Ibrahimi: Takimi i Kurtit me opozitarët, veprim i mirë

Aktuale

Ibrahimi: Takimi i Kurtit me opozitarët, veprim i mirë

Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 18:51
Ilir Ibrahimi

Analisti politik Ilir Ibrahimi, ka thënë se takimi i sotëm i kryeministrit me liderët e opozitës ishte një veprim i mirë.

Sipas tij, letra publike që bëri dje kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, për kryeministrin, e shtyu Kurtin të thërriste këtë takim.

“Në çështjet e interesit nacional i gjithë spektri politik duhet të jetë bashkë. Ky takim erdhi pas një letre publike që e bëri Memli Krasniqi dje dërguar kryeministrit dhe besoj kjo e nxiti kryeministrin për takim. Mendoj se letra është një ndër arsyet pse ndodhi ky takim dhe është mirë që ndodhi dhe duhet të ketë më shumë takime të këtij lloji. Relacioni me Serbinë është e një interesi nacional andaj duhet të jetë në koordinim me të gjithë spektrin politik dhe më gjerë”, ka thënë Ibrahimi në Info Magazinë.

Ai shtoi se partitë politike duhet të japin kontributin e vet.

Mirëpo, sipas Ibrahimit, takimi i sotëm nuk ishte i mirëfilltë, por sa për sy e faqe.

“Ajo që kemi parë nga takimi nuk është se kemi pasur një takim të mirëfilltë, një koordinim të mirëfilltë, por një takim sa për sy e faqe dhe kjo nuk është mirë”, ka shtuar ai.

Ibrahimi tha se në kohën e Rambujesë, LDK-ja dhe UÇK-ja, pavarësisht dallimeve të mëdha ideologjike, kishin gjetur rrugën për të përfaqësuar vendin në ditët më të vështira të saj, por, sipas tij, e njëjta strategji mungon te klasa e sotme politike.

“Nëse nëse kthehemi në kohën e Rambujesë, divergjencat politike në mes të LDK-së dhe UÇK-së kanë qenë shumë më të mëdha se ato që i kemi sot në mes të subjekteve politike dhe liderët atë kohë e kanë gjetur fuqinë dhe guximin për t’i tejkaluar këto dallime politike dhe janë bërë bashkë për të përfaqësuar vendin në ditët më të vështira dhe të bëjnë kompromis e të arrijnë marrëveshje. Pas 20 vjetësh të mos mund të bëjmë një gjë të tillë është jo e lakmueshme”, ka vazhduar Ibrahimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat