Ish-ministri Ismaili: Për keqardhje mosbesimi i presidentes në institucionet publike shëndetësore

Aktuale

Ish-ministri Ismaili: Për keqardhje mosbesimi i presidentes në institucionet publike shëndetësore

Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 14:04
Uran Ismaili

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se është për keqardhje dhe shqetësues mosbesimi i koalicionit qeverisës ndaj Institucioneve Publike Shëndetësore, duke përmendur operimin e presidentes Osmani në një klinikë private.

Ismaili thekson se tash bëhen një muaj prej kur Ministria e Shëndetësisë është pa ministër, teksa shton se shëndetësia nuk rregullohet me konferenca e vizita.

Reagimi i tij i plotë:

Qindra dhe mijëra qytetarë të Kosovës marrin shërbime shëndetësore çdo ditë në institucionet publike. Rrjedhimisht, fuqizimi dhe mbështetja e tyre duhet të jetë prioritet për secilin zyrtar dhe secilën qeverisje të vendit.

Sot, është për keqardhje mosbesimi i madh që ky koalicion qeverisës po tregon ndaj Institucioneve Publike Shëndetësore, siç është rasti i operimit të Presidentes në një klinikë private.

Për më tepër, neglizhenca ndaj sektorit të shëndetësisë prej kësaj Qeverie, është edhe më shqetësues.

Brenda pak muajve po e presim ministrin e tretë të Shëndetësisë, ndërkaq, po bëhen tashmë një muaj që kur ky sektor është PA ministër.

Shëndetësia nuk ndreqet me konferenca për media e as me vizita në shërbim të PR-it personal, por vetëm me investime konkrete, të cilat, fatkeqësisht, ende nuk po i shohim askund.

Shërim të shpejtë, Presidente!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat