​Sallahu: Suksesi i funksionimit të ShKK-së është i dyfishtë

Aktuale

​Sallahu: Suksesi i funksionimit të ShKK-së është i dyfishtë

Më: 25 tetor 2022 Në ora: 11:45
Pamje nga vendi i ngjarjes

Zëvendësministri i Drejtësisë së Kosovës, Blerim Sallahu ka thënë se njësia korrektuese e Eulex-it ka kontribuar për rritjen e efikasitetit të Shërbimit Korrektues në Kosovë.

Kështu u shpreh ai në diskutimin për rolin e mbështetjes së këtij misioni për sistemin korrektues të Kosovës.

"Suksesi i funksionimit të ShKK-së është sukses i dyfishtë. Pasqyron edhe njësinë korrektuese të Eulex-it. Ministria e Drejtësisë janë përherë mirënjohës ndaj gjithë partnerëve tanë. Efiktiviteti i bashkëpunimit të deritanishëm do të vazhdojë", ka thënë Sallahu.

Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ky institucion është shembull tashmë në rajon.

"Njësia korrektuese ka dhënë një varg donacionesh, si: vetura, pajisje teknologjike, telefona e varg e varg donacionesh. Po ashtu njësia korrektuese ka iniciuar edhe njësinë për vlerësim dhe kategorizim të të burgosurve. Ka kontribuar edhe për pjesëmarrjen e ekspertëve në hartimin e ligjit. Përveç trajnimeve, njësia korrektuese ka dhënë kontributin edhe për dhënien e ndihmës së parë dhe parandalimit të rreziqeve të burgosurve", ka theksuar ai.

Shefja e Njësisë Korrektuese të Eulex-it, Ritva Vahakoski theksoi se në një trajnim kanë marrë pjesë mbi 80 pjesëtarë të Shërbimit Korrektues.

"Njësia korrektuese monitoron nevojën e grupeve të cënueshme. Nga viti 2008 deri në 2012, ka përfshirë një grup të armatosjes për shoqërimin e të burgosurve. Grupi për shoqërimin ka qenë i ndarë në dy njësi, një në Lipjan dhe një Dubravë. Nga viti 2010 deri më 2018, njësia korrektuese ishte përfshirë në planifikimin dhe ndërtimin e qendrave tjera korrektuese. Sot në këtë njësi janë vetëm pesë pjesëtarë ndërkombëtarë dhe pesë vendorë", tha ajo.

Shefi i shtyllës së Eulex-it për Monitorim, Benny Tollestrup Jensen tha se njësia korrektuese përcjell gjithë zingjirin e drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat