Kryeministri Kurti flet për tensionet në veri të vendit - zbulon se çfarë po mundohet të bëjë Serbia!

Aktuale

Kryeministri Kurti flet për tensionet në veri të vendit - zbulon se çfarë po mundohet të bëjë Serbia!

Më: 7 nëntor 2022 Në ora: 11:18 Përditësuar në ora: 18:05 më 07.11.2022
Pamje nga konferenca

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët për medie me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla:

Të dashur qytetarë dhe të nderuar përfaqësues të mediave,

Sot, duke u nisur nga zhvillimet e fundit në vend, bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, kemi ftuar këtë konferencë për medie, për të ju njoftuar me gjendjen aktuale në veri të vendit tonë dhe me angazhimin e institucioneve tona për ruajtjen e rendit, të sigurisë, të ligjit e të paqes.

Duam të theksojmë se mbarëvajtja e punës së institucioneve dhe shërbimeve që ato i ofrojnë po vijon. Pavarësisht zhvillimeve gjatë kësaj fundjave, institucionet vartëse të secilës ministri kanë vazhduar pandërprerë përmbushjen e detyrave të tyre.

Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet tona, mbeten të përkushtuara për vlerat demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, të pluralizmit politik, të paqes e të sigurisë.

Po ashtu, dëshiroj të ju njoftoj që institucionet po vazhdojnë me realizimin e lehtësuar të procesit të regjistrimit të targave ilegale në ato RKS të shtetit tonë të pavarur, përfshirë dhe zbatimin e sekuencuar të vendimit të fundit të Qeverisë të datës 28 tetor 2022. Nga data 01 nëntor e vitit 2022, deri më tani janë shënuar 856 qortime apo vërejtje.

Karshi thirrjeve dashamirëse të institucioneve të Republikës së Kosovës, drejtuar qytetarëve të komunitetit serb për konvertimin e targave nga ilegale në ato RKS, ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet dhe përpjekjet e Serbisë e të Presidentit të fqinjit tonë verior për destabilizimin e situatës në vendin tonë dhe këto kërcënime janë praktikisht të orientuara para së gjithash ndaj qytetarëve të vendit tonë, nëpërmjet ngjalljes së frikës e të panikut.

Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Qeverisë së Serbisë të shtunën, presidenti atje pati takime të ndara me ambasadorin e Rusisë dhe atë të Kinës në Beograd.

Kjo tregon qartë se Presidenti i Serbisë takohet dhe koordinohet me Rusinë e Kinën, ndërsa gënjen e zhgënjen Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Prandaj edhe çfarë po ndodh tani shpjegohet më së shumti me përpjekjen e Beogradit për ta ambalazhuar kundërshtimin e nismës franko gjermane apo të propozimit të këtyre dy fuqive evropiane.

Nuk bëhet fjalë as për tabela të automjeteve, as për Asociacion të komunave me shumicë serbe, as për suspendimin e Nenad Gjuriqit, bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ia kanë bërë propozimit të Parisit dhe të Berlinit. Dhe tash duhet ta kamuflojnë këtë refuzim që ia kanë bërë Evropës, që ia kanë bërë Bashkimit Evropian, këtë koordinim të ngushtë që e kanë me Kremlinin dhe me presidentin despotik Putinin, dhe për këtë po i përdorin ata të cilët ende vazhdojnë t’i dëgjojnë në Republikën e Kosovës, pra pjesëtarë të ndryshëm të strukturave ilegale.

Serbia qartazi është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshje dhe rruga që e ka zgjedhur është në bashkëpunim me grupet kriminale në veri të vendit për kërcënimin e qytetarëve dhe të sigurisë në vendin tonë. Kjo rrugë nuk është e paqes e bashkëpunimit, e as ndërtimit të marrëdhënieve fqinjësore për çfarë ne angazhohemi.

Përpjekjet e tilla do të jenë të pasuksesshme, sepse shteti ynë është i fortë, demokratik, i cili ka rritje ekonomike dhe shoqërore në çdo fushë e aspect, duke qenë njëkohësisht edhe i rreshtuar me Bashkimin Europian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me NATO-n.

Në kuadër të këtij qëllimi të Serbisë dhe të përfaqësuesve politikë të saj, së fundmi i kanë shtuar edhe aktivitetet kundër Kosovës, përfshirë këtu propagandën, përhapjen e lajmeve të rreme, inskenim të incidenteve të ndryshme dhe provokime të tjera. Pasqyrimi mediatik i incidenteve te ndryshme si “incidente ndëretnike” është bërë përmes deklarimeve nga krerët shtetërorë të Serbisë, duke synuar të keqpërdorin, të shtrembërojnë të dhënat e evidentuara në Policinë e Kosovës, duke iu dhënë atyre ngjyrim ndëretnik, rasteve ordinere të ndryshme kriminale.

Bazuar në të dhënat e institucioneve tona të sigurisë, Serbia ka vazhduar presionin që serbët në Kosovë të paraqiten si të “kërcënuar e të rrezikuar”, dhe kjo me qëllim që të propagandohet se komuniteti serb “është cak i sulmeve të vazhdueshme” dhe se ata nuk na paskan siguri.

Serbët në Kosovë janë të rrezikuar nga Beogradi i cili ua djeg veturat, i cili ua djeg shtëpitë. Pra asnjë serbë nuk dyshon që djegia e veturave ka ndodhë nga shqiptarët, që të gjithë serbët e Kosovës e dinë shumë mirë që edhe rreshterit Dragan Nikoliq që iu dogj një pjesë e shtëpisë përfshirë garazhën, edhe ato automjetete të cilat u dogjën pse u konvertuan në RKS, janë djegur nga struktura që financohen e dirigjohen nga Beogradi.

Të dhënat e institucioneve tona, dëshmojnë fuqishëm atë që kemi përsëritur tash e një kohë që në vendin tonë ka harmoni ndërfetare dhe ndëretnike. Incidentet në veri të vendit, janë të organizuara politikisht nga Beogradi me qëllim që luftimin e krimit dhe të korrupsionit në institucionet e tona, e të cilin ne e bëjmë pa dallim, ta maskojnë nën petkun e incidenteve ndëretnike.

Dua të theksoj se vlerat demokratike të ndërtuara në vend, bashkëjetesa ndëretnike dhe sundimi i ligjit janë vlera të cilat duhet të mbrohen me çdo kusht dhe nuk duhet të bëhet e nuk do të bëhet asnjë kompromis.

Qeveria e Republikës së Kosovës do t’ju shërbej të gjithë qytetarëve duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në Republikën e Kosovës. Prioritet i ynë janë drejtësia dhe zhvillimi ekonomik, luftimi i korrupsionit e punësimi; barazia e mirëqenia për të gjithë, pa dallim, pra pa diskriminim.

Bojkotet nuk janë zgjidhje. Institucionet nuk kanë alternativë. Andaj, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve serbë: as mos i bojkotoni e as mos i braktisni institucionet e Kosovës, sepse ato janë shërbime publike për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe serbët. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike.

Serbia në vazhdimësi po tregon se nuk është e interesuar për integrim të serbëve në Kosovë dhe se synon ta minojë Kosovën tonë demokratike.

Republika e Kosovës do të angazhohet për drejtësi, për ligj, për kushtetueshmëri për paqe e për siguri, dhe nuk do të shantazhohet nga organizimet kriminale kushdoqofshin dhe nga kushdo që organizohen ato.

Për fund më lejoni të ju njoftoj që pjesa dërmuese e veturave të Serbisë që kalojnë nëpër pikat tona të vendkalimeve kufitare, nuk janë me targa ilegale.

Në 3-mujorin e tretë të vitit 2022 nga gjithsej 75.000 vetura të Serbisë që kanë kaluar në pikë kalimet kufitare, vetëm rreth 6.300 sosh, apo 8.5% kanë qenë ilegale. Pra përafrisht çdo e 12-ta veturë është e tillë, 11 nuk janë të tilla nga 12 gjithsej.

Një numër i veturave me targa ilegale, që kanë kaluar nëpër vendkalimet kufitare tona është konstatuar se kanë qenë të regjistruara edhe me targa të Kosovës. Vetëm gjatë tetorit 2022, i kemi pasur 200 raste të tilla.

Pjesa dërmuese e qytetarëve që kalojnë në vendkalimet kufitare me dokument të Serbisë dhe kanë lindur në Kosovë, kanë edhe dokument të Kosovës.

Serbët e Kosovës i kanë gjithsej mbi 135 mijë karta identiteti apo letërnjoftime të Republikës së Kosovës, dhe vetëm një pakicë ekstreme është ajo e cila insiston në targa ilegale dhe rrezikon të tjerët që i kanë konvertuar apo po i konvertojnë ato.

Tash po ia kaloj fjalën Ministrin tonë të brendshëm, Xhelal Sveçla, e më pastaj do të mund të ju përgjigjem pyetjeve tuaja.

​Kurti: Plani franko-gjerman është hap në drejtimin e duhur

Plani franko-gjerman është hap në drejtimin e duhur, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili deklaroi se nuk e ka refuzuar një propozim të tillë veçse ka thënë se i ka adresuar vërejtjet e tij.

Shefi i ekzekutivit tha se është Serbia ajo që e ka refuzuar këtë plan dhe sipas tij tani po bën drama për të cilat tha se nuk duhet të shndërrohen në tragjedi.

Kurti: Planin franko-gjerman e kemi parë si hap në drejtimin e duhur

Ata (Serbia) e kanë refuzuar këtë propozim dhe tash i bëjnë këto drama që nuk duhet të shndërrohen në tragjedi, për ta maskuar refuzimin. Ajo çfarë ne kemi thënë është që në kuadër të propozimit, le të vazhdojmë ta quajmë franko-gjerman por ai ka mbështetjen edhe të Brukselit edhe të Uashingtonit, ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur meqenëse aty konceptet, nocionet që përdoren janë vlera për dallim prej dakordimeve të mëhershme që ishin përbrenda, le ta quajmë ideologjisë së zgjidhjes së problemeve, ku thuhej se Kosova e ka këtë problem shumë të veçantë në veri të Mitrovicës ose në katër komunat në veri ose në Graçanicë dhe do t’ ia bëjmë një zgjidhje super të veçantë, komandanti i policisë duhet të jetë kështu, nënkomandanti ashtu, prokuroi asisoj e gjykatësi kësisoj, tash nuk jemi te ajo, tash jemi te vlerat dhe unë e kam vlerësuat këtë propozim si hap në drejtimin e duhur”, tha Kurti.

Kurti tha se deri më 18 të këtij viti nuk ka pasur dialog për marrëveshje por për dakordime të vogla.

Kurti: Deri më 18 gusht 2022 nuk ka pasur dialog për marrëveshje

“Deri më datën 18 gusht(2022) nuk kemi pasur dialog për marrëveshje, kemi pasur dialog për proces, të vazhdueshëm, kemi pasur dialog për dakordime të vogla, nganjëherë edhe dialog për dialog, mirëpo me 18 gusht pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pika e dytë çështjet aktuale. Dhe më 9 shtator, ende pa u bërë një muaj pas këtij takimi patën ardh në zyrën time këtu e më pastaj shkuan edhe në Beograd, këshilltarët e lartë të kancelarit Shcolz dhe presidentit Macron, bashkë me ndërmjetësin e njohur tashmë Lajcak. Pra, ata kanë sjellur përmbledhje të ideve të modeleve të cilat unë nuk i kam refuzuar por kam thënë se janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtjet e mija, ua kam thënë edhe atyre vërejtjet e mija dhe kritikat e mija, mirëpo unë nuk e kam kundërshtuar atë propozim”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti nuk është ndalur te përgjigjet për çështjen e Asociacionit, temë për të cilën ka thënë se ka treguar qëndrimin e tij që prej vitit 2013.

Lidhur me vendimin për targat, Kurti tha se asnjë veprim i qeverisë nuk ka qenë befasi për zyrtarët amerikanë apo evropianë duke shtuar se janë në komunikim të vazhdueshëm me ta.

Kurti: Aleanca me Amerikën bazohet mbi vlera dhe interesa të përbashkëta

A do ta dëgjoni Amerikën, a po prishemi me Amerikën, nuk ndodhin këto gjëra, kuptoni nuk i kemi kështu raportet me shtetet e Bashkuara të Amerikës siç i përshkruani ju sikurse gjyshi me nipin, unë nuk e di kush po ua lexon sepse nuk besoj që e keni lexuar vet dhe po mendoni kështu. Edhe njëherë, asnjë veprim i yni nuk e ka befasuar asnjë zyrtar amerikan, asnjë zyrtar evropian, ne jemi në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me ta. Shtetet e Bashkuara i kemi miq dhe partnerë, pra miqtë dhe partnerët nuk shkruajnë aso komunikatash çfarë i cituat ju, nuk ekziston raporti i tillë i ynë, për besë kjo mënyra, është edhe ofendim për shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse janë vend demokratik. Aleanca jonë me ta është aleancë që bazohet mbi vlera dhe qëllime dhe interesa të përbashkëta”, tha Kurti.

I pyetur për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, Kurti ka thënë se ka nëntë vite që kthen të njëjtën përgjigje.

Kurti: nuk kam përgjigje të reja për Asoacionin

“Pse po besoni që është pyetje e re kjo. Që nëntë vjet përgjigjem për Asocacionin unë , prej 2013. Unë nuk kam gjëra të reja në përgjigjen time për pyetje të vjetra”, tha Kurti.

Sveçla: Aksionet në veri s’janë kundër serbëve, zyrtarisht 578 policë serbë kanë dhënë dorëheqje

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, tha se asnjë aksion i Policisë nuk ka qenë i drejtuar ndaj serbëve.

Sveçla në një konferencë për medie së bashku me kryeministrin Albin Kurti tha se deri më tani zyrtarisht 578 policë serb kanë paraqitur dorëheqjet e tyre.

Tutje ai, tha se këto dorëheqje po vijnë si pasojë e shantazheve dhe prej faktit që këtyre policëve po u rrezikohet jeta nëse nuk pranojnë të japin dorëheqje.

Sa i përket situatës së fundit në pjesën veriore të vendit. Është evidente që pjesë e këtij orkestrimi nuk janë serbët lokal por grupe të caktuara dhe të organizuara në koordinim me Vuçiqin. Veprimet e Listës Serbe erdhën pas bisedimeve me Vuçiqin”.

Kjo ka për qëllim të destabilizojë situatën në vend. Zyrtarisht janë paraqitur 578 dorëheqje, prej të cilave 461 nga policia e rendit publik, 107 nga polica kufitare dhe 10 nga hetimet. Këto dorëheqje po vijnë nga shantazhet po rrezikohet edhe jeta e vetë këtyre zyrtarëve policorë në rast se nuk japin dorëheqje|. 

Sveçla tha se për një vit në komunat veriore janë realizuar 38 operacione policore. Ai theksoi se në këto aksione ka pasur edhe rezistencë të armatosur të grupeve kriminale.

Asnjë aksion i policisë nuk ka qenë i drejtuar asnjëherë në etni të caktuara, veçanërisht jo ndaj etnisë serbe siç është propaganduar”.

Pra, e vetmja etni të cilën po e luftojmë është ajo e krimit dhe korrupsionit. Krimi në katër komunat në veri ka qenë I zhvilluar e mirëmbajtur ndër vite. Krimin e kemi luftuar edhe në ato pjesë i kemi realizuar 38 operacione për një vit, janë shkatërruar pesë laboratorë të substancave, pajisje me vlerë 300 mijë euro, laboratorë të kriptovalutave”, tha ai.

Kemi mbyllur 11 rrugë që kanë mundësuar kontrabandën dhe trafikimin me qenie njerëzore. Në ato aksione natyrisht se kemi hasur edhe në rezidencë të grupeve kriminale, me armë dhe granata, duke pasur qëllim edhe eliminimin e policëve”.

Kurti e përshkruan kështu Qeverinë e tij: Të brengosur shpesh, të frikësuar asnjëherë

Kryeministri Albin Kurti tha se është “non-stop” në kominikim me ndërkombëtarët. Në një konferencë për media, shefi i Qeverisë tha se janë të vendosur që ligjshmërinë dhe kushtetueshmërinë “të mos e komprometojmë”.

Me pak fjalë, Kurti e përshkroi sjelljen e Qeverisë së udhëhequr nga ai.

“Me pak fjalë, sjellja jonë është kështu: Vigjilentë gjithmonë, të brengosur shpeshherë, të frikësuar asnjëherë”, tha kryeministri.

Kurti tha se nuk ndodh që Kosova “të prishet” me Amerikën.

E konfirmon Kurti: Zgjedhje nacionale s’ka, do të ketë vetëm në komunat ku kryetarët dhanë dorëheqje

Kryeministri Albin Kurti tha se përveç zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe në të cilat kryetarët dhanë dorëheqje, “s’ka zgjedhje më”.

Kurti tha në një konferencë për media në Qeveri se vitin e kaluar janë mbajtur zgjedhjet lokale dhe nacionale, dhe se i vjen keq që në komunat ku u dorëhoqën kryetarët nga Lista Serbe do të shkojnë në zgjedhje.

“Zgjedhjet janë mbajtur edhe nacionalet, edhe lokalet vitin e kaluar. Sivjet janë mbajtur zgjedhjet edhe në Lëvizjen Vetëvendosje. Janë kry zgjedhjet. S’ka zgjedhje më”,. tha Kurti.

“Por më vjen keq që tash do të na duhet të mbahen zgjedhje në komunat ku po dorëhiqen kryetarët e komunitetit serb. Ata kanë mundur ta vazhdojnë mandatin e tyre, por këto dorëheqje qartazi po shpiejnë drejt zgjedhjeve në ato komuna”, shtoi kryeministri.

Kurti tregon si qëndron e vërteta në lidhje me raportet Kosovë-SHBA

Nga: M.H.

Kryeministri Kurti së bashku me ministrin e sigurisë, janë duke mbajtur konferencë për media në lidhje me situatën e fundit.

Kurti u shpreh që SHBA ka qenë e njoftuar në lidhje me vendimin për targa pasi jemi partnerë tash dhe një kohë.

Sipas kryeministrit nuk ka vend për frikë pasi siguria e vendit është duke u menaxhuar në vazhdimsi.

SHBA i kemi miqë dhe partner, pra  me miqtë dhe partnerët, nuk ekziston kësi lloj raporti i ftohtë. SHBA-të, se ato janë vend demokratik. Dmth aleanca e jonë me ta është aleancë që bazohet mbi vlera dhe me qëllime dhe interesa të përbashkëta.

Ne më 31 korrik e kemi shtyer vendimin dhe jemi marr vesh që kjo është shtyrja e fundit, duke e pasur parasyshë brengën ndërkomëbtare për paqene dhe sigurinë, ne kemi bërë difenrcim në qasje, e sekuencim në zbatim dhe kemi përdorë ligjin e qortimit, pastaj gjobitjen dhe vetëm pastaj targat e përkohshme, dhe kjo bëhet duke i njoftuar ata paraprakisht”, u shpreh kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti: Serbia është e interesuar ta sabotojë dialogun

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Serbia është e interesuar ta sabotojë dialogun.

“Serbia qartazi është e interesuar ta sabotojë dialogun dhe çfarëdo marrëveshje, dhe rruga që e ka zgjedhur është në bashkëpunim me grupet kriminale në veri të vendit, për kërcënimin e qytetarëve dhe të sigurisë në vendin tonë”, ka theksuar Kurti.

“Përpjekjet do të jenë të pasuksesshme, shteti ynë është  i fortë, demokratik, i cili ka rritje ekonomike dhe shoqërore në çdo fushë e aspekt, duke qenë i rreshtuar me Bashkimin Evropian me NATON dhe SHBA-të”.

Kurti serbëve të Kosovës: Mos i braktisni institucionet, mos bini pre e lojërave politike

Në një konferencë për media, kryeministri Albin Kurti ka akuzuar pushtetin në Serbi se po shfrytëzon serbët e veriut dhe po provon ta destaabilizojë Kosovën, për shkak se e refuzon propozimin franko-gjerman. Kurti u ka bërë ftesë serbëve të Kosovës të mos bien prej e “lojërave gjeopolitike”

“Iu bëj thirrje qytetarëve serbë, as mos i bojkotoni e as mos i braktisni institucionet e Kosovës, sepse ato janë në shërbim të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbëve. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, ka thënë Kurti.

Ai thotë se është një numër shumë i vogël i serbëve që qarkullojnë me targa ilegale dhe një numër ektremisht i vogël i serbëve, që s’i marrin dokumentet e Kosovës.

Pjesa dërrmuese e veturave që kalojnë në pikëkalime, nuk janë me targa ilegale”, ka thënë Kurti, duke i lexuar statistikat, sipas të cilave vetëm 8.5 për qind e veturave janë me targa ilegale.

Serbët e Kosovës i kanë mbi 135 mijë letërnjoftime të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, ka thënë se derisa propagandohet se po luftohen serbët, në Kosovë, në fakt, luftohet krimi e kontrabanda.

E vetmja përkatësi që ne e kemi luftuar është ajo e krimit dhe kontrabandës”, ka thënë Svecla duke i numëruar aksionet policore të kontrabandës, që kanë përfshirë edhe veriun e vendit.

Kurti: Serbët në Kosovë janë kërcënuar nga Beogradi duke iu djegur veturat

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pavarësisht zhvillimeve të fundit në veri, institucionet shtetërore kanë vazhduar normalisht punën.

Ai ka thënë se institucionet po vazhdojnë të bëjnë zëvendësimin e targave ilegale në RKS.

I pari i ekzekutivit thotë se deri më tani janë shqiptuar mbi 800 qortime.

Kurti thotë se Serbia po vazhdon lidhjet e saja me Rusinë e Kinën, derisa po kundërshton propozimin franko-gjerman.

Nuk bëhet fjalë as për targat e as për Nenad Gjuriqin, por në pyetje është vetëm refuzimi që ata po i bëjnë planit franko-gjerman. Ata tash duhet ta kamuflojnë këtë refuzim duke përdorur pjesëtarët e strukturave ilegale”, tha Kurti.

Sipas Kurtit Serbia po saboton dialogun dhe arritjen e marrëveshjes finale.

Kurti: Kosova është e fortë, Serbia me kundërshtimin e planit franko-gjerman po synon destabilizim

Kryeministri Albin Kurti, tha se gjendja aktuale në veri është nën kontroll.

Ai në konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, shtoi se të gjitha institucionet në veri të vendit kanë vazhduar përmbushjen e të gjitha obligimeve edhe përkundër dorëheqjeve të serbëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat