Mes thirrjeve provokuese përfundon protesta në Mitrovicë të Veriut - serbët fillojnë të shpërndahen

Aktuale

Mes thirrjeve provokuese përfundon protesta në Mitrovicë të Veriut - serbët fillojnë të shpërndahen

Më: 6 nëntor 2022 Në ora: 08:30 Përditësuar në ora: 13:12 më 06.11.2022
Pamje nga protesta në Mitrovicë të Veriut, më 6 nëntor 2022.

Përfundon protesta në veri

Është duke u shpërndarë turma që u mblodh në Mitrovicën e Veriut, kësisoj protesta është drejt fundit.

Ekipi i medias në Mitrovicën e Veriut raporton se protesta ka qenë e qetë, duke mos u shënuar ndonjë incident atje.

Në këtë protestë fjalën e ka marrë edhe kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili ka ripërsëritur kërkesat që të mos zbatohet vendimi i qeverisë për targat si dhe të formohet asociacioni.

Të pranishëm në protestë ishin edhe kryetarët e komunave veriore që kanë dhënë dorëheqje dhe dhe zyrtarët policorë të cilët kanë dorëzuar dje unifromat.

Dronët monitorojnë protestën në sheshin ‘Car Llazar`

Po vazhdon edhe në këto momente protesta e thirrur nga Lista Serbe.

Serbët e veriut janë mbledhur në sheshin ‘Car Llazar` në veri të Mitrovicës dhe po dëgjojnë fjalimet e përfaqësuesve të listës serbe.

Situata momentalisht është e qetë dhe ajo po monitorohet nga Policia e Kosovës, KFOR dhe EULEX.

Mbi masën e mbledhur po fluturojnë edhe dronët e institucioneve të rendit që po mbikëqyrin çdo veprim në këtë protestë.

Tensione në veri, në Mitrovicë shfaqen posterët 'Putini në Kosovë'

Largimi nga institucionet i përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës bëri që gjatë të shtunës të ketë tensione në pjesën veriore të vendit.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve, vendosi që të largohet nga institucionet qendrore të Kosovës si dhe nga komunat në veri të vendit.

Këtë vendim, Lista Serbe e mori pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Gjuriq ishte suspenduar pasi refuzoi të zbatojë vendimin për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

Pas këtij veprimi, pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb zhveshën uniformat e tyre. U tha se ky vendim vlen deri në një njoftim, siç e quajtën ata, të arsyeshëm të Prishtinës për të respektuar marrëveshjet e Brukselit.

Për të mos mjaftuar kjo, që nga dita e djeshme strukturat paralele serbe të drejtuar nga bandat kriminale kanë vazhduar të kërcënojnë me destabilizim të vendit. Të shtunën në mesnatë është publikuar një video ku shihen disa persona të maskuar në veri të Kosovës.

Sipas pamjeve të siguruara nga Istraga, vërehet se këta të maskuar shtënë me armë dhe bërtasin duke thënë se janë kthyer, duke aluduar për Kosovën.

Po ashtu, në Mitrovicë të Veriut janë shfaqur posterët me mbishkrimin “Putini në Kosovë” së bashku me flamurët rusë, krah atyre serb.

Situata në veri të Kosovës nuk është aspak e qetë, madje burime brenda organeve të sigurisë kanë bërë me dije se në 12 vjetët e fundit asnjëherë situatë më e “turbullt” se tani nuk ka qenë në këtë pjesë të vendit.

Kjo mbase për faktin edhe të implikimit të drejtpërdrejt të shërbimeve ruse, në organizimin për të shkaktuar incidente në veri të Kosovës.

Vendosen flamujt kombëtar dhe ai i Kosovës në Mitrovicë

Një grup i të rinjve në lagjen e boshnjakëve në Mitrovicë kanë vendosur flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Qytetarët të cilët e kanë marrë këtë iniciativë kanë thënë se kjo po bëhet për të treguar se veriu është tokë e Kosovës dhe e shqiptarëve.

Lista Serbe ka thirrur një protestë, e cila pritet të filloj në ora 12:00.

Kujtojmë se përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës kanë vendosur të largohen nga institucionet qendrore dhe ato lokale në katër komunat e veriut të Kosovës.

Këtë vendim lista Srpska e mori pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq. Ky i fundit u suspendua pasi refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

Serbët në veri protestojnë për shkak të targave

Në Mitrovicën e Veriut, një prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, është thirrur një protestë nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kjo protestë është thirrur për shkak të vendimit të Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe KM (Mitrovicë e Kosovës) në targat RKS - Republika e Kosovës.

Lista Serbe ka njoftuar më herët se protesta po organizohet për të treguar "unitet dhe për t’i thënë Evropës, njëzëri, se Serbia është vendi i tyre".

Një ditë më parë, më 5 nëntor, në komunat veriore, ftesat për protesta janë vendosur në hapësira të ndryshme publike.

Në këto ftesa, qytetarëve u është bërë thirrje që të vendosin flamurin e Serbisë në pronat e tyre private, pasi flamujt të tillë veçse janë vendosur në hapësira publike.

Policia e Kosovës ka thënë përmes një komunikate se është njoftuar për protestën e 6 nëntorit dhe se ka marrë masa për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.

Megjithatë, ekipet e Radios Evropa e Lirë në terren nuk kanë parë zyrtarë policorë me uniforma të policisë.

Kjo protestë vjen një ditë pasi përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës kanë vendosur të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës: Qeveria, Kuvendi, pushteti lokal, gjyqësori dhe policia.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se vendimi për largim nga institucionet e Kosovës do të jetë në fuqi derisa “Prishtina të fillojë të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e dakorduara në Bruksel”.

Lista Serbe, po ashtu, ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrimin e makinave.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa që lëshojnë autoritetet në Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës dhe që të mos jenë pre “e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, në anën tjetër, e ka mbrojtur vendimin e serbëve në Kosovë për dorëheqje.

Plani për targat

Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj - në tri faza - për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./REL

Para tri javësh u dënua me 1 vit burg, ish-ministri serb merr pjesë në protestën në Veri

Në Veri të vendit është duke u protestuar nga strukturat serbe, pas shkarkimit të ish-drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë, Nenad Gjuriq.

Media raporton se tashmë ka filluar grumbullimi i komunitetit serb atje, në protestën e thirrur nga Lista Serbe.

Pjesë e kësaj proteste është edhe ish-ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq

Todosijeviq është hasur në rrugët e sheshit “Car Llazari”, rreth 3 javë pasi u dënua me 1 vit burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Mbi të rëndon akuza “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, pasi e kishte quajtur trillim masakrën e Reçakut.

Serbët i përgjigjen thirrjes për tubim

Serbët kanë nisur të mblidhen në Mitrovicën e Veriut.

Nën tingujt e këngëve nacionaliste, serbët me flamuj në duar kanë vendosur t’i përgjigjen thirrjeve të Listës Serbe, zyrtarët e së cilës dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Komandantët e Policisë së Kosovës në rajonin e veriut, nga komuniteti serb, të shtunën i zhveshën uniformat e tyre para zyrtarëve të Listës Serbe në Zveçan.

Lista Serbe dje i ka ftuar serbët të tubohen sot në orën 12:00.

“Vëllezër e motra, le të mblidhemi të gjithë nesër në kuvendin e përgjithshëm kombëtar në Mitrovicë në ora 12:00, para përmendores së perandorit Llazar nga do t’i themi Europës dhe botës njëzëri dhe unanimisht se vendi ynë i vetëm është Serbia dhe presidenti Aleksandar Vuçiq! Të tregojmë se sa shumë e duam Serbinë. Flamujt në dritare!!!”, u tha në njoftimin e Listës Serbe të shtunën.

Protesta e serbëve në veri, Policia e Kosovës: Kemi bërë planifikimet operacionale – qytetarët të mos bien pre e provokimeve

Policia e Kosovës, ka dalë me një njoftim sa i përket protestës/tubimit së sotme të ftuar nga Lista Serbe në veri të Mitrovicës.

“Referuar informacioneve mbi zhvillimet e fundit dhe paralajmërimeve për mbajtjen e një proteste/tubimi sot në ora12:00, Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestave paqësore, sipas detyrës zyrtare ka bërë planifikimet e saja operacionale”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se përmes planit operacional, Policia e Kosovës ka për qëllim ndërmarrjen e masave operative policore, për tu siguruar se mbarëvajtja e protestës/tubimit të kaloj e qetë dhe pa incidente, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjen e rendit kushtetues të RKS-së.

“Policia e Kosovës sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në Veri të Mitrovicës. Policia e Kosovës, fton qytetarët që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, thuhet në njoftim. 

Lista Serbe sot mban tubim në Mitrovicë, Rakiq ka dy kushte për Kurtin

Sot Lista Serbe do të organizojë një tubim në veri të Mitrovicës.

Në njoftimin e lëshuar dje, thuhet se kjo mbledhje po bëhet për të treguar “se sa shumë e duan Serbinë”, derisa iu bë thirrje që flamujt të vendosen në dritaret e shtëpive.

“Vëllezër e motra, le të mblidhemi të gjithë nesër në kuvendin e përgjithshëm kombëtar në Mitrovicë në ora 12:00, para përmendores së perandorit Llazar nga do t’i themi Europës dhe botës njëzëri dhe unanimisht se vendi ynë i vetëm është Serbia dhe presidenti Aleksandar Vuçiq! Të tregojmë se sa shumë e duam Serbinë. Flamujt në dritare!!!”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka njoftuar se ka dy kushte për kryeministrin Kurti.

Ai tha se ata nuk do të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës deri në momentin që kryeministri Albin Kurti të tërheq vendimin për targat dhe të nis formimin e Asociacionit në përputhje me marrëveshjen e parë të nënshkruar në Bruksel.

“Kjo konkretisht do të thotë – derisa ai (Albin Kurti) të tërheqë vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojë Asociacionin e Komunave Serbe në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura në këtë çështje në dialog”, ka deklaruar Rakiq.

Nisja e zbatimit të modifikuar për targat nga Qeveria e Kosovës dhe suspendimi i drejtorit të policisë rajonale në veri, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi të zbatonte vendimin ishin arsyet pse Lista Serbe tha se po del nga institucionet. Ky vendim u përkrah nga qeveritarët serbë, të cilët sot u mblodhën në Beograd për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat