Kosova hap Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Blinken deklarohet me fjalët e Albright - përmend ndërhyrjen e NATO-s

Aktuale

Kosova hap Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Blinken deklarohet me fjalët e Albright - përmend ndërhyrjen e NATO-s

Më: 22 tetor 2022 Në ora: 10:35 Përditësuar në ora: 11:49 më 22.10.2022
Antony Blinken

Presidentja e PE-së: Nga gratë në Ukrainë mësojmë për kurajon dhe frymëzimin

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola përmes një video-mesazhi i është adresuar Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Ajo ka folur për gratë në Ukrainë, duke thënë nga to mësojmë kurajon dhe frymëzimin.

Metsola gjithashtu u shpreh se Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë i përkushtuar që të ndihmojnë gratë.

"Nga gratë në Ukrainë mësojmë për kurajon dhe frymëzimin. Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë i përkushtuar që të ndihmojnë gratë përmes agjendës për Gratë, Sigurinë dhe Paqen, duke punuar me OKB-në, me NATO-n për të fuqizuar gratë dhe për t’u dhënë rol në arritjen e paqes. Bashkimi Evropian qëndron me këtë agjend dhe kemi kërkuar përfshirjen e më shumë grave dhe të gjitha shteteve anëtare të BE-së, derisa stafi i BE-së duhet të kenë trajnim mandator për barazinë gjinore”, tha ajo.

Metsola në përfundim të adresimit tha se pavarësisht sfidave për të drejtat e grave, nuk ka vend për pesimizëm.

“Nuk ka vend për pesimizëm, si folës të zëshëm për të drejtat e gruas edhe në negociata të paqes, kemi shumë gjëra për të ndarë mes nesh, por duhet edhe mos të lejojmë gjëra të tilla. Iu dëshiroj diskutime të plota dhe besoj që mesazhi juaj do të përqohet në mbarë botën për avansimin e të drejtave të gruas, paqen dhe sigurinë”, u shpreh tutje ajo.

Zëvendësministrja e Jashtme e Ukrainës: Sot Putini është Millosheviqi i ri, të dy i kanë duart e njollosura me gjak

Zëvendësministrja e Parë e Jashtme e Ukrainës, Emine Japarova, në Formunin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka folur për sfidat nëpër të cilat janë duke kaluar gratë ukrainase në luftën e nisur nga Rusia në këtë vend.

Ajo në një moment e krahasoi presidentin rus, Vladimir Putin, me ish-presidentin serb, Slobodan Millosheviq, i cili kreu gjenocid në Kosovë.

Ajo tha se Putini është Millosheviqi i ri, ku të dy i kanë duart e njollosura me gjak.

“30 mijë ushtare kanë luftuar krah me burrat në Ukrainë, nuk lodhen. Ato po sakrifikojnë jetën e tyre për një Ukrainë të lirë e të pavarur. Njëkohësisht Rusia i mban rob me qindra gra, edhe ato shtatzëna. Gratë kidnapohen e burgosen… Jetët e vajzave dhe grave në Ukrainë janë në rrezik, sidomos i atyre nën okupim”, ka thënë Japarova.

“Sot Putini është Millosheviqi i ri, të dy i kanë duart e njollosura me gjak”, ka shtuar ajo.

Japarova tha se është mirënjohëse për mbështetjen e gjithëve për gratë ukrainase.

“Në emër të të gjitha grave ukrainase dua të ju falënderoj për mirënjohjen, për trimërinë dhe rezistencën e grave të Ukrainës. Jam  e sigurt që medalja presidenciale që i ndatë të gjitha grave të Ukrainës, që ju i përfaqësoni sot, do t’i inkurajojë nënat, gratë, mjeket, gazetaret dhe të gjitha gratë e Ukrainës për arritje të mëtejshme”, ka shtuar ajo.

Osmani dekoron gratë e Ukrainës me çmimin presidencial të meritave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka ndarë të shtunën grave të Ukrainës çmimin presidencial për trimërinë dhe kontributin.

Ndarja e çmimi është bërë në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të organizuar nga presidenca e Kosovës.

Për të marrë këtë medalje, Osmani ka ftuar një deputete ukrainase dhe gazetaret nga Ukraina që jetojnë në Kosovë.

​Kurti: S’ka paqe dhe siguri nëse realizohet bashkë nga burra e gra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili po mbahet në Prishtinë, tha se në Kosovë gratë u përgjigjën thirrjeve për paqe dhe sigurisë.

Ai tha se nuk ka pasur ndonjë fazë kur gratë nuk kanë qenë të përfshira në përpjekje për liri dhe paqe.

Kurti: Gratë ishin të përfshira në përpjekjet për liri por edhe në shtet ndërtim

“Nuk ka pasur ndonjë fazë kur gratë nuk kanë qenë të përfshira në përpjekjet për liri dhe paqe, angazhimi i grave më Kosovë nuk ka munguar në shtet ndërtim dhe mbarëvajtjen e shtetit tonë, ato kanë anë të ndryshme me qëllim të vetëm për paqe dhe për paqe për të gjithë kombin dhe të ardhmen”, tha ai.

Shefi i ekzekutivit tha se nuk ka garanci për paqe dhe siguri nëse kjo nuk realizohet bashkë nga burra dhe gra.

Kurti: Të ketë me shume gra në FSK dhe në forcat e rendit

“Nuk ka garanci për paqe dhe siguri përveç nëse kjo realizohet bashkë nga burra e gra. Nuk ka alternativë tjetër dhe është garanacioni më efektiv që të ketë me shumë gra në FSK dhe në forcat e rendit dhe kjo ditë thotë edhe përmbushje e të drejtave të pakicave dhe të drejtave të gjithëve. Gratë dhe vajzat e Kosovës kanë sakrifikuar shumë, kanë qenë viktima dhe luftëtare, kanë kontribuar në kategori të ndryshme dhe për demokratizimin e institucioneve të republikës”, tha Kurti.

Megjithatë, Kurti tha se sfida ka ende.

Kurti: Njerëzit këtu i besojnë grave po aq sa burrave kur vjen puna të siguria

“Njerëzit këtu i besojnë grave po aq sa burrave kur vjen puna të siguria, si komandante supreme e kemi Vjosa Osmanin. Përkundër progresit, sfida mbesin të mëdha, kemi vërejtur çdokund ku ka vështirësi në institucionet e sigurisë se prania e grave ndryshon gjendjen, qëllimi ynë është me i madh, pjesëmarrje të barabartë çdokund. Shpreh gatishmërinë dhe përkushtimin për përkrahjen e grave për fuqizimin e rolit të tyre garantimin e arritjes së qëllimeve gjinore”, tha ai.

Ai tha se gratë duhet të njohim për kontributin e tyre.

Ky është edicioni i parë i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili ka mbledhur në Prishtinë rreth 500 pjesëmarrës nga 33 shtete të botës.

Osmani: Për ndërtimin e paqes, gratë duhet të ulen në tavolinat vendimmarrëse

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili po mbahet në Prishtinë.

Osmani është shprehur se për të vazhduar ndërtimin e paqes, gratë duhet të ulen në tavolinat vendimmarrëse.

“Para 22 vjetësh gratë nga anë e mbanë bota u bashkuan për të nisur rezolutën 1325, një akt historik që është gurthemel i asaj që sot njihet si Agjenda për Gratë në Paqe dhe Siguri. Atëherë kishte nisur një moment kur bota kuptoi se të flasësh me vendosësh për paqe, zërat e grave janë mëse të nevojshëm, poashtu mundësoi ofrimin e ndihmës me kontributin dhe angazhimin e grave, por si më e rëndsësishmja duhet të jetë e qartë se nëse dëshirojmë që të vazhdojmë të ndërtojmë paqen mund ta bëjmë vetëm nëse gratë janë të ulura në tavolinat vendimmarrëse”.

Tutje, e para e vendit u shpreh se po jetojmë në një realitet sfidues për të drejtat e grave.

“Shohim në Ukrainë, në Iran, Kubë dhe të tjera vende që mundësia që grave t’iu dëgjohet zëri po luftohet brutalisht, po diskriminohen. Realiteti sfidues është që të drejtat e grave jo vetëm testohen, keqpërdoren dhe lihen anash nga regjimet autokratike, por këto të drejta po sfidohen edhe në demokraci nga ngritja e rasteve të dhunës në familje deri tek gratë që gurëzohen për vdekje, vetëm se kërkojnë të drejtat themelore njerëzore. Mund të them se realiteti është i errët dhe nuk mund të fshihemi”.

Blinken deklarohet me fjalët e Albright - përmend ndërhyrjen e NATO-s

Në hapje të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili fillon punimet sot në Prishtinë, dhe i cili mbahet me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pjesëmarrësve iu drejtua me një video adresim të të veçantë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari Blinken tha se Forumi i organizuar nga Presidentja Osmani bashkon dy gjëra që i kishte shumë për zemër Sekretarja Madeleine Albright: popullin e Kosovës dhe fuqizimin e grave.

Ai ka falënderuar Presidenten Osmani për organizimin e këtij Forumi dhe NDI-në për mbështetjen e tij. Sipas tij, Sekretarja Albright kur është pyetur se çfarë e bën krenare gjatë shërbimit të saj prej shumë dekadash, gjithmonë thoshte Kosova.

Sipas tij, në vizitën e fundit në Prishtinë, në vitin 2019, Sekretarja Albright ka mbrojtur sërish ndërhyrjen e NATO-s, në Kosovë, më 1999.

“Lufta në Kosovë ishte një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme, ndërmjet mostolerancës së dhunshme dhe respektimit të të drejtave të njeriut, mes tiranisë dhe demokracisë. Ne fituam sepse aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë. Më e rëndësishmja, ne ia dolëm sepse kauza jonë ishte e drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës”, ka cituar Sekretari Blinken fjalët e zonjës Albright.

Sipas tij, sekretarja Albright luftoi për angazhimin e grave në të gjitha aspektet e ndërtimit të paqes dhe vendimmarrjes së sigurisë, pjesërisht sepse ajo kishte parë ndryshimin që ndodhte kur atyre u jepej një zë.

Znj.Albright ka inkurajuar edhe gratë e Kosoves kur më 2005 kishte thënë se e ardhmja e vendit do të varet – në një masë jo të vogël -nga mundësitë që do t`u ofrohen grave të vendit.

“A do t’u jepet atyre një shans i barabartë për të shkëlqyer në klasë, për të pasur sukses në vendin e punës, për të ndjekur ëndrrat e tyre në çfarëdo fushe të angazhimit që mund të zgjedhin – të bëhen biznespersona ose mjekë, gazetare, programuese kompjuteri, madje në të ardhmen edhe presidente e kryeministre të Kosovës?”, ka cituar Blinken, duke potencuar se që nga ajo kohë, Kosova ka votuar dy gra presidente, respektivisht dy më shumë se Shtetet e Bashkuara.

Ai ka përmendur edhe gratë iraniane me kauzën e tyre kundër shtypjes, sikurse edhe ato kubaneze, të cilat vazhdojnë të protestojnë duke bërë thirrje që regjimi t`i respektojë të drejtat e njeriut dhe t`i plotësojë nevojat themelore të njerëzve.

Në adresimin e tij, Blinken është ndalur edhe te lufta brutale e Presidentit Putin kundër Ukrainës, duke cituar një mendim të znj.Albright.

“Ajo na kujtonte vazhdimisht rëndësinë e qëndrimit përballë tiranëve dhe provokuesve, sikurse edhe të parandalimit që vendet me përdorim të forcës të rishkruajnë kufijtë e një tjetri dhe për të mbrojtur parimet e Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”, ka cituar Blinken, zonjën Albright.

Në fund të adresimit të tij, Blinken ka thënë se duke iu përmbajtur porosive të zonjës Albright, do të triumfojmë përsëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat