LIVE: Kuvendi ​miraton në parim Projektligjn për Prokurorin e shtetit

Aktuale

LIVE: Kuvendi ​miraton në parim Projektligjn për Prokurorin e shtetit

Më: 10 nëntor 2022 Në ora: 07:38 Përditësuar në ora: 16:40 më 10.11.2022
Kuvendi i Kosovës

​Miratohet në parim Projektligji për prokurorin e shtetit

Kuvendi i Kosovës me 61 vota për ka miratuar në parim Projektligjin për prokurorin e shtetit. I njëjti u konsiderua i domosdoshëm nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo tha se përmes tij synojnë avancimin e mëtejshëm të legjislacionit lidhur me sistemin prokurorial.

Haxhiu: Synojmë avancimin e mëtejshëm të legjislacionit lidhur me sistemin prokurorial

“Synojmë avancimin e mëtejshëm të legjislacionit lidhur me sistemin prokurorial. Reformat në sistemin e drejtësisë janë të nevojshme me qëllim që të rrisin integritetin brenda sistemit, por edhe efikasitetin, përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe etikën.

Strategjia për sundimin e ligjit, por edhe rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë kanë paraparë ndryshime ligjore në Ligjin për Prokurorinë e shtetit me qëllim të përmirësimit të qëllimit të cekuar më herët”, tha Haxhiu.

Megjithëse i dha përkrahje në parim këtij projektligji, deputeti i LDK-së Driton Selmanaj tha se në mes të dy leximeve duhet të përcaktohen afate për presidentin e vendit për emërimin e kryeprokurorit të shtetit.

Selmanaj: Kryeprokurori duhet të dekretohet ose të refuzohet

Domosdoshmërinë që ne të përcaktojmë afate për presidentin e vendit për emërimin e kryeprokurorit të shtetit. Tani jemi dëshmitar me presidenten Osmani, nuk është hera e parë, ka pasur edhe me presidenten Jahjaga që ka pasur një periudhë gati 7 muaj, organi kryesor i akuzës ka mbetur pa kryeprokuror.

Ky boshllëk ligjor i ka mundësuar presidentëve që të abuzojnë me këtë mundësi dhe të lënë organin kryesor të akuzës pa udhëheqje. Është e domosdoshëm që të përcaktohen afatet që brenda një periudhe presidenti të jep vlerësimin e vet ose të dekretojë kryeprokurorin ose të refuzojë”, tha ai.

​Kuvendi miraton dy projektligje për FSK-në dhe një për Ministrinë e Mbrojtjes

Kuvendi i Kosovës me 78 vota pro ka miratuar Projektligjin për shërbimin e Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Deputetët e legjislativit unanimisht pozitë dhe opozitë, dritën e gjelbër i dhanë edhe Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes.

Paraprakisht, deputetët miratuan 13 amendamente për dy projektligjet e para dhe 11 të tjera për Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.

​S’kalon rezoluta e LDK-së kundër sulmeve ndaj integritetit seksual

Kuvendi i Kosovës s’ka miratuar projekt-rezolutën e Lidhjes Demokratike të Kosovës kundër sulmeve ndaj integritetit seksual.

E njëjta mori vetëm 26 vota për, ndërsa 34 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje abstenuan, kurse një deputetë votoi kundër.

Pas kësaj, deputetët e Kuvendit shkuan në pauzë deri në orën 15:00, ku do të vazhdohet me pikat e tjera që janë në rend të ditës.

“Po dalim jashtë kontrollës” – Selmanaj lavdëron Konjufcën dhe i bën një kërkesë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj i ka kërkuar kryeparlamentarit Glauk Konjufca që të mos mungojë në seanca, sepse me mungesën seanca po “del jashtë kontrollës”.

Selmanaj ka thënë se në momentin e mungesave eventuale të Konjufcës, seancat nuk po menaxhohen siç parasheh rregullorja.

“Në momentin që po zëvendësohesh sikur po dalim prej kontrollës. Prandaj, një kërkesë personale sepse kam besim në mënyrën se si po menaxhoni seancën”, tha Selmanaj.

Të enjten, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës deputetët dhe ministrat e Qeverisë së Kosovës u përplasen dhe akuzuan njëri-tjetrin për sulme personale.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pretendoi se u kërcënua nga deputeti i Partisë Demokratike, Abelard Tahiri.

​LDK me rezolutë kundër sulmeve ndaj integritetit seksual, LVV kundërshton

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraqitur sot në Kuvendin e Kosovës projekt-rezolutën kundër sulmeve ndaj integritetit seksual.

E njëjta mori mbështetjen edhe të dy partive tjera opozitare PDK dhe AAK, mirëpo, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje shprehu kundërshtimin e saj, pasi sipas tyre më e nevojshme është nisma e Ministrisë së Drejtësisë për plotësim-ndryshimin e Procedurës Penale dhe Kodit Penal.

Nismëtarja e kësaj projekt-rezolute, deputetja e LDK-së, Dorasa Kica-Xhelili, tha se duhet mobilizim politik për të dënuar dhunën seksuale, përtej fjalimeve.

Ajo tha se rezoluta ka 11 pika, ku kërkohet të profilizohen gjyqtarët dhe prokurorët të cilët ekskluzivisht do t’i trajtojnë lëndët e veprave penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual.

Në njërën ndër pikat tjera i bëhet thirrje Qeverisë së Kosovës të financojë hartimin e një komentari të Kodit Penal në lidhje me kapitullin e veprave penale kundër integritetit seksual dhe veprën penale të ngacmimit seksual, i cili do të përfshijë praktikën gjyqësore vendore dhe të huaj.

Kica-Xhelili: Duhet mobilizim për të dënuar dhunën seksuale përtej fjalimeve

“Si mobilizim të vullnetit politik për të dënuar edhe një herë përtej fjalimeve tona edhe më ashpër çdo dhunues, manipulues, sulmues dhe kriminel që kryen vepra penale të dhunimit sulmit, ngacmimit seksual dhe çdo vepër që cenon dhe denigron integritetin seksual sipas kodit penal”, tha Kica-Xhelili.

Mbështetje ofroi edhe Partia Demokratike të Kosovës, përmes deputetes, Eliza Hoxha.

Hoxha: Mbështesim rezolutën e LDK-së

“Sot e mbështesim një rezolutë si kjo të LDK-së e cila thërret për gjithëpërfshirje në trajtimin e çështjes dhe jo vetëm në trajtimin e pasojës kur vjen në shprehje sektori i gjyqësisë dhe prokurorisë. Pra, ideja është që të investojmë në një investim më miqësor që merret me parandalimin e dhunës dhe aspekteve të tjera të integritetit gjinor dhe jo të merremi vetëm me pasojën”, tha ajo.

Të nevojshëm këtë rezolutë e quajti edhe deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.

Bytyqi: Kjo rezolutë është e nevojshme

“Një parti opozitare ka sjellë një propozim-rezolutë të domosdoshme dhe më shumë se të nevojshme për gjendjen aktuale rreth temës së ngacmimeve seksuale. Fatkeqësisht, statistikat tregojnë rritje të këtyre rasteve që shpesh herë përfundojnë me fatalitet. Ne si shtet dhe shoqëri po dështojmë të mbrojmë popullin tonë, veçanërisht vajzat dhe gratë”, deklaroi Bytyqi.

Nga ana tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Tinka Kurti u shpreh e habitur se pse kjo projekt-rezolutë po vjen, kur në rend të ditës janë edhe ndryshimet në Kodin Penal ku ashpërsohen sanksionet për sulmet seksuale dhe dhunën ndaj grave.

Ajo tha se kjo rezolutë flet më shumë për kushtet e gjyqësorit dhe prokurorisë sesa vet viktimat.

Kurti: Kjo rezolutë flet më shumë për kushtet e gjyqësorit dhe prokurorisë sesa për viktimat

“Ne jemi duke diskutuar sot një dokument, i cili është paralajmëruar në kuadër të shumë paralajmërimeve, menjëherë pasi janë propozuar ndryshimet që ashpërsojnë Kodin Penal sa i përket sulmeve seksuale dhe dhunimeve të grave. Kjo çuditërisht, në kohën kur po priten ndryshimet në kod të cilat kanë kaluar në komisionin pa legjislacion, pa votën e LDK-së, po priten shumë mirë nga shumica e grave dhe burrave. Po priten jashtëzakonisht mirë nga ato më të shqetësuarat në këtë temë, pasi ndryshimet po bëhet përmes një akti të rëndësishëm dhe detyrueshëm ligjor. Të nderuar deputetë, kjo rezolutë flet më shumë për kushtet e gjyqësorit dhe prokurorisë sesa vetë viktimat”, theksoi ajo.

Glauk Konjufca kritikon ministrat, pajtohet me opozitën

Glauk Konjufca, kryetar i kuvendit, përsëri është pajtuar me deputetët e opozitës.

Kësaj radhe në lidhje me pjesëmarrjen e vogël të ministrave të Qeverisë Kurti II në seancat e Kuvendit.

Këtë ankesë e pati shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Kërkohet që ministrat e linjës, kur kem pyetje parlamentare me qenë prezent”, tha deptueti Besnik Tahiri në ankesën e tij.

E me këtë u pajtua kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, partia që e udhëheq Qeverinë e Kosovës.

“I bashkohem vërejtjes suaj zoti Tahiri. Prania e ministrave duhet të jetë më e lartë në pyetjet, sepse nëse bëhet një statistikë këtu nga përvoja mund të konkludojë që pjesëmarrja nuk është gjithaq e kënaqshme. Duhet të jetë më e lartë”, tha Konjufca.

Avdullah Hoti dhe ministri Murati replikojnë për buxhetin: Ekonomisë i mungojnë 500 milionë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ekonomisë së vendit këtë vit janë duke i munguar 500 milionë euro.

Ai, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se bilanci bankar dhe investimet kapitale për nëntë mujorin e parë të këtij viti nuk janë pozitive.

“Me raportin 9 mujor të vitit 2022, ka qenë niveli i shpenzimeve kapitale për nivelin qendror dhe bilanci bankar, bilanc bankar dyfish më shumë se sa që është i nevojshëm, dhe investime kapitale më të ulëta ndonjëherë që ka parë Kosovë në 20 vjet, sipas vlerësimeve të mia, sot ekonomisë  i mungojnë rreth 500 milionë euro”, ka thënë ish-kryeministri Hoti.

Pas kësaj deklarate të Hotit, ka reaguar ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili ka thënë se kjo shifër prej 500 milionë eurove është manipuluese dhe nuk është e vërtetë.

“I bie më shumë para kanë hyrë në ekonomi, nëse shikohen kategoritë tjerë të shpenzimeve

“Është dezinformim deklarata juaj se mungojnë para në ekonomi, është e pavërtetë”, ka thënë Murati.

“Bandit me shurdhuese”, “Ti je idiot”, përplasje në mes Bislimit e Musliut

Diskutimi për situatën në veri të Kosovës është përcjellur me përplasje fjalësh në mes të opozitës dhe përfaqësuesve të qeverisë.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në seancën e sotme të Kuvendit duke aluduar te deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelar Tahiri ka thënë se ai është një banditë me shurdhuse. E menjëherë ka reaguar deputetja Ganimete Musliu duke i thënë zëvendëskryeministrit se ai është banditë e idiot.

Bislimi tha se ish ministri i Drejtësisë dhe deputeti Abelard Tahiri nga kjo foltore nxori një sërë akuzash për minsitren Haxhiu, ndërkaq pasi u mbyll mikrofoni në stilin e një banditi që vendosë shurdhuesin e armës së tij

“Pasi u mbyll mikrofoni në stilin e një banditi që vendosë shurdhuesin e armës së tij u kthye nga unë dhe shprehu një sërë kërcënimesh të cilat pastaj i shoqëroi me të shara dhe fyerje nga ulësja e tij dhe mendoj që do të ishte shumë mirë që prokuroria të merret me këtë rast”, ka thënë Bilsmi.

Aty reagoi deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

“Ti je bandit, e idiot”.

Aty ka reaguar kryesuesja e Kuvendit, Saranda duke thënë se edhe kabineti qeveritar por edhe deputetët të kenë të kenë kujdes me gjuhën që përdorin.

“Është e papranueshme në pikën ku kemi mbërri sot dhe gjuha që është përdorë edhe jashtë mikrofonit, i lus deputetët por edhe anëtarët e qeverisë që të frenoheni nga fjalët joparlamentare, nuk është në rregull”, ka thënë ajo.

Në mbështetje të Bislimit doli edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Pas mbylljes së mikrofonit kërcënoi dhe shajti dhe ftoj prokurorinë sepse kishte edhe kërcënim që ka mbajt armë me shurdhuese për kaq vite“.

Haradinaj: Nuk e kuptoj Qeverinë pse vetë hidhërohet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet t’i bëjë një analizë planit për çështjen e targave dhe se nëse nuk ecën atëherë sipas tij ajo duhet ta ndërrojë atë.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka theksuar, se nuk e kupton pse Qeveria e Kosovës po vetë-hidhërohet, dhe pse po kërkon fajin tek ata.

“Nuk e kuptoj qeverinë pse vetë hidhërohet, pse lyp fajin te ne të tjerët kur ai ka përgjegjësinë, bëjeni një analizë nëse plani nuk po iu shkon në planin e duhur nuk është marre.

Nuk po e bëni këtë se jeni të dobët, por se plani nuk po jep rezultat gjithë njerëzit normal racional në botë veprojnë kështu”, tha Haradinaj.

Haxhiu përplaset me Tahirin dhe Gashin: Hajde shkojmë në Mitrovicë e shohim a ka prokurorë dhe gjyqtarë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në seancën e sotme të Kuvendit është përplasur me shefat e grupeve parlamentare të PDK-së dhe LDK-së për situatën në veri.

Ajo i akuzoi ata se po keqinformojnë kur po thonë se në veri s’ka gjyqtarë dhe prokurorë, derisa i pyeti edhe nëse janë në gjendje të japin dorëheqje nëse vërtetohet që s’është kështu.

“Mos i keqinformoni qytetarët. Me dalë shefi i GP të PDK dhe ai i LDK edhe me thënë që s’ka prokurorë dhe gjyqtarë në veriun e vendit tonë, shumë pak është me thënë keqinformim. Po i keqinformoni dhe po inkurajoni dhunuesit”.

“A je në gjendje zotëri Tahiri me dhënë dorëheqje nëse ajo çka ke thënë ti është e pavërtetë. Tash jam e gatshme që bashkë me ty dhe Arbenin të shkojmë në Mitrovicë në prokurori dhe gjykatë. Aty janë prokurorët dhe aty janë gjyqtarët, prandaj mos shpifni”.

Haxhiu tha se për herë të parë Kosova ka pozicion të dinjitetshëm në raport me negociatat me Serbinë, “diçka që s’e kemi parë me herët”.

“Për herë të parë tre krerët e institucioneve janë të unifikuar me qëndrimet e tyre përballë Serbisë. Sigurisht që do të doja që këtij unifikimi t’i bashkohet edhe opozita”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat