Nrecaj: Martesat e gjinisë së njëjtë bien ndesh me Ligjin e Familjes

Aktuale

Nrecaj: Martesat e gjinisë së njëjtë bien ndesh me Ligjin e Familjes

Më: 26 tetor 2022 Në ora: 19:46
Anton Nrecaj

Projekt-Kodi Civil, i cili lejon martesat e gjinisë së njëjtë nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Mirëpo, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se ky Projekt-Kod do të miratohet së shpejti nga legjislativi. E për këtë çështje, avokati Anton Nrecaj, tha se regjistrimi i martesave të gjinisë së njëjtë bie ndesh me Ligjin e Familjes, por jo me dispozitat e Kushtetutës.

Më tej, Nrecaj vlerësoi se komuniteti LGBT në Kosovë është i diskriminuar, prandaj sipas tij, duhet të respektohet pakoja e të drejtave dhe lirive të njeriut e aprovuar që nga viti 2015.

“Kjo e drejtë, regjistrimi i martesave të gjinisë së njëjtë për kornizën ligjore bie ndesh me Ligjin e Familjes. Mirëpo, nuk bie ndesh me dispozitat e Kushtetutës dhe pakon e të drejtave dhe lirive të njeriut e cila është aprovuar në vitin 2015. E kemi një komunitet dhe një grup i cili natyrisht që janë të diskriminuar, ky grup ka të drejtë ta vazhdojë jetën ashtu si mendon. Realisht Kodi Civil është një përmbledhje e të gjitha ligjeve civile i cili e interpreton pjesën e dispozitave të ligjeve”, deklaroi Nrecaj në emisionin “Ditari”.

Madje Nrecaj njoftoi se tanimë ekziston rasti i parë në gjykatë ku një person ka ndërruar gjininë, e kjo sipas tij, është një praktikë gjyqësore e cila është krijuar dhe si e tillë duhet të pranohet.

Nga 61 deputetë të cilët kanë votuar për kodin civil, vetëm 28 kanë dhënë votën pro.

Teksa, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbot ka thënë se për t’u bërë Kosova pjesë e Këshillit të Evropës, së pari duhet të ketë një zgjidhje për çështjen e Kodit Civil.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat