Krasniqi për targat: Shtrirja e sovranitetit kërkon zgjidhje përmes dialogut dhe përkrahje të Amerikës- që në këtë rast nuk e kemi!

Aktuale

Krasniqi për targat: Shtrirja e sovranitetit kërkon zgjidhje përmes dialogut dhe përkrahje të Amerikës- që në këtë rast nuk e kemi!

Më: 1 nëntor 2022 Në ora: 20:07
Albert Krasniqi

Aktivisti i shoqërisë civile, Albert Krasniqi konsideron se vendimi për targat po i ngjanë atij vendimit për tarifën 100% në produktet e importit nga Serbia.

Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se në mungesë guximi për tu përballur me propozimet që u bëhen në dialog, marrin vendime “kryeneçe” si ky për targat.

“Sa herë që kryeministrat gjenden në një qoshe nga propozimet që u hedhën në tavolinën e dialogut, në mungesë të guximit për t’u përballur me to, rrugën e shpëtimit e gjejnë përmes vendimeve kryeneçe si këto”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, shtrirja e plotë e sovranitetit nuk mund të bëhet me nënshkrimin e një vendimi nga zyra në Prishtinë.

“Aq më pak kur për këto vendime nuk ke përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare, dhe as fuqinë për t’i zbatuar i vetëm. Po flasim për komuna ku qytetarët nuk e paguajnë as energjinë elektrike të shpenzuar, e lëre më të pritet bindje për shkak të fletë-qortimeve e shqiptimit të gjobave. Konfiskimi i veturave duket edhe më pak i mundshëm, kur kujtojmë pamundësinë për të larguar dy kamionë që bllokonin rrugët në herën e parë”, ka nënvizuar ai.

Krasniqi në fund ka theksuar se shtrirja e sovranitetit në veri është proces politik që kërkon zgjidhje përmes dialogut dhe në veçanti përkrahje të Amerikës - që në këtë rast nuk e kemi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat