Këto janë vendimet që mori Qeveria sot

Aktuale

Këto janë vendimet që mori Qeveria sot

Më: 9 nëntor 2022 Në ora: 13:55
Foto nga vendngjarja

Shumë vendime u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës. I pari votim ishte për Projektligjin për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës.

Kryeministri tha se ky sistem do të mundësojë transparencë më të madhe, pra sipas tij përmes lidhjes me sistemin elektronik për përcjelljen e lëndëve do të sigurojë efikasitet më të madh për llogaridhënie brenda sistemit gjyqësor.

Ministrja e drejtësisë tha se ky sistem mirëmbahet nga Këshilli Gjyqësor, por ministria do të ketë qasje të papenguar në përputhje me mandatin e saj.

Tutje kabineti qeveritar ka votuar edhe udhëzimin i Administrativ për caktimin e Listës dhe Llojeve e Pajisjeve Ndihmëse që ofrohen falas për Personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik, që shërbejnë për Lëvizje, Parandalim dhe Asistim, dhe udhëzimi tjetër administrativ për Regjistrimin, Funksionimin dhe Çregjistrimin e Organizatave Joqeveritare që ka për qëllim thjeshtësimin dhe lehtësimin e procedurës së regjistrimit dhe funksionimit të OJQ-ve.

U themelua Komisioni Republikan i Festave që do të përgatisë rregullat dhe mënyrat e festimit të festave zyrtare dhe ditët memoriale.

U bë ndryshimi dhe plotësimi i vendimit për formimin e Grupit punues ndërministror për fushën e lëvizjes së lirë dhe të mallrave, duke emëruar përbërjen e re të këtij grupi, si dhe plotësim ndryshimi i vendimit qeveritar, duke i garantuar Parkut të Novacionit dhe Trajnimeve, ITP në Prizren të drejtën e shfrytëzimit të të gjitha objekteve që gjenden në parcelat e dhëna në shfrytëzim nga Qeveria.

U aprovua vendimi për shitjen e automjeteve zyrtare të cilat janë të papërdorshme dhe jashtë funksionit të Ministrisë së Ekonomisë, nëpërmjet ankandit publik që do të menaxhojë MPB-ja.

Qeveria miratoi Planin Kombëtar të Radio Frekuencave. Votë mori edhe koncept-dokumenti për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor, derisa u themelua edhe Komisioni Ekzekutiv për Digjitalizim në krye me vetë kryeministrin, Kurti.

Në programin legjislativ u shtua Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Energjinë derisa kabineti u informua edhe për zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e MSA-së, korrik-shtator 2022.

Qeveria gjatë mbledhjes së sotme ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar e cila do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve dhe avancimin e FSK-së. Kjo marrëveshje e përbashkët parasheh zbarkimin e trupave të FSK-së me ato të Mbretërisë së Bashkuar.

Nga kursimet e deklaruara, u rialokuan 11.7 milionë euro për tri ministri, atë të Drejtësisë, të Kulturës e të Arsimit për të mbuluar programet, projektet apo obligimet që kanë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat