“Paketa e dy Gjermanive”: Çfarë i sjell Kosovës marrëveshja e re?

Aktuale

“Paketa e dy Gjermanive”: Çfarë i sjell Kosovës marrëveshja e re?

Më: 21 tetor 2022 Në ora: 15:30
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Siç “ishte publikuar prej javësh, paketa e re që Serbisë dhe Kosovës po i propozohet, ka nisur të dalë në dritë, prej mediave të ndryshme botërore.

Kjo paketë nuk është në thelb një zgjidhje finale për Kosovën, pasi nuk e përfshin njohjen e Kosovës nga Serbia.

Madje, më shumë se kaq, ka asocacionin e komunave serbe, që do të duhet të funksionojë sipas Kushtetutës së Kosovës. E nëse palët kanë problem për ndonjë vendim si shkallë ankimi kanë Gjykatën Kushtetuse të Kosovës.

Ndërkaq, edhe për çështjen e pranimit të Kosovës në OKB, sërish pengesa është e madhe pasi e pengon ‘veto’-ja e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit.

Kosova, do të ketë të njëjtin fat si Palestina, e cila është me statusin e anëtarit të asocuar në OKB, pra jo me të trejta të plota, e miratuar me shumicën e anëtarëve të OKB-së, por pa miratimin e Këshillit të Sigurimit.

Si e tillë, kjo paketë nuk është marrëveshje, nuk është zgjidhje, por çështja shtrohet se çfarë do të duhet të bëjë Kosova?

Nëse Albin Kurti e miraton këtë marrëveshje, do të ketë simpati në komunitetin ndërkombëtar, përkatësisht SHBA-së dhe BE-së, por Kosova nuk ka të garantuar një të ardhme të qetë nga Serbia. E cila nga ana e saj do të vijojë ta quajë Kosovën si të sajën e të flasë për “Jeruzalemin e saj” pa ndalim. Madje ka gjasa që Aleksandër Vuçiç ta quajë fitore pasi ka garantuar Asocacionin e Komunave, pa pasur nevojë të njohë Kosovën zyrtarisht.

Por vetë drafti i Asocacionit ka të shënuar qartësisht se ky entitet juridik funksionon në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Që do të thotë se Serbët e Kosovës, e njohin juridikisht shtetin e Kosovës. E ky akt nuk është pak, por një zhvillim i rëndësishëm.

Në vija të trasha kemi të bëjmë me një zgjatje të status-quo’së aktuale, madje duket sikur ka edhe një problem edhe më të madh pasi Serbia sërish përkëdhelet nga Perëndimi siç ka ndodhur prej vitesh. Por kundërshtimi nga Kosova i kësaj marrëveshjeje, sjell vetëm izolim të saj, e ndoshta një agresivitet më të madh të Serbisë. Jemi në kushtet si në Marrëveshjen e Rambujesë, e cila nuk parashikonte as çlirimin e Kosovës, as pavarësinë e saj, por thjesht praninë e NATO-s në vend.

Shqiptarët e firmosën, serbët e refuzuan. NATO bombardoi Serbinë, çliroi Kosovën, e administroi ndërkombëtarisht, e më pas i dha pavarësinë. Çdo akt ndërkombëtar apo arritje e rëndësishme politike është një proces, e jo një mrekulli si ato që bënte Jezu Krishti kur shumfishonte peshqit.

E duke qenë që këtë proces e ka në dorë komuniteti më i rëndësishëm ndërkombëtar, i cili siç u pa edhe nga rezoluta në OKB për Ukrainën, ka në krah të saj shumicën e kombeve, garancia është e madhe.

Siç ndodhi me Rambujenë. Nëse Kosova do ta refuzonte atë marrëveshje, gjërat do të lëviznin krejt ndryshe e NATO nuk do ta kishte larguar asnjëherë ushtrinë dhe policinë serbe. Lëre më pavarësinë, të cilën deri atëherë e kundërshtonin jo vetëm Rusia dhe aleatët e sotëm të Serbisë, por edhe Italia e Lamberto Dinit dhe Franca skeptike.

Sot, është thuajse e garantuar se pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën, do ta bëjnë këtë menjëherë sa të firmoset marrëveshja. Plus që parashikohen menjëherë benefite të tjera që nga liberilizimi i vizave dhe ndihma ekonomike. E këtë e ka marrë përsipër Gjermania, e cila siç e dimë ishte ajo që udhëhoqi me forcë rrëzimin e përpjekjes së Trump për korigjim kufijsh dhe ndikoi në burgosjen e Hashim Thaçit, dhe kthimin në pushtet të Albin Kurtit, shkruan Pamfleti.

Kjo marrëveshje nuk është më e mira natyrisht, por është nisja e një epoke tjetër, ku Kosova së paku nuk do të mallkohet nga ajo që quhet “bota serbe” në arenën ndërkombëtare. Si dhe nuk do të trajtohet e izoluar nga Bashkimi Europian; të tjerat duhet t’i fitojë vetë si vend sovran. Qoftë edhe dialogun e bashkëjetesën me serbët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat