Projekt Kodi Civil, së shpejti në Kuvend

Aktuale

Projekt Kodi Civil, së shpejti në Kuvend

Më: 20 tetor 2022 Në ora: 11:51
Foto ilustrim

Gjatë këtij viti pritet të dërgohet sërish për miratim e Projekt Kodit Civil nga ekzekutivi në legjislativ. Ekspertë të drejtës civile dhe zyrtarë të BE-së kanë thënë se Projekt Kodi Civil nuk mund të mbetet “peng” i një neni, që ka të bëjë me “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta”. E nga shoqëria civile vlerësojnë se partia në pushtet duhet të punojë që të bind deputetët për miratimin e saj.

Në mars të këtij viti Kuvendi i Kosovës nuk e kaloi në lexim të parë Projektkodin Civil.

Pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i "bashkësive civile" ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Deputeti Erxhan Galushi, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, asokohe kishte prezantuar qëndrimin e Grupit Parlamentar Multietnik, duke u shprehur kundër bashkëjetesës së personave me gjini të njëjtë.

Edhe sot Ergjani thotë për Radio Kosovën  se nuk ka ndryshuar qëndrim, sepse sipas tij kjo  është kundër vlerave dhe traditave familjare,  të kosovarëve.

“Pikërisht për këtë çështje po insistoj që jam kundër votimit të këtij neni në projekt  kodin civil, sepse mendoj që është kundër familjes dhe të drejtave të njeriut në aspektin familjar. Unë nuk mund ta ndryshojë qëndrimin time për shkak të parimeve fetare, mentalitetit shoqëror dhe nuk mendoj që në të ardhmen mund të ndryshojë sa I përket nenit për martesat e gjinisë së njëjtë”, tha ai për Radio Kosova.

Projekt-Kod Civil përmban 1630 nene dhe konsiderohet  dokumenti më i rëndësishëm pas Kushtetutës, i cili rregullon dhe promovon segmente të ndryshme të jetës, si barazia para ligjit, të drejtat e njeriut, çështjet pronësore, transaksionet ekonomike, kontratat, marrëdhëniet familjare, të drejtat e fëmijëve dhe trashëgimia.

Haxhi Gashi, Profesor i të Drejtës Civile, në Universitetin e Prishtinës, i cili ka marrë pjesë në hartimin e Kodit Civil, thotë se deputetët do të duhej fillimisht ta kalonin Kodin, e që pastaj të  ketë diskutime për nene të caktuara.

 “Është një brengë për të gjithë ne që kemi punuar në projekt kod, përfshi edhe faktorin ndërkombëtarë, që 1630 nene nuk do të duhej të mos miratoheshin për shkak të të në neni, për shkak së gjithmonë ka zgjidhje. Dokumenti do të duhet të miratohej e pasta gjatë fazave të mëvonshme të shikoheshin versionet më të mira të mundshme, gjithmonë në përputhje me kushtetutën. Nuk ka të drejtë të mohojë, ose të pakësoj të drejtat e dikujt, nëse kushtetuta i lejon, anipse kushtetuta ndonjëherë nuk është shumë eksplicite në këtë drejtim, megjithatë ndalon diskriminimin”, tha Gashi për Radio Kosova.

Për mos votimin e Kodit Civil, ka  reaguar edhe kreu i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog. Në një intervistë për Radio Kosovës, ai thotë se Kodi Civil nuk mund të mbetet peng i një neni ( atij për bashkëjetesë mes personave të gjinisë së njëjtë). Sipas tij miratimi i Projekt Kodit hapë rrugë për debat politik.

 “E kuptoj që ka debat politik për dy nene të Kodit Civil. Më duhet t’ju them se në Kodin Civil janë të përfshira 1500 nene të tjera, për hartimin e të cilave në kemi investuar shtatë vite me ekspertë, logjistikë e ndihmë teknike në hartimin e këtij drafti. Do ta kuptoja që sikur fillimisht Kodi të kalonte dhe pastaj debati politik të vazhdonte për nenet specifike, por refuzimi qysh në fillim, është diçka e vështirë për t’u kuptuar!”, pati thënë Tomas Szunyog.

Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Demokraci thotë se Vetëvendosje, si partia më e madhe në Kuvend, por edhe deputetë e partive tjera, duhet ta trajtojnë Kodin Civil si interes nacional.

“Me vetë faktin që janë investuar me miliona euro  nga faktori ndërkombëtar për hartimin e këtij kodi, sigurisht që edhe kërkesa e partnerëve ndërkombëtarë, por edhe e publikut do të duhej të ishte e madhe ndaj qeverisë, ndaj partisë në pushtet, ndaj të gjithë deputetëve, të të gjitha partive në kuvend, që ky projekt kod të trajtohet me prioritet dhe të miratohet sa më parë”, tha Miftaraj për Radio Kosova.

Ministria e Drejtësisë  ka thënë  se po punojnë që ky projekt-kod të jetë në frymën kushtetuese dhe të marrë mbështetjen e deputetëve në parlament. Ndryshimet janë duke u fokusuar në nenin 1138, i cili në shqyrtimet e para lejonte bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka paralajmëruar  se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, Kodin Civil, nëse ai nuk  është në përputhje  me Kushtetutën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat