Në mungesë kuorumi seanca shtyhet për të hënën

Aktuale

Në mungesë kuorumi seanca shtyhet për të hënën

Nga: Bota sot Më: 20 tetor 2022 Në ora: 07:40 Përditësuar në ora: 18:16 më 20.10.2022
Kuvendi i Kosovës

Pozita s’i ka votat për projektligje, në mungesë kuorumi seanca shtyhet për të hënën

Kuvendi i Kosovës në mungesë kuorumi për t’i votuar dy projektligje, atë për përcaktimin e çmimit tavan për produktet elementare dhe projektligjin për mbështetjen e punëve publike, e ka ndërprerë seancën për ta vazhduar të hënën.

Në të dy këto projektligje morën pjesë jo më shumë se 58 deputetë, ndonëse të pranishëm në sallë ishin 70 deputetë.

Ndërsa, kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca tha seanca do të vazhdojë të hënën nga ora 10:00.

S’ka kuorum as për projektligjin për Mbështetjen e Punëve Publike

Kuvendi nuk ka arritur ta miratojë projektligjin për Mbështetjen e Punëve Publike, pasi nga 68 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 56 morën pjesë në votim.

Kryekuvendari Glauk Konjufca tha se edhe kjo pikë do të jetë në rend dite të enjten e ardhshme. 

Sërish s’ka kuorum për projektligjin që vendos çmim tavan për produktet bazë

Qeveria nuk ka arritur sërish që të kaloj në shqyrtim të parë projektligjin me të cilin parashihet të vendoset çmim tavan për produktet bazë.

Në votim morën pjesë 57 deputetë, ku të gjithë ishin pro, ndonëse të pranishëm në sallë ishin 70 deputetë, njofton Klankosova.tv.

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, tha se në bazë të rregullores së re të kuvendit, votimi i këtij projektligji kalon në seancën e ardhshme.

Abdixhiku: Një ministër si Murati duhet të shkarkohet, jeni një shtëpi të paditur

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar ministrin e Financave, Hekuran Muratin.

Sipas tij, Murati nuk di as gjërat elementare të ekonomisë dhe për këtë arsye duhet t’i marrë letrat e të shkojë në shtëpi.

Ai po ashtu e ka cilësuar Qeverinë Kurti si një shtëpi e të paditurve.

“Ka kohë që provoj të kuptoj se si i marrin vendimet këta. E para ministrja e ekonomisë tha çmimi i prodhimit të peletit është 188 euro dhe po shitet 700 euro në treg. Pastaj doli ministri i Financave dhe tha një produkt që vjen 1.20 cent dhe shihet 2.20 cent”.

“Nuk e kupton ministri që në momentin që futet në doganë duhet të paguhen taksa, transporti dhe kosto të tjera”.

“Një ministër i financave si ky sot duhet t’i marrë letrat dhe të shkojë në shtëpi. Një shtëpi e paditur. Ky nuk e di se çfarë është inflacioni prej ditës që ka ardhur në pushtet”.

​Musfafa - Muratit: As matematikë të klasës së tretë ministër nuk je kah dinë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se tregtarët po vazhdojnë të abuzojnë me çmimet e produkteve themelore në treg.

Ministri Murati në seancën plenare mori shembull çmimin e vajit ushqimor. Sipas tij ditëve të fundit është importuar vaj ushqimor në Kosovë me 1.40 euro-centë për një litër, ndërsa në dyqane shitet 2.65 euro centë.

Për këtë, Murati tha se ky projektligj e rregullon marzhën e fitimit të madh në treg prej 90 për qind siç është rasti me vaj. Ndërsa, për konstatimet e Muratit se tregtarët kanë fitim 90 për qind me vaj ushqimor, deputeti nga LDK-ja Besian Mustafa i ka thënë ministrit se: “As matematikën e klasës së tretë nuk po e din”.

Murati: Tregtarët ditëve të fundit po fitojnë 90 për qind me vajin ushqimor

“A e din sa është çmimi i importit që ka hyrë vaji ushqimor në tregun e Kosovës ditëve të fundit? Çmimi mesatar i importit për një litër vaj që ka hyrë në kufi ditëve të fundit është 1.40 euro-centë, ndërsa shitja në rafte është 2.65 euro-centë ose marzha e fitimit 90 përqind. Dhe neve na thuhet që nuk është problem te mazha e fitimit 90 për qind, problem është te TVSH-ja 8 për qind, e cila edhe kur hiqet siç e kemi parë në rastin e gastronomisë nuk reflektohet në çmimin te konsumatorët. Këtu e kemi problemin, partitë opozitare nuk e kanë hallin pse tregtarët abuzojnë me çmime, por synimi i tyre është që të hiqet TVSh-ja, të ulen të hyrat e qeverisë e në anën tjetër të trashet fitimi i tregtarëve”, tha ai.

Deputeti nga LDK-ja Besian Mustafa e ka quajtur të pa ditur ministrin Murati për sa i përket llogaritjes së fitimit për bizneset.

Mustafa: As matematikë të klasës së tretë ministër nuk je kah dinë

“Ministër i Financave, magjistër i ekonomisë edhe atë në Angli nëse nuk gaboj, mos me ditë matematikë të klasës së tretë të shkollës fillore se si llogaritet marzha gros marxhina e fitimit po supozojë ke dashtë gros marzhinën e fitimit, the shitet më duket 2.65, koston e ka 1.45 dhe the kosto dhe marzhina gros është 90%, as matematikë të klasës së tretë ministër nuk je kah dinë“, tha ai.

Ndaj Muratit ka reaguar edhe deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili pyeti ministrin se prej kur raportet e UNICEF-it janë më të rëndësishme se Kushtetuta e Kosovës.

Krasniqi tha se me këto masa që dalin nga ky projektligj kanë me u shkatërru mbi 15 mijë biznese të vogla.

Krasniqi: Prej kur ministër raportet e UNICEF-it janë më të rëndësishme se Kushtetuta e Kosovës

“Prej kur ministër raportet e UNICEF-it janë më të rëndësishme se Kushtetuta e Kosovës, qysh mundesh me u thirr në raporte të UNICEF-it me thënë për këtë po e bëjmë e Kushtetuta ta ndalon unë e di që e dinë që ta ndalon se nëse neni 10 i Kushtetutës thotë ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik ju po doni me shkel konkurrencën e lirë, ju nuk po doni me leju konkurrencë por po doni me iu tregu bizneseve të vogla sa guxojnë me shit e çka guxojnë me shit e sa guxojnë me mbajt e çka nuk guxojnë me mbajt“, u shpreh ai.

Kundër replikë pati ministri Murati, ku përmendi edhe fitimin e naftëtarëve.

Murati: Kemi ndalur fitimin e madh edhe të naftëtarëve

“Qytetarët e dinë që nafta ka shkuar deri 1.95 euro-centë, marazha e fitimit kur është marrë vendimi për kufizim ka qenë 30 centë për litër, me marrjen e vendimit është reduktuar në 12 centë. Pra, nuk është interesi i shtetit që bizneset të humbin, përkundrazi jemi të interesuar që të kemi biznese të shëndosha me marzha të pranueshme dhe në anën tjetër nuk abuzohet me çmime dhe të dëmtohen qytetarët”, tha ai.

Ai ka thënë se këto ligje nuk po ju përshtaten opozitës për shkak të grupeve të interesit të cilat i përfaqësojnë.

Statovci: Projektligji për çmimet tavan praktikohet edhe në BE

Deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ka thënë se është e rëndësishme që të vonohet Projektligji për Masat e përkohshme të Produkteve Themelore, raporton Ekonomia Online.

Duke e arsyetuar këtë Projektligj, Statovci ka thënë se kur situata ekonomike nuk është normale, nevojitet edhe ndërhyrja e Qeverisë me masa të reja.

Si pas saj, ky Projektligj është në të mirë të konsumatorëve, dhe si i tillë nuk i dëmton as bizneset vendëse.

Ajo ka thënë se projektligj synon të ndalojë manipulimet e tregtarëve me çmimet e produkteve.

“Është një kohë që ekspozohemi nga shumë faktorë të jashtëm, që kemi shkëputjen e zingjirit të ofertës, pasigurinë në treg si pasojë e luftës e një krizë energjetike që gjitha këto ndikojnë në një rrethanë të re. E kur situata e përgjithshme nuk është normale, atoherë edhe sjellja e tregut nuk është normale. Në rrethanat e tilla kur ndikojnë faktorët e jashtëm, atëherë kur e cekëm ekuilibrin ekonomik e dimë të gjithë se në rrethanat kur ka ndikime të jashtme, atëherë edhe ekuilibri zhvendoset në një pikë tjetër e cila prodhon humbje shoqërore. E kur kemi prodhimin e një humbje shoqërore si pasojë e këtyre faktorëve që derivojnë ose devijojnë nga operimi normal i tregut, atëherë prezantohen masa të ndërhyrjes në mënyrë që të rregullohet funksionimi dhe qarkullimi normal në treg, për atë arsye e kemi parë edhe vende të ndryshme të cilat kanë ndërhyrë me masa karshi situatave ekonomike”, ka thënë Statovci.

Deputetja Statovci përmendi edhe shtetet që kanë ndërhyrë me masa të tilla, duke thënë se ka shtete që janë ekonomikisht të forta.

“Kemi parë vende si Maqedonia e Veriut, së fundmi edhe nga Shqipëria dhe disa shtete të Bashkimit Evropian e besa edhe shtete me ekonomi shumë të avancuar të cilat diskutojnë për masa të tilla dhe nevojën e masave për çmimet në treg që ekzistojnë aktualisht dhe nuk janë çmime të kërkesës dhe ofertës, ato janë të ekspozuara ndaj asaj që prodhojnë situatë të re në treg. Në ekonominë tonë fragjile, ndryshimet ekonomike ndihen shumë, një ndryshim sado i vogël e rëndon edhe më tutje barrën e jetesës”.

“Ne kemi parë masa të ndërmarra nga Qeveria nga më të ndryshmet, pra pakon e inflacionit e masa tjera të rishpërndarjes që ka pasur për qëllim që të mirëmbahet mirëqenia e qytetarëve, gjithashtu të mirëmbahet edhe fuqia blerëse, e sidomos një theks i veçantë u vu tek kategoria të cilat janë më të ndieshme nga këto ndryshime ekonomike, mirëpo për ta dhe për të gjithë qytetarët ne kemi gjithashtu obligim që të kujdesemi që në këtë kohë të ofrojmë siguri e garanci që jeta e qytetarëve mos të rëndohet tutje ekonomikisht”, ka thënë Statovci.

S’ka kuorum – Dështon të votohet Projektligji për caktimin e tavanit për çmimet e produkteve esenciale

Në mungesë të kuorumit ka dështuar të votohet Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Në sallë ishin 79 deputetë, por vetëm 58 morën pjesë në votim.

Opozita që nga fillimi i seancës u deklarua kundër këtij projektligji, duke thënë se bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Hisen, krejt mirë e ki”, Konjufca shkakton të qeshura

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka thënë se është ndalur zhvillimi ekonomik dhe është shkaktuar rritje e papunësisë në Kosovë.

Sipas tij, përgjegjëse është Qeveria Kurti që thotë se është treguar e papërgjegjshme në këtë aspekt.

Madje, ai kërkoi nga qeveritarët që përmes ligjit të bëjë alokomin e mjeteve për shkak të rritjes së çmimeve të lëndës së parë dhe karburanteve.

E për këtë çështje i reagoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i tha se “krejt mirë e ka, por veç pastaj është ky ligj” që po flet ai.

“Hisen, zotëri Berisha, krejt mirë e ki veç që është ligji që vjen masanej”, i tha Konjufca Berishës.

E për këtë pati të qeshura në Kuvend dhe një kundërpërgjigje nga ana e ligjvënësit opozitar.

“Vendose qetësinë kryetar, se po flas me zë të lartë”, ia ktheu Berisha kryekuvendarit.

“Jo nuk e kemi në rëndë dite..”, theksoi Konjufca, teksa Berisha vazhdoi fjalimin e tij.

​Hajdari: Unë marr përgjegjësinë e vonesës në deklarim të pasurisë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në Kuvendin e Kosovës ka folur rreth ngritjes së aktakuzës ndaj saj për mos deklarim të pasurisë.

Ajo tha se i vjen mirë që ekziston një ligj i tillë dhe se merr përgjegjësinë e vonesës në deklarim të pasurisë.

Ministrja Hajdari ftoi deputetët që për çdo gjetje karshi saj t’i drejtojnë me shkrim në Prokurorinë e Shtetit.

Hajdari: Unë e marr përgjegjësinë e vonesës në deklarim

“Sa i përket deklarimit tim të pasurisë më vjen mirë që ekziston një ligj, unë e marr përgjegjësinë e vonesës në deklarim dhe më vjen mirë që nuk ngritet një akuzë për mua për vjedhje për shpifje, për shfrytëzim të parasë publike, për votat parlamentare tuaja, për zgjedhje e për të gjitha tjerat. Besoj për këtë dhe gjetjet tjera që i keni për mua iu lutem i drejtoni me shkrim edhe në prokurori, më auditoni ju mirëpres”, tha ajo.

Këto komente ajo i bëri pas akuzave që ia bëri, deputeti I PDK-së, Ferat Shala i cili u shpreh se nuk mund t’i besojnë një ministreje e cila edhe vetë e mashtron shtetin duke mos deklaruar pasurinë e saj.

Shala: Nuk mund t’i besojmë një ministreje që edhe vetë e mashtron shtetin

“Që nga dita e parë e kësaj qeverisje në atë ministri kemi pas dhjetra skandale nga këto komisione, ju lutemi kthejuni pak kredisë së Bankës Botërore dhe shihni çka ka ndodhur nga komisionet e hartuara nga kjo qeveri dhe ministri. Ju lutemi kthejuni skandaleve në Dubai dhe pagesave dhe shpenzimeve që keni bërë atje me tupana…Nuk mund t’u besojmë komisioneve nga kjo ministri e cila shkon dhe rezervat shtetërore i kontraktor me kompanitë turke pa asnjë një lloj transparence sot e asaj dite….Nuk mund t’i besojmë kësaj ministrie dhe kësaj ministreje e cila parimisht edhe vetë e mashtron shtetin dhe nuk deklaron pasurinë e saj dhe praktikisht sot është ministre me aktakuzë“, u shpreh Shala.

Më 13 tetor 2022, Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë kundër ministres së tregtisë, Rozeta Hajdari për mos deklarim të pasurisë.

Hoti: Projektligji për çmimet tavan do t’i falimentojë tregtarët e vegjël

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se Projektligji për çmimet tavan do t’i falimentojë tregtarët e vegjël.

Ai ka thënë se tash ka rritje të çmimeve, por nuk ka mungesë të produkteve në treg.

“Do të shkatërrohet konkurrenca e lirë dhe nuk do të arrihet qëllimi që e ka ky projektligj”.

“Çmimet janë rritur, por nuk ka mungesë të produkteve në treg. Nëse ka manipulim me çmime atëherë janë mekanizmat që duhet të merren”.

Po ashtu ka shtuar se nuk mund të vendoset një marzh e fitimit si për një biznes në Prishtinë, si në një fshat në Dragash.

“Nga ky projektligj do të mbijetojnë vetëm tregtarët e mëdhej”, ka thënë Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat