Skenari në veri, një skelet rus! / Turbullira të reja po paralajmërohen në botë

Aktuale

Skenari në veri, një skelet rus! / Turbullira të reja po paralajmërohen në botë

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 9 nëntor 2022 Në ora: 17:01
Njësitë speciale të Kosovës në veri, duke krijuar siguri

Turbullira të reja po paralajmërohen në botë. Teksa Perëndimi ende se ka hequr qafe regjimin kriminal të Kremlinit, pushtimin e Rusisë në Ukrainë, po vijojnë të shfaqen kërcënime të reja. Kina edhe pse në dukje ngadalthi, po përgatitet për një pushtim të mundshëm të Tajvanit.

Një botë gjithnjë e më e trazuar!

Sipas shumë analistëve perëndimor pritet që sulmi të ndodhë deri në fund të vitit të ardhshëm, 2023. Por, ky kërcënim nuk po e vë në siklet vetëm Amerikën. Japonia sipas mediave perëndimore ka filluar të përgatitet për një luftë të mundshme me Kinën.

Ndërkohë, që kërcënimi nga Koreja Veriore mbetet aty, si gjithmonë (me dekada tashmë, teksa pretendon përdorimin e armëve bërthamore, që mund të ketë ndërtuar ajo).

Por, edhe përpjekjet për një paqe me Rusinë nuk po mungojnë, pasi shumë vende perëndimore janë të prekura ekonomikisht. Disa prej tyre kanë frikë nga recesioni ekonomik, por edhe nga rreziqet potenciale për trazira sociale.

Madje ata, që prisnin për një ndërprerje të luftës llogaritnin edhe në mundësinë e humbjes së demokratëve në zgjedhjet e ndërmjetme, për Kongres dhe Senat. Për fat demokratët duket se t'iia dolën ta ruajnë shumicën në Senat, dhe kjo di ia linte duart më të lira presidentit Biden, për të vazhduar me ngulmë mbështetjen e Ukrainës, deri në tërheqjen e Rusisë.

Teksa ka prirje të tilla të heshtura për publikun, por të njohura për diplomacinë, ka ndodhur një kthesë pozitive. Italia është zotuar për dërgimin e sistemeve antiraktore në Ukrainë, për të shpartalluar sulmet ruse nga ajri. Ishte paksa befasuese kjo lëvizje e Italisë, sepse kishte një frikë se kryeministrja e re e Italisë, djathtistja Meloni, mund të provonte t’i dilte në një mënyrë në ndihmë Putinit.

Ndërkohë, që Ukraina ka deklaruar se 80% të sistemit raketor modern, si ai “Iskander” i është shkatërruar e i është harxhuar Rusisë.

Në këtë mënyrë presioni perëndimor është duke dhënë rezultate, dhe se ukrainasit e kanë mbështetjen amerikane për largimin e Rusisë nga Ukraina.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield gjatë vizitës në Shqipëri, të martën tha se “ne do të vazhdojmë të ushtrojmë trysni mbi ta derisa të largohen nga Ukraina”.

Image
Transportimi i trupave të EULEX-it

Këtë pasqyrë e dhamë për të pasur kontekstin gjeopolitik në botë, dhe të trysnive eventuale që mund të ushtrohen ndaj Kosovës.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, dje sërish ka përsëritur se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet, të cilat tashmë i kanë nënshkruar në procesin e dialogut, duke përfshirë edhe fillimin e bisedimeve nga pala shqiptare për të themeluar një asociacion të komunave me shumicë serbe.

“Ne po u bëjmë thirrje të dyja palëve që të zbatojnë detyrimet që kanë nënshkruar nëpërmjet procesit të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, theksoi Price.

Rreziku për shpërthim

Ndërkohë situata apo strategjia e krijimit të sigurisë në veri, është në përpunim e sipër. Qeveria e Kosovës, ende nuk ka dhënë ndonjë njoftim, se sa policë do të dërgohen për të zëvendësuar vendet e mbetura bosh, nga largimi i rreth 580 policëve në veri.

Ndërkohë, që shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka njoftuar se EULEX-i, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit, e ka rritur praninë e vet, me trupa shtesë, nga xhandarët carabinier.

“EULEX do të vazhdojë të mbështesë një mjedis të qetë dhe të sigurtë”, ka shkruar Borell.

Ndërsa, vetë misioni i EULEX-it ka njoftuar se dje “një njësi Policore e Specializuar Rezervë (NJPSR) e përbërë nga 23 xhandarë nga karabinierët italianë dhe anëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane (EUROGENDFOR), zbarkoi përkohësisht në Kosovë për t’i përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) ekzistuese të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”.

Po ashtu kjo gjendje e tillë, pas veprimeve dhe reagimeve që ka ndërmarrë Rusia, po shihet si një përpjekje ruso-serbe, për të krijuar paqëndrueshmëri në Kosovë, përkatësisht në veri të vendit, me qëllim të përshkallëzimit të situatës atje.

Ekzistimi i rrezikut për ta përshkallëzuar situatën është konfirmuar edhe në mbledhjen e Komisionit për siguri, ku ka raportuar drejtori i Agjencisë për Inteligjencë të Kosovës, Petrit Ajeti.

Edhe eksperti amerikan Daniel Server, është shprehur se ekziston rreziku, por sipas tij, për ngatërresa, dhe jo për ndonjë ‘shpërthim’ dhune ose konflikti.

“Parashikoj se do të ketë ngatërresa në veri”, ka thënë Server.

Jo vetëm media perëndimore, por edhe ekspertë e diplomatë parashohin një rrezik potencial, në rast të shpërthimit të një konflikti në veri, duke besuar se ai mund të përhapet në rajon.

Situata e brishtë politike po vazhdon në Mal të Zi, ku ndërhyrja e përbashkët Rusi-Serbi, po e rrezikon shpesh stabilitetin e këtij vendi të NATO-s, por përveç protestave nuk ka ndonjë rrezik të shtuar për ta përmbysur sistemin.

Edhe Maqedonia është duke u përballur me luftën hibride, e cila zakonisht i atribuohet Rusisë.

Si rrjedhojë e këtyre përpjekjeve për destabilitet vetëm sot, me 9 nëntor, katër shkolla të mesme në Shkup, sipas Qeverisë së Maqedonisë V., kanë marrë kërcënime me bomba në posta elektronike, gjë që ka shkaktuar panik tek nxënësit dhe prindërit, pasi është dashur të evakuohen. Ndërsa, po sipas kësaj qeverie, nga 26 tetori deri më 3 nëntor, 15 shkolla të mesme të Shkupit kanë marrë në posta elektronike për vendosje të bombave në objektet e tyre, të gjitha të rrejshme, por shqetësuese.

Image
Serbët nën urdhërat e Vuçiqit duke hequr dorë nga Policia e Kosovës. Shpresohet, që kjo sjellje në fund të çojë në spastrimin e policisë nga mohuesit e Republikës së Kosovës

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat