Mungesa e furnizimit me pasaporta, Reçica: Papërgjegjësia e qeverisë po u shkakton probleme mërgimtarëve

Aktuale

Mungesa e furnizimit me pasaporta, Reçica: Papërgjegjësia e qeverisë po u shkakton probleme mërgimtarëve

Më: 19 tetor 2022 Në ora: 17:54
Elmi Reçica

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica ka reaguar lidhur me prodhimin e limituar të pasaportave për misionet diplomatike të Republikës së Kosovës nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Në një postim në facebook, Reçica ka thënë se kjo gjendje është përkeqësuar në javët e fundit dhe po i penalizon më së shumti qytetarët e Kosovës që jetojnë në mërgatë.

“Mungesa e furnizimit me pasaporta po u shkakton probleme mërgimtarëve të pajisen me leje qëndrimi dhe në planifikimin e udhëtimeve të tyre për në vendlindje. Shumë mërgimtarë të pakënaqur në Austri, Gjermani, Zvicër kanë reaguar përkitazi me këtë gjendje të krijuar, pasi disa nga ta kanë humbur edhe pushimet e planifikuara duke u shkaktuar një kosto të lartë”, shkruan Reçica.

Reçica u shpreh se MPB është dashur të furnizohet me kohë me material, që qytetarët të mos privohen nga të drejtat elementare, siç është pajisja me dokumente udhëtimi.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të duhej që të njoftonte mërgatën për mungesën e materialit dhe të udhëzonte misionet diplomatike si të vepronin, pasi presioni ndaj konsullatave është shumë i madh nga mërgimtarët e mllefosur me të drejtë. Për shkak të papërgjegjësisë dhe mosdijes së kësaj qeverie, kjo gjendje e krijuar pritet të vazhdojë edhe më tutje, duke ju shkaktuar probleme mërgimtarëve tanë dhe duke iu pamundësuar që festat e fundvitit t’i kalojnë në vendlindje”, shkruan deputeti i PDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat