Kurti: Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE para përfundimit të këtij viti

Aktuale

Kurti: Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE para përfundimit të këtij viti

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 14:46
Foto ilustrim

Kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi sot me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka njoftuar këtë të fundit për avancimin e vazhdueshëm që Kosova po shënon në indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, punën në drejtësi dhe luftimin e krimi dhe korrupsionit.

Kurti veçoi të gjeturat e raportet ndërkombëtare që dëshmojnë për përparimin gradual por të vazhdueshëm të Republikës së Kosovës në shumë fusha.

Duke përfshirë këtu Raportin e Vendit për vitin 2022, që ishte ndër më të mirët në rajon, dhe tash së fundmi raportin e Projektit të Drejtësisë Botërore (WJP) i cili përveçse rendit Kosovën si të parën në rajon për nga sundimi i ligjit, e rendit atë në vendin e dytë në botë si shteti me përmirësimin më të madh në këtë fushë.

Sa i përket rrugës drejt Bashkimit Evropian, kryeministri Kurti tha se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE para përfundimit të këtij viti.

Ndërkaq sa i përket liberalizimit të vizave, kryeministri Kurti u shpreh se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret dhe se liberalizimi tashmë është më se meritor për qytetarët e saj.

Në takim u diskutua edhe për krizën energjetike me të cilën po përballet i gjithë kontinenti evropian.

Bashkimi Evropian ka qenë partner i vazhdueshëm i shtetit të Kosovës. Në këtë takim të sotëm, u konfirmua ndihma e menjëhershme buxhetore prej 75 milionë euro për Kosovën në ballafaqimin me krizën energjetike.

Në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për këtë mbështetje e cila do të ndihmojë drejtpërdrejt në minimizimin e efekteve të krizës energjetike te qytetarët tanë.

Pas takimit, Kurti dhe Ursula von der Leyen vizituan së bashku objektin e Fakultetit të Arkitekturës, i cili falë financimit të Bashkimit Evropian, tani ka një sistem të ri të ngrohjes qendrore. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat