​Kuvendi miraton në parim Projektligjin për mbështetjen e punëve publike

Aktuale

​Kuvendi miraton në parim Projektligjin për mbështetjen e punëve publike

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 13:56
Foto ilustrim

Me 36 vota pro, Kuvendi ka miratuar në parim Projektligjin për mbështetjen e punëve publike.

Sikurse për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, ashtu edhe për Projektligjin për mbështetjen e punëve publike, kuvendi ka votuar mocionin e propozuar nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes për shmangien e rregullores së Kuvendit për shqyrtimin e këtyre dy projektligjeve me procedurë të përshpejtuar në një seancë të re më 8 nëntor.

Shefja e këtij grupi, Mimoza Kusari Lila ka thënë se këto dy projektligje kanë rëndësi të veçantë për shkak të ngritjes së inflacionit në vend. Ajo ka treguar edhe procedurat për shqyrtimin në lexim të dytë për këto projektligje.

Kusari-Lila: Shqyrtimi i dytë i projektligjit të bëhet në seancë të re më 8 nëntor

“Pas miratimit në shqyrtim të parë, amendamentet e këtij projektligji mund t’i adresohen Komisionit funksional deri në orën 13:00 të datës 31 tetor 2022. Komisioni funksional deri në orën 10:00 të datës 2 nëntor 2022 duhet të shqyrtojë projektligjin për mbështetjen e punëve publike dhe raportin me rekomandime t’ia paraqes komisioneve të përhershme. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit të bëhet në seancë të re plenare të datës 8 nëntor prej orës 11:00”, tha ajo.

Projektligji për mbështetjen e punëve publike ka për qëllim të krijojë një mekanizëm për kompozimin deri në një masë të caktuar të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore dhe punëve përcjellëse të kontratave për punë të lidhura në mes të autoriteteve kontraktuese dhe operatorëve ekonomik.

Në seancën e sotme Kuvendi ka miratuar edhe në lexim të dytë projektligji për Qeverinë e Kosovës.

Derisa me 63 vota deputetët kanë votuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë. Edhe për këtë projektligj u vendos të shqyrtohet në lexim të dytë më 8 nëntor në seancën plenare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat