që bënte Selakoviq, ka një sërë arsyesh, të cilat i listoi para të pranishmëve.

”Nuk dua t’ju mërzis me këto sulmet personale, por nuk munda ta kaloj këtë gjë. Z. Selakoviq nuk arrin të më thërras në mbiemër, që nuk është Schwarz, ky është i burrit tim. 

Mbiemri im është Gërvalla dhe ka një arsye pse Selakoviq nuk mund të më thërras sipas këtij mbiemri. Ky është mbiemri i babait tim të cilin Beogradi e ka dëbuar në Gjermani. Ka qenë shkrimtar, gazetar, muzikant dhe është vrarë nga shërbimi i sigurimit serb”, është shprehur Gërvalla.

SHBA dhe Britania e Madhe përsëri kërkojnë përfundimin e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë

Raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për situatën në Kosovë po diskutohet në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Përfaqësuesi i SHBA në Këshillin e Sigurimit ka kërkuar që të reduktohet edhe më tej deri në mbyllje misioni i UNMIK-ut në Kosovë.

Ai thotë se autoritetet e Kosovës janë në gjendje të mbajnë nën kontroll situatën.

“Propozojmë që edhe raportimi për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të mos mbahet çdo gjashtë muaj”, ka thënë përfaqësuesi amerikan.

Njëjtë ka kërkuar edhe përfaqësuesi i Britanisë së Madhe.

Ai ka kërkuar largimin e UNMIK-ut nga Kosova pasi sipas tij situata në terren ka ndryshuar.

Përfaqësuesi i Britanisë ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është jetik.

“Nga normalizimi do të përfitonin të dyja palët. Dialogu për targat dhe letërnjoftimet nuk duhet të jetë shkasë për të rrëshqitur në destabilitet”, deklaroi tutje përfaqësuesi i Britanisë në OKB.

Përfaqësuesi rus përdorë fjalë të rënda ndaj Gërvallës në Këshill të Sigurimit

Përfaqësuesi rus Vasily Nebenzya ka përdorur fjalor të papranueshme dhe jodiplomatike ndaj Ministres së Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla Shëarz.

“E këshilloj zonjën Gërvalla që të mos filozofojë e të mos bëjë analiza gjeopolitike por të merret situatën në Kosovë” ka thënë Nebenzya.

Ai tutje ka folur për spastrim të serbëve në Kosovë duke përmendur që tash s’ka më shumë se 100 serbë në Prishtinë, ndërsa ka përmendur Veriun si rajon ku serbët janë shumicë.

Gërvalla: Vuçiq po përgatit agresion, njëjtë si Putini

Kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla – Schwarz, ka alarmuar sonte Këshillin e Sigurimit në OKB, se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, po përgatit agresion njëjtë sikurse homologu i tij rus, Vladimir Putin.

Për këtë madje ministrja e Jashtme e Kosovës, tha se Serbia e ka bërë veten aset të Rusisë, referuar zhvillimeve në rajon, përfshirë dhe agresionin rus mbi Ukrainën.

”Aleksandar Vuçiq po përgatit agresion, politikisht dhe ideologjikisht, njëjtë sikurse Vladimir Putin. I bëj thirrje urgjente Këshillit të Sigurimit”.

”Ai [Aleksandar Vuçiq] madje nuk turpërohet as për gënjeshtrat e tij”.

”Serbia e ka bërë vetveten, aset të Rusisë”.

”Megjithatë fatmirisht situata në Ballkan dhe në Kosovë është më e mirë sesa nga ajo e viteve ’99-të”.

Gërvalla në Këshillin e Sigurimit ia përmend Vuçiqit të kaluarën e errët dhe kërcënimet ndaj Kosovës

Gjatë fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, shpalosi të arriturat dhe vështirësitë me të cilat përballet Kosova, duke theksuar se shteti ynë ka bërë progres të dukshëm në çështjen e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përparime të tjera.

Ajo po ashtu u shpreh që ka arsye të jetë optimiste se Kosova do të jetë anëtare e radhës e Këshillit të Evropës dhe se këtë vit do të aplikojnë për anëtarësim në BE.

Gërvalla po ashtu adresoi kritika ndaj Serbisë dhe presidentit Vuçiq, duke përmendur këtu faktin e reagimeve të tij pas vendosjes së reciprocitetit nga ana e Kosovës për letërnjoftime dhe çështjen e targave.

Më 2011 Serbia është pajtuar për lirinë e qarkullimit, por ajo e vazhdoi edhe për 10 vjet duke mos i njohur dokumentet tona dhe na detyroi për ta marr vendimin e reciprocitetit. Ky nuk ishte agresion”.

“Kur Kosova tregoi që do të fillojë reciprocitetin me Serbinë për letërnjoftime, Vuçiq kërcënoi me dhunë. Kërcënimi për stabilitet erdhi nga njëra anë, pra nga Serbia. Kosova vetëm ka insistuar që Serbia t’i qëndrojë marrëveshjes që e ka nënshkruar. Kosova nuk e ka kërcënuar askënd”.

Ministrja Gërvalla po ashtu e përmendi faktin se Vuçiq ishte ministër i propagandës i Sllobodan Millosheviqit gjatë gjenocidit serb në Kosovë dhe se për këtë ai nuk ka kërkuar falje asnjëherë dhe vetëm ka vazhduar t’i përkrahë krimet serbe.

Ajo po ashtu kujtoi fjalë për fjalë edhe deklaratën e famshme të tashmë presidentit serb gjatë vitit 1995, ku në parlament kishte thënë se “për secilin serb të vrarë ne do t’i vrasim 100 myslimanë”.

“Ky është kërcënim ndaj paqes”, thaeksoi mes tjerash Gervalla.

Selakoviq flet për Vuçiqin në Këshill të Sigurimit, Gërvalla ia kujton Bosnjën dhe krimet në Kosovë

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB’së, ku po diskutohet raporti i UNMIK , shefi i diplomacisë serbe Nikola Selakoviq ka  përmendur presidentin serb Aleksandar Vuçiq duke e cituar fjalinë e tij që e tha pas zhvillimeve në pjesën veriore të Kosvës “më mirë 100 vjet negociata se 1 ditë luftë”. 

Por, kur ka marrë fjalën kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla- Shwarz, ka rikujtuar se Vuçiq ka qenë ministër i propagandës në kohën e Slobodan Millosheviq. 

Gërvalla tha se një homolog i saj, pa i përmendur emrin, është habitur që Vuçiq ka pasur këtë funksion dhe nuk ka kërkuar falje për krimet në Kosovë.

Ministri serb në OKB hedh akuza ndaj Kosovës: Po vë zjarr mbi të gjitha

Shefi i diplomacisë serbe, Nikolla Selakoviq, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po ndërmerr veprime të njëanshme dhe të rrezikshme, që sipas tij po e pengojnë pajtimin.

”Muajt e fundit nuk kanë sjellë stabilitet në Kosovë dhe në raport nuk është paraqitur si duhet. Lëvizjet e njëanshme të Prishtinës kanë shkaktuar diskriminim. Prishtina në mënyrë aktive po punon në pengesa administrative për të cilat ne nuk jemi pajtuar në dialog. Qasja e Prishtinës është problematike në shumë mënyra, dhe kjo e saboton jo vetëm Kosovën, por edhe BE-në dhe palët tjera që janë të përfshira në dialog. Prishtina po vë zjarr mbi të gjitha, festat fetare duken si krim në Kosovë”, tha ai.

Madje, Selakoviq nuk përmend fare faktin se në Kosovë nga serbët janë vrarë mbi 10 mijë shqiptarë civilë sipas shifrave zyrtare.

Por, thotë se Kosova s’po tregon gatishmëri për gjetjen e përgjegjësve për “vrasjen e serbëve”.

”S’ka asnjë përgjegjës për 1 mijë serbët që janë vrarë nga viti 1999. Përfaqësuesit e Prishtinës po e injorojnë vuajtjet e serbëve që janë larguar nga shtëpitë e paraardhësve të tyre dhe janë mbi 200 mijë. Është e kundërta e asaj se çfarë Qeveritë e shpallura deklarojnë”, tha ai.

”Formati aktual i dialogut dhe anulimi i marrëveshjeve vetëm se s’ju pëlqen faktorit aktual, nuk është e pranueshme. Retorika e vrazhdë e Kosovës, janë destabilizuese. Hapat për targat janë një lloj integrimi i supozuar në shoqëri mirëpo s’ka pasur asnjë dakordësim. Prishtina po dështon të përmbush atë që është arritur dhe masat e imponuara ilustrohen më së miri se që nga koha kur është arritur kjo marrëveshje, vetëm dy vetura janë regjistruar me targa. Prishtina provokon reagimin e vazhdueshëm të serbëve, me vendime arbitrare”, tha ai.

Sipas Selakoviq, Serbia s’është pjesë “e protestave dhe revoltës së serbëve të veriut” që herën e fundit kur pati tensione përdorën edhe armë zjarri kundër policëve të Kosovës.

”Prishtina s’mund të konfiskojë pronën, dhe një prej shënjestrave është edhe Kisha Ortodokse Serbe”, tha ai.

Shefja e UNMIK-ut në OKB kërkon që Kosova dhe Serbia të implementojnë obligimet nga dialogu

Përfaqësuesja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh ka folur mbi zhvillimet që pasuan në veri të vendit, duke pohuar se ka pasur vullnet të palëve për të eskaluar situatën, duke ju referuar tensioneve për masën e reciprocitetit të Kosovës ndaj Serbisë.

“Vullneti i palëve për të provokuar përplasje të rrëzikshme, mund të çojë në pasoja më të vështira se sa mendohet. Qeveria ka pasur një agjendë ambicioze, ne i shohim përpjeket e Qeverisë për të forcuar sundimin e ligjit’’, deklaroi ajo

Tutje tha se Qeveria e Kosovës duhet të punojë për implementimin e vendimeve të Kushteuteses si dhe obligimet që janë marrë nga dialogu me Serbinë.

“Në këtë kontekst do të theksoja rëndësinë së pari të implementimit të të gjitha gjykatave të larta, siç janë ato që vijnë nga Gjykata Kushtetuese, prandaj ato për të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut, e të gjitha obligimeve që janë marrë përsipër më parë nga dialogu. Qeveria e Kosovës mbetet e fokusuar për adresimin e çështjeve kritike për çështjen e së drejtës që besoj që do të merren për bazë edhe nga shtetet për liberalizimin e vizave. Ne, bashkësia ndërkombëtare bartim edhe përgjegjësi”, tha ajo.

Nis seanca e Këshillit të Sigurimit, ku Gërvalla përfaqëson Kosovën

Tashme veçse ka nisur Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po prezantohet raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut.

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, prezantoi fillimisht raportin, ku sipas saj mes Kosovës dhe Serbisë, që nga pranvera ka pasur disa përshkallëzime dhe tensione akute në terren të cilët kërcënojnë që të shtyhet mbrapa në dialogun e mbështetur nga BE.

Në këtë seancë po merr pjesë edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e cila do të prezantojë qëndrimet e Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat