Krasniqi propozon një ide për të shmangur konfliktin me Serbinë: Të formohet Asociacioni

Aktuale

Krasniqi propozon një ide për të shmangur konfliktin me Serbinë: Të formohet Asociacioni

Më: 24 tetor 2022 Në ora: 17:33
Milazim Krasniqi

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka dalë me një sqarim të ripërsëritur për atë që ai i quan “idiotë politikë kronikë”.

Ai tha se Kosova është e ndarë de fakto që nga qershori i vitit 1999 e deri sot, ndërsa u shpreh se veriun e saj e kontrollojnë serbët lokalë me struktura paralele dhe Serbia me financimet e saj në arsim, në shëndetësi, në administratë lokale, etj.

Sipas Krasniqit, asnjë përpjekje e derisotme për riintegrim, qoftë e dhunshme si ajo e vitit 2004 ose politike, nuk ka pasur sukses deri sot dhe as nuk mund të ketë.

E vetmja zgjidhje për riintegrimin e veriut të Kosovës është formimi Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, përndryshe si opsion mund të jetë fillimi i një konflikti të armatosur, mendon Krasniqi.

“Kush nuk e pranon këtë realitet edhe pas 23 vitesh, vazhdon të mbetet idiot politik. Ose edhe më keq, mund të ketë qëllime të errëta. Prandaj e vetmja mënyrë që veriu të riintegrohet është me formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, si proces i negocuar në Procesin e Brukselit dhe me asistencën e SHBA-së”, shkroi ai në Facebook.

“Opcionet e tjera janë: konflikti i armatosur, i cili e legalizon copëtimin e vendit dhe izolimi i Kosovës nga komuniteti ndërkombëtar, i cili e bën tërë Kosovën shtet të dështuar. Prandaj, ata që nuk duan të formojnë Bashkësinë e Komunave Serbe, sipas marrëveshjes së ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, sigurisht të përmirësuar në bazë të gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese, duan shpërbërjen e shtetit të Kosovës, me luftë civile dhe me izolim ndërkombëtar të saj. Këtë gjë të thjeshtë nuk e kuptojnë vetëm idiotët politikë, veçmas ata të barrikaduar në presidencën dhe në qeverinë e Kosovës”.

“Po opozita çka duhet të bëjë? Si minimum, do të duhej të ftohej seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku qeveria duhet të tregojë se çka po planifikon të bëjë më 1 nëntor 2022 në veri. Nëse nuk pranohet propozimi i Eskobarit (SHBA) dhe Bashkimit Evropian për një moratorium disamujor për targat, rreziku i konfliktit të armatosur është i madh. Pra, kur qeveria ndjek politikën e konfliktit, siç po bën qeveria Kurti, opozita e ka për detyrë ta denoncojë politikën e konfliktit”, theksoi Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat