Rreziku fundamental nga programi për shpopullimin e shqiptarëve në Ballkan!?

Aktuale

Rreziku fundamental nga programi për shpopullimin e shqiptarëve në Ballkan!?

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 3 nëntor 2022 Në ora: 17:31
Foto ilustrim

Sigurisht se pak veta mund të përgjigjen me siguri të lartë se një program i vërtetë ekziston për shpopullimin e shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia... Shqipëria, më shumë se 30 vjet prej kur i kishte mbi 3 milionë banorë, jo vetëm që nuk ia ka dalur ta shtojë popullsinë rezidente, por tashmë ka rreth 10 % më pak se që kishte shumë dekada më parë.

Ndërsa, ne dhe autorë të tjerë kemi shkruar se ka një përpjekje të përbashkët për të tkurrur numrin e shqiptarëve, si në Shqipëri, Kosovë dhe gjetkë, të tjerët janë munduar t’i shohin se fenomene të kohës. Si një rritje të lëvizjes së njerëzve, përfshirë intelektualët apo profesionistët që janë në kërkim të një jete më të mirë, pagave dhe kushteve të përgjithshme.

Por, as Shqipëria dhe as Kosova nuk janë brenda atyre rasteve, për shkak se shumica e atyre që largohen nga këto vende, nuk ikin thjesht për rritje të mirëqenies, por për shkak të mungesës së saj, mungesës së punësimit elementar apo profesional.

Humbja e 1.5 milionë banorëve të Shqipërisë

Njëkohësisht, kjo ikje ka ulur apo nuk e ka lejuar rritjen e numrit për rreth 50% të banorëve. Shqipëria nominalisht bazuar në shtimin e popullsisë, do të duhej të kishte diku mbi 4.5 milionë banorë, ndërsa besohet se nuk i ka as 3 milionë.

Kosova vlerësohet se ka rreth 1.5 milionë banorë, dhe se do të duhej të kishte mbi 2.5 milionë banorë apo rreth 2.7 milionë.

Që të dyja vendet, përveç me ballafaqimin me ikjen masive nga vendi, për shkak të ndryshimeve kulturore kanë pësuar rënie drastike të shtimit të popullsisë, veçmas shqiptarët e Kosovës.

Por, a ka një teori, e cila parashikon uljen e mëtejshme të numrit të banorëve shqiptarë, në Kosovë e Shqipëri, por edhe në Ballkan?

Përveç se e kam analizuar si një përpjekje të ‘padukshme’ madje do të thosha programatike për zbrazjen e trojeve shqiptare nga shqiptarët, kam shkruar po ashtu se kisha një informacion të një zyrtari, nëse mund të themi kështu, meqë ishte edhe kandidat për deputet, se Kosova sipas vlerësimeve nuk duhet të ketë më shumë se 1.2 milion banorë. Pavarësisht kundërvënies dhe argumentimit tonë, ai nuk hiqte dorë duke e mbrojtur si një ‘projekt të mirë’!

Pra, ky projekt ishte i përqafuar nga njerëz në institucione tona, por zyrtarisht i papranuar.

Një indikacion tjetër ka dalur, rreth ekzistimit të një projekti që Shqipëria të zbrazet nga shqiptarët.

Ky projekt është përfolur dhe botuar nga shumë media në Shqipëri dhe Kosovë, i cili shfaqet në një debat televiziv ndërmjet dy gazetarëve britanik.

Debati në Britani të madhe u hap së fundi, pasi qeveria e atjeshme po përpiqet se si ta parandalojë një fluks në rritje të shqiptarëve të Shqipërisë që po ia mësyjnë këtij vendi, nëpërmjet udhëtimit ilegal.

Image
Gazetari britanik Kelvin MacKenzie nuk doli thjesht me një hamendje spontane

Sigurisht se ajo që debatuan gazetarët britanik Mark Steyn dhe ajo që tha Kelvin MacKenzie nuk doli thjesht si një hamendje spontane. Nuk mund të ishte rastësi, ata ishin të informuar mirë, jo vetëm për statistikat, por edhe për shumë çështje që lidheshin me Shqipërinë. Ata e vlerësonin lart Shqipërinë, si një vend të pasur në vetvete, por që sipas gazetarit Kelvin MacKenzie, është projekt për ta shpopulluar.

“Ata janë duke e braktisur vendin për vite, tani janë ndoshta 2.7 milionë ose 2.8 milionë të ngelur. Dhe ata tani janë duke ardhur te ne. Dyshoj se Shqipëria do të shpopullohet me qëllim që vetëm njerëzit e pasur të jetojnë atje”, ka thënë MacKenzie.

Ai ishte shumë i qartë dhe lucid, kur alarmoi se “Shqipëria do të shpopullohet”, në interes të pasanikëve, sigurisht të mëdhenj, andaj njerëzit nuk ndalen së ikuri, pavarësisht se jeta në Shqipëri në çdo aspekt është përmirësuar pakrahasueshëm me jetën që bënin para më se 20 vitesh, apo para luftës në Kosovë.

Gjithashtu ai evidenton edhe një përfundim psikologjik, që e ka arritur ai ose burimet e tij, padyshim duke e pas studiuar mirë si fenomen: “Është fakt interesant për Shqipërinë se në 30 vitet e fundit, njerëzit që nuk e duan Shqipërinë, janë shqiptarët”.

Pra, ky është një përfundim i rrallë që mund ta lexosh, por që e kam gjetur si evidencë para rreth 30 vitesh. Këtë sindromë me kohë e kanë krijuar pas luftës, që mund të themi për analogji, se shqiptarët janë ata që më shumti nuk e duan Kosovën, prandaj po e braktisin aq shumë.

Por, pse ndodhë kjo në Kosovë dhe Shqipëri?

Shqipëria në vazhdimësi ka qenë nën ndikimin e shërbimit inteligjent jugosllav. Pas demokratizimit, ajo iu nënshtrua një ndikimi të fuqishëm të shërbimeve inteligjente serbe, dhe në jug, atij grek. Këto prodhuan efektin psikologjik të urrejtjes së atdheut, duke e ushqyer me dështimin masiv në ekonomi, drejtësi, industri, siguri etj.

Edhe në Kosovë ndodhi ngjashëm, por jo menjëherë pas luftës. Madje mund të merret si një lloj prerje në kohë, vdekja e presidentit Rugova, nga aty fillon lëkundja e besimit në institucione, e cila ende është e pranishme.

Mendoj se kjo ushqyerje psikologjike negative erdhi nga shërbimet inteligjente serbe.

Zbrazjen e Kosovës, si projekt e program e kishin serbët. Dhe për ta realizuar atë, përdorën të gjitha mënyrat, luftën, gjenocidin, masakrimin, dhunën sistematike, moslejimin e gjuhës shqipe, ndalimin e shkollave shqipe, nënshkrimin e marrëveshjeve me Turqinë për dëbim, njëherë para Luftës së Dytë Botërore dhe njëherë pas saj, dëbimin masiv.

Liberalizimi i vizave aktualisht paraqet një rrezik thelbësor, të cilin njerëzit mund ta shfrytëzojnë të largohen për shkak të një depresioni të krijuar si pasojë e pritjes së gjatë për ndryshime jetësore dhe krizave që po e shoqërojnë vendin, si nga pandemia, lufta e tanishme në Ukrainë si pasojë e pushtimit nga Rusia etj.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, i rizgjedhur sërish, Ivica Daçiq, i njohur për destruktivizmin ndaj shqiptarëve, shfaq gëzimin se Kosova sërish do të braktiset nga shqiptarët, kësaj here pa dëbim të dhunshëm nga Serbia, por në saje të programeve psikologjike etj.

“Serbia nuk është aspak problem për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ne pajtohemi me këtë, por jo #BE-ja. Dhe pse nuk do ta bëjnë liberalizimin e vizave? Sepse ata e dinë se nëse do ta bënin këtë, gjysma e qytetarëve do të shkonin menjëherë në BE”, thotë Daçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat