​Qeveritë e Ballkanit Perëndimor lansojnë një bazë të dhënash publike unike për rastet e personave të zhdukur

Aktuale

​Qeveritë e Ballkanit Perëndimor lansojnë një bazë të dhënash publike unike për rastet e personave të zhdukur

Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 15:38
Foto nga vendngjarja

Si pjesë e Procesit të Berlinit, sot në Hagë Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) dhe Grupi i Personave të Zhdukur (GPZH), i cili përbëhet nga institucionet vendase përgjegjëse për çështjet e personave të zhdukur, nga Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, krijuan një bazë rajonale të të dhënave për rastet e personave të zhdukur aktivë nga konfliktet në territorin e ish-Jugosllavisë.

Krijimi i kësaj baze të dhënash unike interaktive do të thotë që të dhënat e përditësuara tani janë të disponueshme publikisht në çdo kohë, dhe u mundëson familjeve të të zhdukurve dhe të tjerëve të rishikojnë të dhënat ekzistuese dhe të ofrojnë informacione shtesë apo reagime online për institucionet vendase.

“Krijimi i kësaj baze të dhënash publike është një shembull i dukshëm i bashkëpunimit rajonal: ajo pasqyron një angazhim për të dhënë informacion faktik dhe për të depolitizuar çështjen e personave të zhdukur,” tha sot drejtoresha e përgjithshme e ICMP-së, Kathryne Bomberger.

"Baza Rajonale e të Dhënave do të shërbejë si një model për vendet në çdo pjesë të botës që përballen me detyrën e vështirë të llogaridhënjes së nje numri të madh personash të zhdukur si rezultat i konfliktit," shtoi ajo.

Andin Hoti, kryetar i Komisionit Qeveritar të Kosovës për Persona të Zhdukur tha se duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe kompleksitetin e këtij procesi, janë të vetëdijshëm se puna jonë gjykohet nga familjaret e personave te zhdukur përmes lenteve emocionale, të cilët pranojnë vetëm rezultate dhe përgjigje të qarta dhe në një kohë sa më të shkurtër.

“Një punë e rëndësishme është bërë në funksionalizimin e bazës së të dhënave rajonale për rastet aktive të personave të zhdukur nga luftërat në territorin e ish Jugosllavisë, por ende ka punë për të bërë në zbatim të komponentave tjera të planit”.

Ndërsa, Haki Kasumi, Kryetar i Komitetit Rajonal të Rrjetit Rajonal të Shoqatave të Familjeve të Personave të Zhdukur nga territori i ish-Jugosllavisë, tha se mirëpret përpjekjen e përbashkët të institucioneve përgjegjëse për çështjet e personave të zhdukur brenda GPZh-së, duke përfshirë krijimin e bazës së të dhënave rajonale.

“Pavarësisht përpjekjeve të bëra deri më tani, mbi 11,000 persona janë ende të zhdukur. Si rezultat, është kritike që të bëhen përpjekje të mëtejshme për të gjetur sa më shumë prej këtyre njerëzve dhe për të sjellë drejtësi në familjet e tyre”, tha ai.

Lucy Ferguson, zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën Britanike në Hagë, tha se baza e të Dhënave Rajonale është një moment historik i rëndësishëm në llogaritjen e personave të zhdukur në Ballkanin Perëndimor.

“Bashkëpunimi thelbësor u ofron familjeve dhe shoqërive në rajon shansin më të mirë për të arritur drejtësinë, për t'u shëruar dhe për të ecur përpara,” tha ai.

Baza e të dhënave Rajonale menaxhohet nga Grupi i Personave të Zhdukur (GPZH). Aktualisht përmban gjithsej 11,396 regjistrime. Ky numër do të ndryshojë kur raportohen raste të reja ose kur zgjidhen rastet. Baza e të dhënave është e kërkueshme sipas emrit, emrit të babait, mbiemrit dhe territorit të raportuar të zhdukjes. Duke klikuar në një rezultat specifik kërkimi, më shumë kategori të dhënash hapen për t'u parë.

GPZH përfaqëson një mekanizëm aktiv dhe shumëpalësh të bashkëpunimit pas konfliktit. Ajo është e rrënjosur në Deklaratën për Personat e Zhdukur e nënshkruar nga krerët e qeverive të 16 vendeve të Procesit të Berlinit të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor, në Londër në 2018. GPZH operon në përputhje me një Plan Kornizë të dakorduar reciprokisht të aktiviteteve që fokusohet në çështje me rëndësi për të gjithë anëtarët për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur në Ballkanin Perëndimor. Qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës Federale të Gjermanisë janë duke financuar zbatimin e Planit Kornizë.

Për të siguruar llogaridhënien, GPZH raporton çdo vit në samitet e Procesit të Berlinit të Ballkanit Perëndimor dhe në një forum vjetor të shoqatave të familjeve të personave të zhdukur nga i gjithë Ballkani Perëndimor dhe Kroacia.

ICMP është një organizatë ndërqeveritare e bazuar në traktat me seli në Hagë. Mandati i ICMP është të sigurojë bashkëpunimin e qeverive dhe të tjerëve në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur nga konflikti, abuzimet e të drejtave të njeriut, fatkeqësitë, krimi i organizuar, migrimi i parregullt dhe shkaqe të tjera dhe t'i ndihmojë ata për ta bërë këtë. Është e vetmja organizatë ndërkombëtare e ngarkuar ekskluzivisht për të punuar në çështjen e personave të zhdukur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat