Serwer zbulon çka i tha Daçiq, tregon si do të veprojë qeveria e re serbe ndaj Kosovës

Aktuale

Serwer zbulon çka i tha Daçiq, tregon si do të veprojë qeveria e re serbe ndaj Kosovës

Më: 28 tetor 2022 Në ora: 12:06
Daniel Serwer

Profesori i Shkollës për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në “Johns Hopkins University” Daniel Serwer ka vlerësuar se Qeveria e re e Serbisë do të marrë kursin e ish-ekzekutivit në raport me Kosovën.

“Do ta fajësojnë Kosovën për dështimin e dialogut. Nuk kam arsye të besoj se Serbia është e gatshme të marrë rrugën e njohjes diplomatike apo të një marrëveshjeje substanciale. Tashmë janë arritur marrëveshje të shumta, por nuk janë zbatuar. Pres që kjo do të vazhdojë edhe më tutje. Shpresoj se e kam gabim”, ka thënë Serwer.

Sipas tij, gjëja më e rëndësishme për Serbinë është respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive të mediave, por që gjithnjë e më shumë po kthehet në drejtim autokratik.

“Mediat përcjellin shpesh qëndrimet raciste të pushtetit ndaj shqiptarëve, ose bëhen promotore të propagandës ruse. Duket se gjykatat nuk janë të pavarura dhe po shkelen të drejtat e njeriut. Opozita është e fragmentuar dhe e djathta nacionaliste po bëhet gjithnjë më e fortë se sa e majta demokratike”, ka thënë Serwer për Zërin e Amerikës.

Ai ka deklaruar se demokracia e vërtetë dhe respektimi i të drejtave të njeriut kërkojnë një mundësi reale të ndryshimit të qeverisë, duke theksuar se ai sheh pak gjasa që kjo të ndodhë në Serbinë e sotme.

Serwer beson se Serbia do të refuzojë vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe se është më realiste që Serbia të kthehet kah Kina e jo kah Perëndimi.

“Perëndimi po pret vendosjen e sanksioneve. Unë pres që Serbia ta refuzojë këtë – siç ka bërë që nga shkurti”, ka thënë Serwer, duke shtuar se megjithatë Serbia ndoshta mund të dëshirojë të largohet nga sfera e ndikimit rus.

“Kjo mund të ndodhë kur Moska të humbasë luftën në Ukrainë. Megjithatë, është më realiste që Serbia të kthehet kah Kina sesa kah Perëndimi. Në çdo rast, ministri i ri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, është një avokues i flaktë i marrëdhënieve të ngushta me Moskën. Një herë më ka thënë se “Serbia ka nevojë për përqafimin e ariut rus. Kjo nuk përfaqëson pikëpamjen time për orientimin drejt Perëndimit”, ka thënë ai.

Serweri e ka mirëpritur faktin që më në fund është formuar pushteti ekzekutiv i Serbisë, por që nuk i kupton arsyet e pritjes për gjysmë viti.

“Do të habitesha nëse pushteti aktual të avancojë procesin e reformave në kuadër të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Ana Bërnabiq tashmë kishte një mundësi për këtë –  por të cilën e humbi”, ka përfunduar Serwer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat