​Rektori Sahiti nuk merr pjesë në mbledhjen e Këshillit Drejtues: Rendi i ditës nënkupton shkarkimin tim

Aktuale

​Rektori Sahiti nuk merr pjesë në mbledhjen e Këshillit Drejtues: Rendi i ditës nënkupton shkarkimin tim

Më: 20 tetor 2022 Në ora: 15:53
Naser Sahiti

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ka deklaruar se gjatë ditës së nesërme do të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues ku bazuar në rend të ditës, pritet shkarkimi i tij.

Kjo mbledhje, siç deklaroi ai, është ftuar në kundërshtim me statutin dhe është e jashtëligjshme.

Ai në konferencë për media ka njoftuar se nuk do të merr pjesë në këtë mbledhje dhe se për këtë situatë kanë pasur shenja nga deklarimet e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

Sahiti bëri të ditur se bazuar në rendin e ditës të mbledhjes së nesërme sugjerohet shkarkimi i tij.

Sahiti: Rendi i ditës nënkupton shkarkimin e rektorit
 

"Ata e kanë caktuar rendin e ditës me përmbajtjen e cila sugjeron apo lë të kuptohet marrja e vendimit për shkarkimin e rektorit. Ajo çka më është thënë nga kryesuesi është se ‘kemi këtë fakt, këtë fakt’, krejtësisht të trilluara nuk ka asgjë prej tyre që janë në të vërtetë shkelje, është krejtësisht e kundërta. Ne e dimë që njerëzit kur duan të kryejnë veprime të caktuara, mund të manipulojnë me fakte dhe të shkojnë më tutje. Se mund të pasojë diçka e tillë, ne kemi pasur shenja qysh në prononcimin e ministres gjatës verës, kur ajo ka provuar që zgjedhjet e Këshillit Drejtues për të cilat kemi kërkuar opinionin tonë me një komunikatë, ajo ka tentuar t’i ndërlidhë sikur menaxhmenti është pjesë e atyre zgjedhjeve... Me këtë mund të nxjerrim përfundimet se sa është ministrja e Nagavci e involvuar në kuptimin e interferimeve”, ka deklaruar Sahiti.

Më tej, Sahiti ka shtuar se qysh në mbledhjen e dytë të Këshillit Drejtues është kërkuar vlerësimi i performancës së menaxhmentit të rektoratit.

Sahiti: Mbledhja e Këshillit Drejtues është kundërligjore
 

"Ajo mbledhje është caktuar në kundërshtim me statutin. Në kundërshtim me statutin sepse neni 20 i statutit, pika 6 thotë se mbledhjen e Këshillit Drejtues thirret nga kryesuesi ose zëvendës-kryesuesi në bashkëpunim me rektorin. Kjo gjë nuk ka ndodhur, është bërë duke më anashkaluar mua. E kanë shënuar rendin e ditës, pastaj ka pasur komunikim në kuptimin që do të kërkojmë këto apo ato, por nuk ka pasur dakord me mua. As rendi i ditës e as data e mbajtjes së mbledhjes. Andaj, si e tillë mbledhja e nesërme për ne është kundërligjore”, ka thënë Sahiti.

Rektori i UP-së ka njoftuar se nuk do të merr pjesë në mbledhjen e nesërme të Këshillit Drejtues.

Sahiti: Pjesëmarrja ime do të nënkuptonte legjitimim të saj

“Meqë është mbledhje jashtë-ligjore dhe në kundërshtim me statutin, pjesëmarrja ime do të nënkuptonte legjitimim të saj. Sigurisht që nuk e kam ndërmend të bëjë një gjë të tillë. Sa i përket veprimeve nëse vjen deri te shkarkimi, janë procedurat ligjore. Nuk është kjo çështje individuale, private, është institucionale dhe si rektor e kam përgjegjësi ta mbaj detyrën brenda normave, rregullave edhe nëse ka shkelje që të denoncojë”, shtoi ai.

I pyetur për kontaktet me ministren Nagavci, rektori Sahiti ka deklaruar se kjo e fundit nuk është interesuar për përbërjen e Këshillit Drejtues dhe dyshimet për plagjiaturë.

Sahiti: UP nuk ka pasur kurrë më herët përbërje të tillë

"Me keqardhje mund të them, se në asnjë formë ministrja nuk është përfshirë dhe nuk ka dhënë kurrfarë reagimi, as që ka treguar interesim që të merret me këtë çështje. Vazhdimisht i ka ikur kësaj bisede, ‘nuk e di, nuk mundem’. Me këtë e kam kuptuar, që ministres nuk po i bëhet vonë përbërja e Këshillit Drejtues. Edhe është e qartë që ka pasur koordinim në segmente të caktuara. Por, unë e konsideroj që megjithatë gjendja është sa i përket përbërjes të Këshillit Drejtues, pavarësisht a më shkarkojnë apo jo nesër, lë shumë për të dëshiruar. Nuk është siç ka potencuar ministrja ‘riciklim i gjendjes së kaluar’. Kjo nuk është e vërtetë, është më poshtë se kurdo herë më parë. Kurrë më herët nuk ka pasur një përbërje të tillë. Prandaj gjendja është shumë dramatike dhe më e padinjitetshme se ka pasur UP”, theksoi ai.

Rektori i UP-së ka shtuar se ka dërguar rastin e anëtarit të Këshillit Drejtues, Selim Bezerajt në Këshill të Etikës, për doktoratën e të cilit dyshon se ka plagjiat.

Sahiti: Është një plagjiat i përmasave masive
 

"E kam parë të arsyeshme që ta marrë unë ta denoncoj rastin, e kam bërë shkresën përkatëse, e kam protokolluar dhe rasti tashmë është në Këshill të Etikës, me gjitha dëshmitë e nevojshme që doktorata në fjalë është një plagjiat masiv. Sigurisht ky është një mendim personal yni dhe si njohës i gjuhës gjermane e kam analizuar mirë nga ajo që kam parë natyrisht është një plagjiat i përmasave masive. Ne duhet të presim vlerësimin e instancës përkatëse që të trajtojë rastin në mënyrë zyrtare”, ka përfunduar Sahiti.

Gjatë ditës së djeshme kanë reaguar 19 organizata të shoqërisë civile, ku denoncohet, siç thuhet, tentativa e shkarkimit të zyrtarëve të institucioneve të arsimit të lartë pa u bazuar në gjetje reale për keqpërdorime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat