Von der Leyen të enjten viziton Kosovën

Aktuale

Von der Leyen të enjten viziton Kosovën

Më: 24 tetor 2022 Në ora: 17:38
Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të enjten do të qëndrojë në Kosovë, në kuadër të turneut të saj katërditor në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në takimet me krerët e vendeve të rajonit, Von der Leyen pritet të diskutojë për bashkëpunimin rajonal, gjetjet e Raportit të Progresit, planet rreth sigurimit të burimeve të reja të furnizimit me energji elektrike, gaz dhe naftë, duke pasur parasysh se BE po mundohet të zvogëlojë ndikimin nga burimet ruse, por edhe për çështjen e agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe ndikimin e tij në rajon.

Sipas zëdhënësit të Komisionit Evropian, Eric Mamer, kjo vizitë zhvillohet në një kontekst të veçantë, që është konteksti i krizave të njëpasnjëshme, fillimisht Covid-19 dhe tani lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj.

“Mesazhi është solidariteti i BE-së me rajonin, angazhimi përmes programeve që synojnë nxitjen e investimeve dhe vullnetin për të vazhduar bashkëpunimin me të gjithë rajonin”, tha Mamer.

Ai bëri të ditur se presidentja e KE-së fillimisht do të qëndrojë në Shkup të mërkurën, kurse të enjten do të jetë në Prishtinë, nga ku turneun e saj do ta vazhdojë në Tiranë, për të vizituar më pas edhe Sarajevën, Beogradin dhe Podgoricën.

Vizita e Von der Leyen do t'i shërbejë edhe përgatitjes së samitit BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat