LIVE/ “Mashtrues, po shpifni”, përplasje të ashpra në Kuvend mes deputetëve dhe ministrave

Aktuale

LIVE/ “Mashtrues, po shpifni”, përplasje të ashpra në Kuvend mes deputetëve dhe ministrave

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 06:15 Përditësuar në ora: 12:54 më 27.10.2022
Kuvendi i Republikës së Kosovës

​Policat e sigurimit kufitar, Musliu - Muratit: E keni mashtruar diasporën

Ministri i Financave, Hekuran Murati e deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu janë përplasur sot në Kuvend për policat e sigurimit kufitar.

Kjo e fundit ka thënë se mërgimtarët janë maltretuar gjatë kësaj vere me në numër të vogël janë rimbursuar këto mjete.

Deputetja e PDK-së e ka quajtur mashtrues, ministrin Hekuran Murati.

Musliu: Jo vetëm që je mashtrues ministër, por je mashtrues recedivist

“Jo vetëm që je mashtrues ministër, por je mashtrues recedivist. Ju i keni mashtruar mërgimtarët tanë duke thënë që do i heqim krejt policat, nuk do të paguani fare. Dhe tani ke mashtruar se as tetë për qind nuk janë rimbursuar, sepse ua ke pamundësuar me 101 mijë kushte, jo duhet me pas kredit kartelat bankare këtu, jo duhet me pas ata. Ata duhet krejt pushimin që e kanë tri javë që të kalojnë në zyre të qeverisë, në banka edhe te byro e sigurimeve. Prandaj je mashtrues. Ma gjej një emër tjetër për mashtrues, unë do ta them ndryshe. Por unë nuk njoh fjalë tjetër përveç mashtruesit. I keni mashtruar diasporën”, i tha Musliu-Muratit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se nuk kanë të dhënat se sa kanë qenë hyrjet e bashkatdhetarëve.

Murati: Kemi 11.923 aplikues për rimbursim të policave të sigurimit kufitar

“Në periudhën që keni cekur ju, numri i aplikantëve për rimbursim është 8.845. Por në tërësi, kemi 11.923 aplikues që kanë aplikuar për rimbursim për këtë policë”, ka thënë ai.

​Haxhiu u përgjigjet kritikave të PDK-së: Jemi shembulli më i mirë i një qeverie pa skandale korruptive

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është lavdëruar sot në Kuvend se në këtë qeverisje ka progres në sundimin e ligjit dhe përparime sipas vlerësimeve pozitive nga raportet ndërkombëtare për vendin.

Megjithatë, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se vendi ka regres sipas raporteve të huaja kredibile, e jo progres.

Haxhiu: Kemi vlerësime pozitive

“Indeksi vjetor për sundimin e ligjit, prej momentit kur Qeveria Kurti është në qeverisje, ne kemi pasur vlerësime pozitive nga organizatat ndërkombëtare kredibile, qoftë nga Departamenti i Shtetit ose edhe Raporti për vendin, që raporti i fundit është ndër raportet më të mira për vendin. Natyrisht ka edhe shumë punë për të bërë. Ne nuk po themi që i kemi rregulluar krejt punët dhe s’kemi çka të bëjmë më. Por, duhet vlerësuar raportet kredibile për vendin. Sikurse edhe atë për Transparency International, ku Kosova kishte lëvizur 17 vende pozitivisht. Sikurse edhe këtë, Word Justice Project, që radhitemi e dyta në botë, si shteti që kemi shënuar përmirësim në këtë fushë dhe i pari në Evropë. Përse nuk janë të sakta qëndrimet e deputetes Deliu, është për faktin se në vitin 2020 kanë qenë 128 vende që janë vlerësuar, ndërsa në vitin 2022 janë 140 vende”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se po të kishte rangim pozitv Kosova për sundim të ligjit, kësaj do t’i gëzohej edhe opozita, por siç tha ajo vendi nuk është duke shënuar progres në këtë fushë.

Deliu: Më 2021 ka pasur regres

“Po i referohem statistikave dhe po e them hapur që progresi në sundimin e ligjit dhe rangimit pozitiv të Kosovës do t’i gëzohej edhe opozita dhe për këtë nuk kam asnjë dilemë. E vërteta është që në vitin 2020 kemi qenë të radhitur në vendin e 54-të, e në fakt në 2021 Kosova ka pasur regres, jemi të radhitur në vendin e 60-të, dhe në këtë vit 2022 jemi në vendin e 57-të. Pra, nuk mund të quhet progres. Tash kemi dallime në tri poentime në Word Justice Project, që jemi tash më keq se sa që kemi qenë vite paraprake”, tha ajo.

Ministrja Haxhiu në kundër-replikë ndaj deputetes Deliu, tha se Qeveria aktuale është shembull më i mirë I një qeverie, e cila nuk e ka asnjë skandal korruptiv.

Ajo tha se kanë adresuar të gjitha rastet korruptive për qeverisjet e kaluara.

Haxhiu: Jemi shembulli më i mirë i qeverisjes, nuk ka asnjë skandal korruptiv

“Ne jemi shembulli më i mirë i një qeverie, që më shumë se një vit e gjysmë dhe nuk e ka asnjë skandal korruptiv. Jemi shembulli më i mirë, që shkeljet që i kemi gjetur nëpër institucione publike, i kemi dërguar në polici dhe prokurori. Po ashtu jemi shembulli më i mirë që zyrtarët e korruptuar që i kemi pasur nëpër institucione i kemi shkarkuar, pavarësisht se çka kanë bërë pastaj Këshilli dhe institucionet tjera. Unë vetë shumë zyrtarë i kam dërguar në polici dhe prokurori. Prandaj janë vlerësime të tilla, sepse njihet vullneti dhe progresi që jemi duke bërë në këtë drejtim. Kjo është çka po thotë qeveria jonë”, tha ajo.

Murati tregon sa mërgimtarë kanë aplikuar për rimbursim të policës kufitare

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kërkuar informata se sa mërgimtarë kanë bërë pagesën e policës së sigurimit gjatë periudhës 1 qershor-31 gusht 2022 dhe sa kanë aplikuar të rimbursohen nga Qeveria.

Ministri Murati është përgjigjur në pyetjen e Musliut për numrin e aplikantëve.

“Sa i përket numrit se sa kanë qenë hyrjet, këtë informatë Ministria e Financave nuk e ka.

Është informatë që e posedon Ministria e Mbrojtjes, Byroja Kosovare e Sigurimeve që i ka lëshuar polisat. Për periudhën që e keni cekur, numri i aplikantëve për rimbursim është 8 mijë e 845, por në tërësi kemi 11 mijë e 923”, tha Murati.

​Musliu e Haxhiu përplasen në Kuvend mbi raportet ndërkombëtare për Kosovën

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka deklaruar se është rezultat i opozitës pse Kosova po del më pozitive në raporte ndërkombëtare për vendin.

Derisa është diskutuar për raportin “World Justice Project”, ajo ka kritikuar pozitën e tanishme, duke thënë se dikur kishte shpifur për të njollosur vendin. Për këtë ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila tha se nuk ka pasur opozitë e qeveri më të mirë se tani. Ndërsa, kryeparlamentari Glauk Konjufca i ka reaguar ministres duke u shprehur se “Albulenë, e monopolizove krejt”.

Në seancë plenare, deputetja Ganimete Musliu ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje që në ambasada e vizita zyrtare kanë tentuar të njollosin vendin.

Musliu: Rezultat është i opozitës më shumë se sa i pozitës

“Raportet nuk shkruhen për ndërhyrje në gjyqësor, rezultat është i opozitës më shumë se sa i pozitës. Sepse nuk ka deputet e as deputete, nuk ka partiak cilido tabor opozitar që shkruan raporte kundër qeverisë, qysh keni shkruar ju. Nuk keni lënë zyrë pa shkuar dhe thënë ‘korrupsioni, korrupsioni, ndërhyrje politike, ndërhyrje politike’. Ata shkruajnë, çfarë dëgjojnë. Prandaj, puno e mos na sugjero, nuk kemi nevojë për mësues, as për këshilltar, jemi deputetë me përvojë të gjatë politike në Kuvend. Thjesht, ka ndryshuar situata, sepse opozita në Kosovë është përmbajtësore, nuk është demagogjike, shpifëse, intrigante dhe një pozitë e cila dëshiron që të njollosë gjithçka këtë vend”, tha Musliu.

Për këtë ka reaguar ministrja Albulena Haxhiu e cila tha se në opozitë e tani janë më të mirët.

Haxhiu: Organizatat vendore dhe ndërkombëtare nuk bëjnë raporte me t’nime Gane

“Organizatat vendore dhe ndërkombëtare nuk bëjnë raporte me t’nime Gane. Nuk i bëjnë raportet me t’nime. Bëjnë një analizë, bëjnë një vlerësim, takojnë organizatat e shoqërisë civile dhe akterët e tjerë, pastaj i bëjnë raportet. Dhe e dyta, me bindje të plot e them ky kuvend s’ka pasur asnjëherë opozitë më të fuqishme se LVV dhe asnjëherë s’ka pasur qeveri më të fortë se LVV. Faleminderit”, ka thënë Haxhiu.

Deklaratat e kryeparlamentarit Glauk Konjufca kanë nxitur të qeshura në Kuvend derisa i tha Haxhiut që të mos monopolizojë me meritat.

Konjufca: Albulenë, e monopolizove krejt

“Pse nuk po i ndani kapak meritat... Albulenë, e monopolizove krejt edhe në opozitë më të mirët edhe në qeveri më të mirët. Ngadalë, se mundet tani “mësysh”, nuk bën ashtu. Kështu nuk po replika nuk po replika në këtë pjesë Gane”, tha Konjufca.

Më tej, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu ka vazhduar me kritika.

Musliu: Ju jeni vetëm për opozitë

“Unë pajtohem pjesërisht me Albulena Haxhiu, ju jeni vetëm për opozitë për qeveri jeni dëshmuar moti që nuk ja keni haberin”, ka vazhduar Musliu.

Për këtë nuk ka replikuar Haxhiu, për çka Konjufca tha se ka ‘mbetur pa tekst’.

Konjufca: Albulena po thotë më ka lanë tekst

“Albulena po thotë më ka lanë pa tekst, kështu që vazhdojmë”, ka përfunduar Konjufca.

Deputetët ftojnë shqiptarët e Luginës të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë

Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës kanë ftuar qytetarët shqiptarë në Luginën e Preshevës që të marrin pjesë masivisht në procesin e regjistrimit të popullsisë edhe në këto katër ditë sa ka mbetur afat deri më 31 tetor.

Në seancën e sotme, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje Arbëresha Kryeziu-Hyseni tha se kanë mbetur edhe katër ditë për të shfrytëzuar masivisht këtë të drejtë për të luftuar mohimin e Serbisë për ekzistencën shqiptare dhe për të dëshmuar se Lugina e Preshevës është me shumicë shqiptare dhe se janë shumë edhe më shumë se sa Serbia mendon.

Kryeziu-Hyseni: Ta dëshmojmë se Lugina e Preshevës ka qenë, është dhe do të jetë e shqiptarëve

“Të dashur qytetarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, procesi i regjistrimit të popullsisë përfundon më 31 tetor, kanë mbetur edhe katër ditë që diskriminimit dhe pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi, t’i përgjigjeni me regjistrim. Kanë mbetur edhe katër ditë që ju ta përmbushni obligimin tuaj duke e bërë të mundur që për herë të parë pas dy dekadash të posedohen shifrat e sakta të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. Ta dëshmojmë se Lugina e Preshevës ka qenë, është dhe do të jetë e shqiptarëve dhe se synimi i tyre është një jetë e dinjitetshme, e mirëqenë, e integruar dhe e përfshirë në jetën institucionale. Pra kanë mbetur katër ditë për të shfrytëzuar masivisht këtë të drejtë për të luftuar mohimin e Serbisë për ekzistencën shqiptare dhe për të dëshmuar se Lugina e Preshevës është me shumicë shqiptare dhe se jemi shumë, e edhe më shumë se sa ata mendojnë”, tha ajo.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se shqiptarët e Luginës duhet të kenë trajtimin e njëjtë si serbët në Kosovë.

Derisa ka përmendur diskriminimet që po u bëhen shqiptarëve të tri komunave, ai ka bërë thirrje për regjistrim të tyre.

Tahiri: Ky është një moment historik për t’i rezistuar përndjekjes

“Meqë aktualisht në Serbi është duke ndodhur procesi i regjistrimit të popullsisë, dua të shfrytëzoj këtë minutë për t’u bërë edhe një herë thirrje gjithë shqiptarëve të Luginës që ta shfrytëzojnë këtë moment për tu regjistruar, e për të marrë pronësi mbi identitetin e tyre etnik e qytetar. Kanë mbetur edhe katër ditë para se një proces i tillë të përmbyllet, prandaj e konsideroj si shumë të nevojshme që nga këtu, unë dhe gjithsecili prej jush t’ ju bëjmë thirrje gjithë bashkëkombësve tanë që ta shfrytëzojnë të drejtën e regjistrimit të përkatësisë kombëtare. Sepse ky është një moment historik për t’i rezistuar përndjekjes dhe për ta frenuar asimilimin e vendbanimeve historike të shqiptarëve të Luginës”, ka thënë ai.

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Luginë ka nisur më 1 tetor dhe përfundon më 31 të këtij muaji.

Tahiri: Qeveria Kurti më e dobëta ndonjëherë, nuk i ka kryer as tri punë

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka qenë shumë kritik ndaj qeverisë e shumicës parlamentare në seancën e sotme plenare.

Ai ka thënë se Vetëvendosje, e ka bërë temë numër një dialogun me Serbinë, ndërsa problemet konkrete, zgjidhja e të cilave i japin kuptim jetës së qytetarëve, i ka lënë anash.

“Agjenda politike ka lëvizë, ajo e Qeverisë sidomos për dialogun, nga pika e 7 ka kalu në pikën e parë. Ligji për paga, që një muaj qeveria nuk është në gjendje me procedu këtë ligj. Është shumë mashtruese me vendosë një nen se Ligji i buxhetit do ta përcaktoj vlerën e koficientit, dhe sot mos të folet aspak rreth kësaj teme, se sa është koficienti. A është kjo strategji e qeverisë që mos me e pru në kohë ligjin për paga, në mënyrë që prapë me pasë shtyerje për ketë ligj. Tema e dytë që du me e pëmend, iniciativa e deputetetit Haxhiu, për trustin është duke pritur, kjo temë që i jep kuptim jetërve të njerëvzve”, ka thënë Tahiri.

Tutje Tahiri tha se kjo qeveri nuk i ka kryer as tri punë që i japin kuptim jetës së qytetarëve e se kjo është qeveria më e dobët ndonjëherë.

“Kjo qeveri nuk i ka kryer as tri punë, që i japin kuptim jetërve të qytetarëve, është qeveria më e dobët që e kemi pasur ndonjëherë. Ne mund të flasim për Lajçakun, për dialogun, por duhet të flasim sidomos për tema konkrete që i presin qytetarët nga ne.”, shtoi Tahiri.

​Deputeti ukrainas: Kosova është shtet i pavarur

Me duartrokitje është pritur nga parlamenti i Kosovës, deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko. Ai në seancën e sotme ka mbajtur fjalim para deputetëve, ku ka garantuar se do të punojë për njohjen e Kosovës. “Kosova është Evropa” ka thënë ai, derisa ka shtuar se edhe në Këshillin e Evropës do të mbështes Kosovën që të bëhet anëtare me të drejta të plota.

Para fillimit të seancës plenare, deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe se do të punojë për njohjen nga Ukraina.

Kështu u shpreh ai para parlamentit të Kosovës, derisa theksoi se më 5 gusht i ka thënë parlamentit ukrainas që ta njeh pavarësinë e Kosovës si shtet të pavarur.

Goncharenko: Ju jeni një shtet i pavarur

“Unë mendoj që kjo duhet të bëhet sa më parë, sepse ju keni luftuar për lirinë tuaj, ju jeni një shtet i pavarur. Unë do të bëj çfarëdo që është në fuqinë time që t’ ju ndihmoj me këtë. Dhe dua t’ ju informoj që miqtë e Kosovës, tani i ka edhe më të shumtë miq. Në parlamentin ukrainas kemi organizuar një kauzë për miqtë e Kosovës dhe unë kam nderin që të jem kryetari i kësaj kauze. Dhe mund të llogaritni në ne në çdo moment. Dhe do të bëjmë çfarë do që është e mundur që t’ ju ndihmojmë që të ecim kësaj rruge së bashku me ju. Edhe si anëtar të Parlamentit të Këshillit të Evropës, si zëvendës president i Komisionit për Refugjatët dhe Migrim në Këshillin e Evropës dua t’ ju siguroj se unë aty do të bëj çfarëdo që është e mundur që të mbështes Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës me të drejta të plota sa më parë që është e mundur. Kosova është Evropa, unë besoj në këtë”, ka deklaruar ai para Kuvendit të Kosovës.

Ai ka shtuar se Kosova e pavarur e shkatërron ëndrrën e Jugosllavisë së re. Sipas tij, njerëzit nga Ukraina janë të fortë dhe do të dalin fitimtarë nga invazioni rus.

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko ka deklaruar se popullata nga shteti që vjen është e afërt me Kosovën.

Goncharenko: Ne ndjehemi shumë të afërt me ju

“Sot, mijëra ukrainas dhe njerëzit e huaj janë duke luftuar për sigurinë e Evropës dhe sigurinë e tërë botës së lirë në Ukrainë. Kjo nuk është vetëm për pavarësinë e Ukrainës, por për të gjithë botën e lirë. Ne ndjehemi shumë të afërt me ju, sepse edhe njerëzit kosovarë kanë kaluar nëpërmjet një gjenocidi. Njerëzit e Ukrainës janë duke kaluar këtë tani. Kosovarët kanë luftuar për pavarësinë e tyre dhe ne tani jemi duke luftuar për pavarësinë tonë. Jo për herë të parë në këto 100 vjetet, por këtë herë ne do të fitojmë. Dhe dua t’ ju siguroj se do të jemi ne fituesit dhe do të fitojë bota e lirë, sepse ne do të kemi sukses në këtë luftë”, ka thënë ai.

Para deputetëve të Kosovës, ai shtoi se ushtria ruse nuk mund të bëjë asgjë, kështu siç tha ai, ata po tentojnë që të hakmerren ndaj civilëve dhe njerëzve të pafajshëm.

Ai ka kërkuar edhe nga Parlamenti i Kosovës që të cilësojë si regjim terrorist, luftën që po bën Rusia kundër Ukrainës.

Goncharenko: Kërkoj nga ju që ta cilësoni këtë regjim terrorist

“Unë erdha nga Brukseli dje dhe dua t’ ju them që në fund të nëntorit, Parlamenti Evropian do të votojë për cilësuar si regjim terrorist, regjimin rus. Dhe Këshilli i Evropës e ka bërë këtë në tetor. Dje është bërë nga senati në Poloni dhe kërkoj edhe nga ju ta bëni një gjë të tillë. Që ta cilësoni këtë regjim rus si një regjim terrorist, i cili është duke bërë një gjenocid kundër ukrainasve dhe kjo është një fakt. Dhe dua të ju them që ne kemi shumë gjëra të përbashkëta”, ka shtuar ai.

Deputeti ukrainas gjatë këtij muaji para Këshillit të Evropës ka kërkuar njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet mos-njohëse.

Deputeti ukrainas në Kuvend: Ukraina duhet ta njohë Kosovën sa më parë, do të bëj gjithçka për këtë

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko tha në Kuvendin e Kosovës se kosovarët kishin kaluar nëpër gjenocid ashtu siç po kalojnë ukrainasit sot.

Goncharenko tha se do të bëjë gjithçka çfarë mundet që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Unë mendoj që kjo duhet të bëhet sa më parë”, tha ai.

“Unë do të bëj çfarëdo që është në dorën time që t’ju ndihmoj në këtë”, shtoi Goncharenko.

Sikur shqiptarët më 1998-1999, Goncharenko tha se ukrainasit po luftojnë për pavarësinë e tyre.

“Ne ndjehemi shumë të afërt me ju, sepse edhe kosovarët kanë kaluar nëpër gjenocid. Ukrainasit janë duke kaluar nëpër këtë tani. Kosovarët kanë luftuar për pavarësinë e tyre dhe ne tani jemi duke luftuar për pavarësinë tonë”, tha ai.

Deputeti më 5 gusht e kishte dorëzuar në Parlamentin e Ukrainës një rezolutë, përmes së cilës kërkonte që vendi i tij ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Deputeti ukrainas në Kuvend, ligjvënësit mbajnë një minutë heshtje për të vrarët në Ukrainë

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko po merr pjesë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët, në fillim të seancës kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të të vrarëve ukrainas në luftën e nisur nga Rusia atje tash e gati një vit.

Deputeti Goncharenko javë më parë kishte dorëzuar në Kuvendin e Ukrainës një rezolutë përmes së cilës kërkonte njohjen e pavarësisë së Kosovës.

​Deputeti ukrainas mban fjalim në kuvend

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko po merr pjesë në Kuvendin e Kosovës. Deputetët janë ngritur në këmbë për Goncharenkon.

Para fillimit të seancës, ai ka publikuar një video në Twitter, ku ka njoftuar se do të mbajë një fjalim para organit më të lartë legjislativ.

“Janë planifikuar takime me Presidentin dhe Kryeministrin. E gjithë bota e lirë duhet të jetë e bashkuar”, ka shkruar Goncharenko.

Kujtojmë se deputeti nga Ukraina para Këshillit të Evropës kishte kërkuar njohjen e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat