​Kurti: Të dhënat për popullsinë, baza e politikave për të ardhmen

Aktuale

​Kurti: Të dhënat për popullsinë, baza e politikave për të ardhmen

Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 11:45
Albin Kurti

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave përbën një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme institucionale. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti në hapjen e “Javës së Regjistrimit të Popullsisë” që do të zgjas deri më 11 nëntor. Sipas tij, të dhënat janë pikë referuese për planifikim afatgjatë dhe shërbejnë për bazën e politikave për të ardhmen.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se për planifikim dhe zbatim të politikave të bazuara në evidencë dhe për zhvillim ekonomik dhe social është e domosdoshme që të ketë të dhëna të besueshme dhe të detajuara.

Kurti: Regjistrimi i popullsisë përbën një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme institucionale

“Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe i banesave përbën një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme institucionale në vendin tonë. Të dhënat mbi madhësinë, shpërndarjen dhe përbërjen e popullsisë, kushtet e jetesës dhe niveli i edukimit janë bilanci empirik i së tashmes dhe baza e politikave për të ardhmen. Ato mundësojnë të gjithë shfrytëzuesve të të dhënave e veçanërisht vendimmarrësve në nivel lokal e qendror, por edhe donatorëve dhe investuesve të tjerë, orientimin dhe targetimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët”, ka theksuar Kurti.

Kurti tha se do të mbështesin Agjencinë e Statistikave të Kosovës që regjistrimi të jetë cilësor, profesional dhe gjithëpërfshirës. Sipas tij, të dhënat ndihmojnë edhe për sigurimin e nivelit më të lartë të transparencës dhe llogaridhënies.

Kurti: Të dhënat janë pikëreferuese për një planifikim afatgjatë

“Ato (të dhënat) po ashtu janë pikë referuese për një planifikim afatgjatë dhe parashikime të zhvillimeve të rëndësishme socio-ekonomike. Të dhënat flasin për një rritje ekonomike historike në vendin tonë për vitin që shkoi, me 10,7 për qind të bruto-produktit vendor. Ndërkaq në çerekun e parë të këtij viti kemi rritje mbi 4 për qind të bruto-produktit vendor pasi që të zbritet inflacioni. Rritjen ekonomike po e shpërndajmë te qytetarët, nëpërmjet masave dhe politikave të informuara nga të dhënat. Kështu bazuar në indekset e çmimeve, për përballje me rritjen e çmimeve, pasojat e pandemisë dhe krizën energjetike kemi ofruar mbi 750 milionë euro mbështetje për qytetarët dhe për bizneset”, ka shtuar ai.

E ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu theksoi se të dhënat statistikore të regjistrimit të popullsisë krijojnë bazë në infrastrukturën statistikore.

Aliu: Instituti për Planifikim Hapësinor të Kosovës ndihmon në planifikimin e territorit

“Si Ministri e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës jemi angazhuar maksimalisht për ndërlidhjen e informacionit zyrtar të Republikës tonë. Instituti për Planifikim Hapësinor të Kosovës në kuadër të ministrisë ndihmon në planifikimin e territorit dhe në bashkëpunim të ngushtë me sektor të rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës, harton një sërë të tërë të raporteve sektoriale të nevojshme për paraqitjen sa më reale të zhvillimit hapësinor sektorial. Në këtë rast ASK është burimi kryesor i të dhënave për Institutin e procesit të hartimit të planeve hapësinore, dokumenteve strategjike në sektorin e planifikimit si dhe dokumenteve strategjike të zonës gjeografike të vendit për nivelin qendror”, u shpreh Aliu.

Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence tha se regjistrimi i popullsisë do të ndihmojë për të dhëna të mirëfillta dhe gjithëpërfshirëse.

Spence: E shohim këtë si mundësi të jashtëzakonshme për të pasur të dhëna gjithëpërfshirëse dhe të mirëfillta

“Popullata e Kosovës nuk është e përfshirë në raportin zhvillimor vjetor që zhvillohet apo kryhet nga Programi Zhvillimor i Kombeve të Bashkuara. E shohim këtë si mundësi të jashtëzakonshme për të pasur të dhëna gjithëpërfshirëse dhe të mirëfillta për të ndihmuar njerëzit e Kosovës. Siç ju e dini, ne punojmë bashkarisht me Qeverinë e Kosovës në 17 objektiva zhvillimore të qëndrueshme. Këto 17 objektiva që është agjenda ‘202030’, vihen në pah përmes 239 indikatorëve dhe disa përmes tyre do të jemi në gjendje të mbledhim të dhëna për 50 për qind të këtyre indikatorëve. Pra, do të jetë diçka shumë transformuese për punën që e bëjmë ose për planifikimin e arritjeve që Kosova po bën në matjen ndërkombëtare të progresit drejt objektivave të qëndrueshme”, ka thënë ajo.

Edhe zëvendëskryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Ilir Berisha deklaroi se regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është pjesa thelbësore e programit statistikor kombëtar.

Berisha: Viti 2023 do të jetë viti i realizimit të projektit të madh statistikor në vend

“Viti 2023 do të jetë vit i regjistrimit të popullsisë, që nënkupton realizimin e projektit më të madh statistikor në vend, në ditën referuese 1 shtator 2023. Ky takim sot dhe tërë java e regjistrimit nga data 8 deri data 11 nëntor, ka në pikënisje debatin me akterët kryesor në vend të nivelit qendror, lokal dhe ndërkombëtar për të diskutuar rëndësinë e procesit të regjistrimit, metodologjinë e qasjes implementuese, modelet dhe praktikat më të mira shtetërore”, ka deklaruar Berisha.

Në hapjen e javës të regjistrimit të popullsisë, udhëheqësi i Njësisë së Bashkëpunimit nga Zyra e BE-së, Johannes Stenbaek Madsen theksoi se për ta është me rëndësi të jashtëzakonshme, zhvillimi i sistemit të regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë do të bëhet nga data 1 shtator deri më 16 tetor 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat