“Do t’ju kallim pronat” / Në Serbi e kritikojnë Vuçiqin se po dështon në Kosovë - Opozita shqiptare brengoset për pushtet

Aktuale

“Do t’ju kallim pronat” / Në Serbi e kritikojnë Vuçiqin se po dështon në Kosovë - Opozita shqiptare brengoset për pushtet

Nga: Idriz Morina Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 17:00

Paramendojeni serbët, madje edhe ata ‘të moderuarit’, vazhdojnë të thonë se Serbia po e humb Kosovën apo ta akuzojnë Vuçiqin, se ai po e humb kontrollin, pra edhe rastin, sipas tyre, të paprekshëm në vetvete, se ata e kanë historinë të pashkëputshme me Kosovën.

Por, shqiptarët, partitë opozitare, dhe madje shumë ‘analistë’ televiziv, madje edhe intelektualë nuk flasin se çfarë mund të humbë Kosova nëse arrihet shpejt një marrëveshje.

Në anën që lidhet me mundësinë për pushtet sigurisht, reagojnë pa pushim duke theksuar se qeveria aktuale po e rrezikon miqësinë me SHBA-në.

Por, këtë nuk është se e motivojnë si humbje të madhe për Kosovën, por si rast për të ardhur në pushtet. Duke qenë një kohë të gjatë në pushtet, ata e dinë, se miqësinë tonë me SHBA-të nuk mund ta humb një lider i vetëm. Ai, që do ta provokonte këtë, thënë më së lehti do ta humbte ndikimin politik.

Prandaj, opozita duhet të shohë përtej akuzave për miqësi, pa i përjashtuar kritikat si të tilla. Opozita duhet ta qartësojë edhe pozicionin e saj. Deri diku këtë në takimin e sotëm e bëri Lumir Abdixhiku, kur në fund të deklaratës së tij thekson se LDK-ja e mbështetë në këtë kohë Qeverinë, duke kërkuar bashkërendim me miqtë ndërkombëtarë.

Image
Lumir Abdixhiku duke shkuar në takim

E kanë një hall, si të kthehen në pushtet!

Derisa serbëve që konsiderohen pak a shumë të moderuar, u duket fare pak, që serbët të përfitojnë nga një marrëveshje eventuale, që del nga propozimi franko-gjerman, tek ne ndodhë e kundërta, ata që e quanin dhe e prezantojnë veten ende si radikal, si njerëz apo parti të dala nga lufta, nuk flasin fare për substancën e marrëveshjes, apo pse përmbajtja e saj nuk u bë e ditur më herët, por thjesht, nëse u jepet shansi për t’u rikthyer disi në pushtet. Kjo edhe pavarësisht se për disa individ, një ndodhi e atillë duket e pamundur.

Ndërkohë, që ka shenja se një marrëveshje, mbase duke e shfrytëzuar tensionin e krijuar, mund të arrihet brenda një muaji.

Ish-presidenti i Serbisë, e ka quajtur skenarë të gjithë ngjarjen në veri, të bërë nga Vuçiqi dhe pushtetit aktual atje.

“Së shpejti do të shohim se çfarë dronësh, çfarë avionësh Mig, largimi i serbëve nga institucionet dhe i gjithë ky dramatizim, do ta shohim për çka ishte e tëra. Në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit të ardhshëm, pres një marrëveshje që do të paraqitet sikur të ishte fitore, por që në fakt automatikisht do të kërcënojë dramatikisht interesat tona legjitime në Kosovë”, ka shkruar Boris Tadiç, në tvitter.

Pra, ai e kritikon pushtetin e Vuçiqit, se po i kërcënon interesat serbe në Kosovë, pavarësisht që ai po luan një nga lojërat më të fuqishme diplomatike antishqiptare!

Ai është i njohur për ndërtimin e disa tezave politike të rrezikshme, që u njohën si plani “Katër pikësh”, i paraqitur për Kosovën, dhe që sipas shumë interpretuesve, ai u mor atëherë nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun, dhe u prezantoi si “Plani gjashtëpikësh”, i cili mbeti si dokument zyrtar.

Në fakt, ky skicim, çoi më vonë, në mbështetje të idesë për bisedime të reja Kosovë-Serbi, dhe u miratuar rezoluta e famshme e 10 shtatorit 2010, që i kërkonte të dyja shteteve të bisedonin me ndërmjetësim të BE-së, për ‘interesat vitale të serbëve’. Po ashtu rezoluta e njihte edhe Vendimin e GJND-së për legalitetin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Lajm i mirë është se Kosova po vepron qetësisht si shtet, duke i zëvendësuar menjëherë deputetët radikalë të Listës serbe, dhe që kjo shpresojmë të vijohet edhe me largimin, përkatësisht moslejimin e kthimit në detyrë të policëve të komprometuar dhe që kanë vepruar në vazhdimësi për interesa të Serbisë, si dhe kryetarët e katër komunave me shumicë serbe.

Dhuna me zjarr e Beogradit ndaj serbëve

Se ngjarjet në veri, braktisja e institucioneve ishte një skenar i ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë, po e konfirmojnë të dhënat e reja që po publikohen. Në fakt, shumë nga ata serbë e serbe që dhanë dorëheqje nga detyrat e tyre qoftë në pushtetin lokal, në polici e drejtësi, u detyruan ta bëjnë këtë, sepse u ishte thënë prerazi se do të bartnin pasoja, së paku me djegie të veturave apo edhe me dhunë më të egër.

“Ata të gjithë thonë ‘nuk e ke me detyrim’, por ti e di se detyrohesh. Nëse nuk nënshkruan, do të t’i vënë zjarrin makinës ose mund të të bëjnë çdo gjë”, ka thënë për REL-in, një serbe, që nuk ka pasur guxim të flasë publikisht.

Pra, ajo tezë që kemi ngritur në vazhdimësi, është vërtetuar edhe në këtë rast, se gjërat apo vendimet për serbët nuk merren nga vetë ata, por në Beograd, nga strukturat e shërbimeve inteligjente.

Kush nuk i zbaton ato vendime do të përballet me pasoja, aktualisht me djegie të veturave dhe të pronave të paluajtshme, por jo ende të shtëpive. Por, më parë edhe i kanë vrarë, si në rastin e Oliver Ivanoviçit.

Image
Ramush Haradinaj pasi e braktisi takimin me Albin Kurtin

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat