Mbledhja e Qeverisë/ Albin Kurti tregon 19 vendimet që mori sot Qeveria

Aktuale

Mbledhja e Qeverisë/ Albin Kurti tregon 19 vendimet që mori sot Qeveria

Nga: N. Sh. Më: 26 tetor 2022 Në ora: 18:04
Albin Kurti

Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se sot në mbledhjen e 102 të Qeverisë, kanë marrë 19 vendime.

Këto vendime sipas tij janë, për drejtësi, shëndetësi, ekonomi, infrastrukture etj.

Detaje për këto vendime kryeministri Kurti ka dhënë përmes një postimi në Facebook.

Më poshtë postimi i plotë:

Në mbledhjen e 102-të të Qeverisë, morëm 19 vendime, për drejtësi, shëndetësi, ekonomi, infrastrukturë etj.

Me Projektligjin e miratuar sot, për të parën herë në Kosovë, çështja e ekspertëve gjyqësor do të rregullohet me ligj.

Për blerje të barnave nga lista esenciale ndamë 4.2 milionë €.

Me qëllim nxitjen e zhvillimit në vend, miratuam Projektligjin për Zhvillim Rajonal të Balancuar.

Për mbrojtje të konsumatorit dhe rregullim të përgjegjësive të tregtarit, ndryshuam e plotësuam Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Me Samitin e Ballkanit Perëndimor, organizuar nga ‘‘The Economist’’ në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, Kosova u bë pjesë e hartës së konferencave ndërkombëtare të kësaj reviste prestigjioze. Subvencionuam organizimin e këtij Samiti në Prishtinë.

Për menaxhim efektiv të numrit të qenve me dhe pa pronar, miratuam Strategjinë Kombëtare 2022-2028.

Për të nderuar festën e madhe kombëtare të 28 nëntorit, për shënim të 110-të vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, themeluam Këshillin Organizativ për ceremoninë shtetërore.

Iniciuam hartimin e Planit të detajuar për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë.

Për ndërtimin e Zonës Ekonomike Industriale në Podujevë, miratuam kërkesën për shpronësim.

Miratuam tri koncept-dokumente për: Fushën e Menaxhimit të Financave Publike; Shoqëritë Tregtare; si dhe atë për Inspektimin në fushën e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat