Luljeta Aliu i gëzohet takimit të Kurtit me opozitarët: Kështu ju pafsha gjithmonë, ja si të veprohet me ndërkombëtarët!

Aktuale

Luljeta Aliu i gëzohet takimit të Kurtit me opozitarët: Kështu ju pafsha gjithmonë, ja si të veprohet me ndërkombëtarët!

Nga: A.Zh Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 19:56
Albin Kurti në takim me krerët e opozitës

Analistja politike Luljeta Aliu, i është gëzuar takimit të kryeministrit Albin Kurti me krerët e partive opozitare, që u mbajt sot herët në mëngjes.

Ajo ka thënë se don t’i shoh të bashkuar gjithmonë liderët, kur bëhet fjalë për situata me rëndësi, si kjo në veri të Kosovës.

Aliu, ndër tjerash në postimin e saj në Facebook, ka thënë se Kosova duhet t’i caktojë politikat e saj të jashtme dhe të sigurisë dhe për këtë t’i informojë partnerët dhe nga ta të kërkojë mbështetje, e jo për secilën situatë të shkohet në Dragodan dhe të pyesët si të veprohet, si një shtet i paaftë.

Reagimi i saj në Facebook:

Kur bëhet fjalë për situata me rëndësi shtetërore si kjo tani në veri të vendit, kështu duhet të jetë përbërja e takimeve çdoherë. Kështu ju pafsha gjithmonë, të bashkuar!

Kosova duhet të njohë dhe të caktojë cilat janë interesat dhe mundësitë e veprimeve në politikë të jashtme vetë. Në politikë të jashtme është naivitet të besosh se palët tjera i ke engjuj mbrojtës; aty secili mundohet të zgjidhë konfliktet asisoji që të mbrojë interesat e tij me sa më pak investim të mundshëm. Pra, pala që mund të detyrohet më lehtë, gjithmonë humbë. Askush nuk të tregon se cila është rruga më e favorshme për ty, sepse mund të ndodhë se ajo rrugë u nxjerrë më shumë telashe të tjerëve, sado të vogla në qofshin. Përcaktimin dhe qasjen në politikë të jashtme duhet ta bësh vetë, gjithmonë duke kalkuluar se cilat janë mundësitë tua, të cilat natyrisht ndërlidhen direkt me interesat dhe mundësitë e palëve tjera të përfshira.

Kosovarët po e përdorin fjalën «koordinim» sikurse të nënkuptonte «dëgjueshmëri». Kosova duhet t’i caktojë politikat e saj të jashtme dhe të sigurisë dhe për këtë t’i informojë partnerët dhe nga ta të kërkojë mbështetje. Ky është koordinimi. Nuk mund të jetë koordinimi i nënkuptuar asisoji që për secilën situatë të shkosh në Dragodan dhe të pyesësh si të veprosh, si një shtet i paaftë. Nuk mundet një shtet i huaj të të ndihmojë në këtë rast, sepse interesat e Kosovës dallojnë nga interesat e tyre. Uniteti ekziston vetëm brenda vendit. Nuk mund të ketë unitet me nivelin ndërkombëtar, por mund të ketë përkrahje apo refuzim nga ta, varësisht sa njëzëri flet Kosova dhe si i argumenton qëndrimet tua dhe sa ato argumente e prekin identitetin e politikës së jashtme të Amerikës dhe BE-së. Ndërsa kjo e fundit është temë në vete dhe e diskutojmë tjetër herë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat